Vëllezërit Abdullahu kërcënuan me vdekje fituesin e tenderit

prev next
 
Prishtinë E premte, 04 Maj 2012 18:21

Pasi e humbën tenderin, filluan kërcënimet me vdekje përmes mesazheve telefonike. Por, pas një muaji policia arrin t’i kapë të dyshuarit e këtij rasti, B. Abdullahu dhe F.Abdullahu.

Në një aksion të zhvilluar në lagjen “Dardania” në kryeqytet dhe në fshatin Vranidoll, policia njofton se të premten rreth orës 11:00, ka arritur të identifikojë vendndodhjen dhe të arrestojë dy personat e dyshuar.

Të dyshuarit B. Abdullahu, dhe F. Abdullahu, të dy meshkuj të moshës 59 vjeç dhe shtetas të Republikës së Kosovës, dyshohet me bazë se më 31 mars të këtij viti kanë dërguar mesazhe kërcënuese telefonike në adresë të viktimës, duke e kërcënuar atë me jetë për ta detyruar atë që të tërhiqet nga një tender të cilin viktima e kishte fituar.

Sipas një njoftimi të policisë, rreth një muaj më vonë saktësisht me datë 28 prill, para derës së banesës së viktimës të dyshuarit kishin lënë një zarf letre, me përmbajtje kërcënuese po ashtu edhe një karikator të armës automatike AK-47 si dhe 10 copë fishekë.

“Duke parë seriozitetin e rastit policia në vazhdimësi me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm me qëllim arrestimin e tyre dhe në të njëjtën kohë kishte zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që ndërlidheshin me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas arrestimit të dyshuarve u është shqiptuar masa e arrestit policor për tu dërguar më pas në qendrën e paraburgimit, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin para se ai t’i kaloj gjykatës.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë