Norvegjia mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës

prev next
 
Prishtinë E martë, 29 Nentor 2011 16:21

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Norvegji, të martën është pritur nga kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg, ku temë bosht e takimit ishin marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Norvegjisë, thellimi i këtyre marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët, si dhe mbështetja e Norvegjisë për Kosovën në procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe në procesin e integrimeve euroatlantike.

Në një komuniaktë të lëshuar nga zyra e kryeministit Thaçi, thuhet se kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg mirëpriti vizitën kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Norvegji, vizitë kjo e parë e një kryeministri të shtetit të Kosovës në këtë shtet skandinav.

Në takimin me kryeministrin Thaçi, kryeministri Stoltenberg theksoi përkrahjen e Qeverisë Norvegjeze për konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe u shpreh për vazhdimin e mbështetjes së Norvegjisë për Kosovën në kuadër të procesit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, si dhe shprehu mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri norvegjez, Stoltenberg gjatë takimit me kryeministrin Thaçi, gjithashtu potencoi mbështetjen e Qeverisë Norvegjeze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi homologun e tij, kryeministrin e Norvegjisë, Jens Stoltenberg për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë Kosovës, me theks të veçantë me njohjen e shpejtë të pavarësisë, dhe në rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

Kryeministri Thaçi në takim me kryeministrin norvegjez u shpreh për nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë, për shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme, si në fushën ekonomike, të arsimit, të drejtësisë dhe në fushat tjera me interes të përbashkët.

Duke u fokusuar në përkushtimet për zbatimin e vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ftoi investitorët norvegjez që të investojnë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se Kosova si shteti i ri ofron mundësi të mëdha për investime ekonomike ndërkombëtare.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg nënshkruan një marrëveshje ndërshtetërore të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë