Nis festivali “T’i bashkojmë zemrat përmes artit dhe kulturës”

prev next
 
Prishtinë E enjte, 20 Shtator 2012 16:58

Është hapur festivali i parë etnologjik, multi-kulturor dhe regjional në Kosovë i titulluar “T’i bashkojmë zemrat përmes artit dhe kulturës”, në të cilin po marrin pjesë ansamble nga shtete e rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Ky festival është cilësuar si një dritare e mirë që përmes kulturës dhe artit të thyhen muret ndarëse në mes shoqërive të ndryshme dhe njëkohësisht të krijohen ura bashkëpunimi në mes tyre.

Në këtë rast, Skënder Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka folur në emër të Ekipit të Agjencive të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë edhe përkrahëse të këtij festivali, ka thënë se kjo ngjarje paraqet një moment të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm social, kulturor e të fushave të thella në Kosovë.

“Pa dyshim se kjo ngjarje paraqet një moment të rëndësishëm në zhvillimet e përgjithshme sociale, kulturore, por edhe të tjera në Kosovë. Këtu ne jemi dëshmitarë të pranisë së një numri të madh të ansambleve, të kulturave të ndryshme, të cilat komunikojnë, jo vetëm nëpërmjet fjalëve, por edhe nëpërmjet gjuhës së artit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se shumë gjëra kanë ndodhur në të kaluarën e afërt në Kosovë dhe në vendet fqinje në dy dekadat e fundit, por, sipas tij, janë arritur të kalohen rrethanat e ndarjeve, të luftërave, të konflikteve dhe ngjarjeve të rënda. Por, megjithatë, Syla ka thënë se artistët kanë gjetur mënyrën e vet për t’i shpërfaqur në sipërfaqe krijimet e tyre artistike. Ai ka thënë se komunikimi më i mirë është nëpërmes artit.

Kurse zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, ka thënë në këtë rast se kultura duhet të vihet para politikës duke menduar për gjërat që na bashkojnë e jo për gjërat që na ndajnë.

“Kosova është plot dallime, gjë që do të vërehet edhe sot nëpërmjet veshmbathjeve të ndryshme, valleve të ndryshme duke treguar fuqitë tona të ndara dhe fuqinë tonë të përbashkët. Bashkimi i zemrave tona duhet të tregojë atë që kultura duhet të vihet para politikës, duhet të mendojmë për gjëra që na bashkojnë, e jo ato që na ndajnë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se muaji shtator është muaji kur organizohen manifestime për të kremtuar përhapjen e kulturës kudo në botë. Ky festival shumë-kulturorë, sipas tij, është një iniciativë e cila do të dëshmojë se edhe Kosova ka aspirata ndërkombëtare, por që vërtet dëshiron të jetë pjesë e një pasqyre gjithëpërfshirëse në kulturë dhe në art.

Ndërsa, zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe i Sportit, Gani Elshani, ka thënë se arti dhe kultura janë sfera shumë të rëndësishme për një popull.

“Po shpresoj se nëpërmjet kësaj kulture mund edhe t’i bashkojmë zemrat me të vërtetë, siç mund të shihet edhe këtu, sepse në hyrje të këtij pallati të kulturës dhe rinisë. Pash lloje të ngjyrave të ndryshme kulturore artistike. Janë të mrekullueshme, sepse tradita dhe kultura duhet të ruhen edhe nëpërmjet këtyre shoqërie kulturore, sepse arti dhe kultura janë një sferë më e mrekullueshme”, ka thënë ai.

Në këtë rast, të pranishmit, i ka përshëndetur edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Husnija Beskoviq, duke thënë se përmes kësaj loje të rinjtë më së miri mund t’i rrënojnë muret ndarëse dhe të krijojnë ura të bashkëpunimit.

Kurse Përfaqësuesi i Mercy Corps-it në Kosovë, Lee Norrgard, u shpreh i lumtur që përmes USAID-it kanë pasur mundësinë të ndihmojnë në këtë drejtim dhe njëkohësisht ka bërë thirrje që vlerat të ruhen.

Në këtë festival, sipas agjendës, ishte paraparë që të merrte pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, por ai nuk ishte i pranishëm.

Për më tepër, muaji shtator është muaji i shënimit të trashëgimisë kulturore që festohet në mbarë botën ndër vite. Në këtë vit, Kosova i bashkëngjitet kësaj iniciative me festivalin e parë multi-kulturor, i cili organizohet nga Shoqëria Kulturo-artistike “Talentet e Rinj” nga Prizreni në bashkëpunim me OJQ “Dera e Hapur” nga Prishtina, e përkrahur nga Ekipi i Agjencive të OKB-së në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës si dhe Mercy Corps në Kosovë.

Festivali mëton të sjellë së bashku shoqëritë kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Turqia dhe Sllovenia, të cilët do të shfaqin trashëgiminë e tyre kulturore si mënyrë për të promovuar paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin me anë të prezantimit të kostumeve folklorike, punimeve, artizanale dhe ushqim tradicional nga Kosova dhe regjioni. Festivali do të jetë treditorë. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë