• Lajmi
  • KosovaPress, 07 Prill 2012 22:45

Mesazhe paqeje nga Katedralja “Nënë Tereza”

prev next
 
Të ngjajshëm

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, sapo ka përfunduar mesha kryesore me rastin e Ditës së Pashkëve, e cila është drejtuar nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, gjatë së cilës, ai ka bërë thirrje për jetë në paqe dhe mirëkuptim me të tjerët.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, në fjalën e tij, para besimtarëve katolikë dhe mysafirëve të tjerë, ka thënë se të gjithë besimtarët, gjatë këtyre shtatë javëve, janë përgatitur me lutje dhe agjërim për t’iu afruar me zemërgjerësi dhe plotë gëzimi kësaj feste.

“Ne të bashkuar në këtë kishë nxisim njëri tjetrin për të jetuar në dashuri dhe fe. Mbi të gjitha ia japin zemrën si dhuratë në dashuri dhe përpiqemi që të heqim dorë nga mëkati. Gjithmonë të gatshëm për të qenë në shërbim të mirës. E gjithë kjo dëshmi, si një dhuratë feje gërshetohet edhe në këtë natë feste”, ka pohuar ai duke shtuar se kjo natë është nata e dritës së jetës.

Tutje, ipeshkvi ka thënë se lutet edhe për të gjithë besimtarët që festojnë në të gjitha kishat tona.

“Të kemi dashuri që të mund të jetojmë në paqe edhe nëse mendojmë ndryshe, edhe nëse besojmë ndryshe, edhe nëse jemi ndryshe”, ka thënë, ndër të tjera, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.