Licencimi i mësimdhënësve, avancim në karrierë

prev next
 
Prishtinë E premte, 07 Qershor 2013 11:12

Procesi i licencimit të mësimdhënësve, i cili ka filluar para disa ditësh nëpër shkolla të Kosovës nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit vlerësohet si mundësi e mirë për përparim në karrierë, ngase konform udhëzimit administrativ, mësimdhënësve do t’u mundësohet që nga licenca fillestare të avancohen edhe në shkallë të tjera. Kalimi nga një shkallë në shkallën tjetër do të shoqërohet edhe me një rritje page prej dhjetë për qind.

Këshilli Shtetërorë i Licencimit të Mësimdhënësve, i cili në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe organizatat tjera që funksionojnë në Kosovë, Sindikatën e Bashkuar të Arsimit në Republikën e Kosovës, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat kanë hartuar një numër të madh të dokumenteve të cilat përcaktojnë se çfarë nënkupton licencimi, kush i nënshtrohet licencimit, cilat janë komponentët kryesorë rreth licencimit të mësimdhënësve të hartuar mbi baza ligjore të mëhershme.

Sipas kryetarit të këtij këshilli, Nehat Mustafa, ky licencim bëhet me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim, por edhe mundësi për mësimdhënësit që të përparojnë në karrierë.

Mustafa pohon se prej fillimit të vitit të kaluar me këtë nismë janë mbledhur informacione për të gjithë mësimdhënësit në të gjithë Kosovën, me të dhëna personale dhe arritjet profesionale të tyre, për t’u përfunduar me dhënien e licencave këtyre mësimdhënësve.

Licencimi fillimisht ka filluar në rajonin e Gjilanit, prej nga janë licencuar mbi 2500 mësimdhënës, dhe kohëve të fundit janë licencuar 2700 mësimdhënës në Ferizaj. Po sipas tij, këto ditë do të licencohen edhe mësimdhënës të komunave të tjera dhe se proces i licencimit do të jetë i vazhdueshëm.

“Këto licenca nuk janë vetëm leje pune, por akoma më shumë. Këto janë mundësi për përparim në karrierë, sepse mësimdhënësve konform udhëzimit administrativ që e kemi, do t’i mundësohet që nga licenca fillestare, me të cilën janë pajisë tash krejt mësimdhënësit e Republikës së Kosovës që nënkupton mësimdhënës i kualifikuar”, ka shpjeguar Mustafa.

Sipas udhëzimit administrativ për licencimin e mësimdhënësve, këta do të kenë mundësi në të ardhmen nga numri i orëve dhe vlerësimi i performancës të aplikojnë më vonë për shkallën e dytë të licencës, mësimdhënës i avancuar, pastaj do të jetë shkalla e tretë e mësimdhënësve mentor dhe në fund do ta kenë mësimdhënës i merituar. Kalimi nga një shkallë në shkallën tjetër do të shoqërohet edhe me një rritje page prej dhjetë përqind.

Po ashtu, sipas këtij udhëzimi administrativ, brenda pesë vjetëve një mësimdhënës është i obliguar të ndjekë njëqind orë trajnime nga programe të akredituara nga Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, dhe gjatë kësaj periudhë duhet të kenë vlerësim pozitiv të performacës, për mosarritje të duhur të performancës mësimdhënësve u jepet afat prej një viti ta përmirësojnë atë, në të kundërtën ata do ta humbin të drejtën e licencimit.

Drejtori i Shkollës së Mesme Ekonomike dhe Juridike “Hoxhe Kadri Prishtina”, Jahë Sahiti, ka thënë se është bërë mbledhja dhe verifikimi i dokumentacionit.

“Kjo formë do t’i stimulojë për zhvillimin e karrierës së vetë edhe do t’u jep vullnet punëtorëve që në të ardhmen të jenë më aktiv edhe në procesin e mësimit por faktikisht edhe në procesin e zhvillimit të shkencës në përgjithësi”, është shprehur Sahiti.

Neni 13 shpjegon për kriteret rreth lëshimit të licencës së mësimdhënësit të karrierës, dhe sipas këtij neni me shpërndarjen e licencave Drejtoritë Komunale të Arsimit janë të detyruara që kontratat e mësimdhënësve të mos kenë kohëzgjatje më pak se pesë vjet. Përmes licencimit synohet të mbrohen mësimdhënësit sepse nëse konkurrohet për një vend të lirë pune, mësimdhënësit me licencë do të kenë përparësi nga ata pa licencë. Kjo mundëson që Drejtoritë komunale të arsimit të kenë kontroll të lëvizjeve të mësimdhënësve nëpër shkolla. Mësimdhënësit e rinj pajisen me licencë provuese që nënkupton kontratë një plus një në vit, dhe nëse arrijnë t’i plotësojnë kriteret do të marrin licencën mësimdhënës i kualifikuar.

Neni 14 rreth kritereve për lëshimin e licencës së mësimdhënësit të avancuar shpjegon se të gjithë ata që kanë mbaruar më shumë se 300 orë trajnime mund të aplikojnë për licencë të mësimdhënësit të avancuar, në Nenin 15 për kriteret për lëshimin e licencës së mësimdhënësit mentor qartësohet se ata që kalojnë mbi 450 orë trajnime mund të aplikojnë për mësimdhënës mentor, dhe Neni 16 qartëson kriteret për lëshimin e licencës së mësimdhënësit të merituar për ata që kanë mbaruar mbi 650 orë trajnime dhe mund të aplikojnë për mësimdhënës të merituar. Këto trajnime duhet të ndiqen për programe që janë nga organizatat e akredituara nga Këshilli Shtetërorë i Licencimit të Mësimdhënësve. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë