• Lajmi
  • KosovaPress, 16 Prill 2012 12:38

Kujdes nëpër Serbi, shfrytëzoni rrugët e tjera

prev next
 
Të ngjajshëm

Zgjedhjet e serbe që pritet të mbahen në muajin maj në Serbi, mund të ndikojnë edhe tek qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, të cilët kalojnë nëpër këtë shtet. Fushata elektorale që po zhvillohet atje, mund të pasojë edhe me arrestime të shtetasve të Kosovës, për asgjë tjetër, por për përfitime politike. Zyrtarët qeveritarë i kanë thënë Kosovapress-it se nuk mund t’i bëjnë thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve të Kosovës, qofshin ata mërgimtarë, apo qytetarë, që kalojnë transit nëpër Serbi, që të mos kalojnë nëpër këtë shtet, por kanë bërë thirrje që mundësisht t’i shfrytëzojnë rrugët e tjera, pasi që mund të jenë viktima të ndonjë arrestimi pa ndonjë argument, apo fakte ligjore.

Ata po ashtu kanë thënë se Serbia me krijimin e pengesave të tilla po mundohet që të krijojë panik te qytetarët, në mënyrë që ata të mos ia mësyjnë Serbisë, ndërsa në anën tjetër Serbia mund të thotë se po e zbaton marrëveshjen për qarkullim të lirë.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, duke iu përgjigjur Kosovapress-it përmes telefonit për thirrje të qytetarëve shqiptarë të Kosovës që të mos qarkullojnë nëpër Serbi, ai e ka cilësuar si thirrje të fortë për qytetarët e Kosovës, por ka thënë se njerëzit që mendojnë se mund të jenë pjesë e arrestimeve dhe e lojërave politike serbe, duhet të jenë të kujdesshëm.

“Mendoj se është një thirrje e fortë nëse thuhet kjo, po ajo çka dua të them është që njerëzit që mund të supozojnë që mund të jenë pjesë e atakut, ose pjesë e kësaj loje politike, duhet të jenë të kujdesshëm. Por marrëveshja e jonë me Serbinë ka qenë që t’u mundësohet qytetarëve e jo t’u ndalohet dhe kjo farsë politike, ky qëllim politik i Serbisë duhet të përfundojë”, ka thënë ai.

I pyetur nga Kosovapress se sa kanë rëndësi marrëveshjet që arrihen me Serbinë kur kemi parasysh se ato nuk po zbatohen, ai ka thënë se Serbia nuk është se nuk po e zbaton marrëveshjen, por po krijon probleme jashtë marrëveshjes, si me pritje të gjata në kufij, me arrestime dhe kjo, sipas tij, po bëhet me qëllimin që të krijohet panik te qytetarët e Kosovës, në mënyrë që ata të ndalen vetë.

“Në rastin konkret nuk është që ata nuk po e zbatojnë marrëveshjen, por problemi është që ata po krijojnë probleme jashtë marrëveshjes, në radhë të parë, me pritje të gjata, me pengesa teknike, pastaj edhe me burgosje të individëve në mënyrë të paargumentuar, pa fakte juridike, që të krijojnë pasoja dhe panik të qytetarët që të mos qarkullojnë. Pra nuk po mund t’i ndalë për shkak të marrëveshjes në tërësi, por po krijon ambient të tillë që qytetarët të ndalen vetë”, ka thënë ai.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se si pjesëtar i Qeverisë së Kosovës nuk mund të kërkojnë një gjë të tillë prej qytetarëve që ata të mos qarkullojnë fare nëpër Serbi, por u ka bërë thirrje që të kenë shumë kujdes, kur kihet parasysh fushata e egër elektorale që po zhvillohet këto ditë në Serbi. Rexhepi ka thënë se qytetarët që nuk kanë ndonjë nevojë të domosdoshme për të shkuar në Serbi, ose për të qarkulluar transit nëpër këtë shtet, të kenë kujdes, të paktën derisa të përfundojë kjo fushatë.

“Realisht unë nuk muj me kërkuar si pjesëtar i institucionit, i Qeverisë së Kosovës, mirëpo, realisht po dihet që ata janë në një fushatë të egër elektorale, sidomos ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Daçiq, shpeshherë bën arrestime të natyrës politike për shkak të fushatës së vet, opinionit të vet dhe derisa zgjatë kjo situatë është me të vërtetë, qytetarët që udhëtojnë qoftë për Serbi, qoftë transit nëpër Serbi, duhet të jenë të kujdesshëm se mund t’i ekspozohen një rreziku të arrestimit pa kurrfarë arsye. Prandaj, kjo është një thirrje për kujdes për ata që nuk kanë ndonjë nevojë të domosdoshme të qarkullojnë për në Serbi, ose të shkojnë në Serbi, derisa të përfundojë kjo fushat, duhet të jenë të kujdesshëm”, ka thënë ministri Rexhepi.

Për më tepër, kohëve të fundit kanë ndodhur disa incidente në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit kishte arrestuar Hasan Abazi, Kryetar i Sindikatës së Metalistëve të Kosovës. Ky arrestim erdhi pak ditë pas arrestimit të disa policëve serbë që shërbenin në Policinë e Kosovës, me dyshimin se ata po punonin edhe në shërbimin e punëve të brendshme të Serbisë. Pas këtij akti, ndodhi edhe arrestimi i dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në kufi me Serbinë, të cilët ishin duke patrulluar në vijën kufitare në territorin e Kosovës. Pas dy ditësh, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, të dy policët e Kosovës u liruan. Kurse në mbrëmjen e së premtes është arrestuar edhe një qytetar tjetër i Kosovës në Merdare nga policia kufitare serbe./Kosovapress/