Kosova dhe Mali i Zi forcojnë marrëdhëniet dypalëshe

prev next
 
Podgoricë E premte, 09 Mars 2012 15:11

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Mal të Zi. Ai ka thënë se raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi kanë shënuar ngritje në periudhën e pas pavarësisë dhe se shteti malazez është partner i rëndësishëm politik, ekonomik dhe kulturor i Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, ka takuar Sekretarin Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Nebojsha Kalugjeroviq dhe drejtorin politik për marrëdhënie dypalëshe Ramiz Bashiq, me të cilët ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat, për zhvillimet aktuale në Kosovë, raportet ndërmjet dy vendeve tona fqinje si dhe për marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me përfaqësimin rajonal.

Duke u ndalur rreth pozitës të komunitetit malazez në Kosovë, Gashi ka deklaruar se tashmë ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve, sipas të cilit komuniteti malazez përkufizohet i barabartë me të gjitha grupet kombëtare, etnike, kulturore, gjuhësore apo fetare tradicionalisht të pranishme në Republikën e Kosovës.

Gashi po ashtu, është siguruar nga zyrtarët e lartë të shtetit fqinj për integrimin e plotë dhe avancimin e mëtutjeshëm të përfaqësimit të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, në të gjitha nivelet institucionale të shtetit.

Gjatë këtij takimi zëvendësministri Gashi është pritur edhe nga Ivana Petriqeviq, shefe e kabinetit të Kryeministrit malazias dhe bashkëpunëtorë të tjerë, me ç’rast është biseduare për projekte konkrete, jetësimi i të cilëve, do të ndihmojë në avancimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin ekonomik reciprok, si dhe është konstatuar se ekziston gatishmëria për hapjen e ambasadave të dy shteteve në Prishtinë dhe Podgoricë. Është biseduar edhe për disa marrëveshje shumë të rëndësishme në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe arsimit.

Zëvendësministri Gashi po ashtu ka zhvilluar një takim me zëvendëskryetarin e Odës Ekonomike të Malit të Zi, Ivo Saveljiq. Të dy bashkëbiseduesit kanë potencuar nevojën e pranisë të kompanive dhe mallrave malazeze në tregun kosovar, dhe të mallrave kosovare në tregun e Malit të Zi, duke shtuar se planin ekonomik ekziston hapësirë për një komunikim më dinamik në fushën e ekonomisë. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë