IKD: Mekanizmat prokurorial kanë dështuar

prev next
 
Prishtinë E enjte, 05 Prill 2012 13:39

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësimin në lidhje me dështimin e mekanizmave të kontrollit të cilësisë së prokurorëve dhe prokurorive të Republikës së Kosovës dhe si rrjedhojë e këtij dështimi, IKD thotë se sistemi prokurorial në Kosovë vazhdon të mbetet jo-efikas, me mungesë të llogaridhënies, punë joprofesionale dhe me dështime në luftën kundër krimeve të ndryshme.

IKD në një reagim publik thotë se rasti i arrestimit të prokurorit special Nazmi Mustafi, njëherësh shef i Task-forcës kundër korrupsionit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dëshmon për një dështim të mekanizmave të kontrollit të cilësisë së punës së prokurorëve në Kosovë. Sipas këtij instituti, për një vit, Nazmi Mustafi kishte qenë i dyshuar me rastin e paraqitjes së kallëzimit penal për të dhe, rrjedhimisht, gjatë gjithë kësaj kohe prokurori në fjalë ka vazhduar të udhëheqë dhe përfshihet në hetime ndër më të ndjeshmet në Kosovë, duke komprometuar sistemin prokurorial.

Ky institut e sheh të papranueshme që bartës të tillë të funksioneve prokuroriale për kohë kaq të gjatë të ushtrojnë përgjegjësitë pa kontroll të vazhdueshëm dhe pa mbikëqyrje të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjithashtu, IKD ka kritikuar krijimin e një sërë mekanizmash për luftim të korrupsionit, duke thënë se kjo ka shërbyer për shpërndarje të adresave, përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Sipas këtij instituti, mungesa e vlerësimit të performancës së prokurorëve dhe prokurorive paraqet dështim të zbatimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe rregulloreve përcjellëse si dhe rezulton me politika joadekuate për të ndjekur krimet, posaçërisht ato të natyrës së rëndë.

IKD më tej në këtë komunikatë thotë se EULEX-i duhet që të hetojë rrjetin e bashkëpunëtorëve të prokurorit special Nazmi Mustafi në mënyrë që të zbardhen dyshimet për ekzistimin e një mafie prokuroriale, e cila dyshohet se ka vepruar në kundërshtim të plotë me misionin e përcaktuar me ligj dhe pozitën e besuar nga institucionet.

IKD konsideron se urgjentisht duhen rishikuar mekanizmat kundër-korrupsionit të krijuar nga institucione të ndryshme. Në këtë frymë, IKD thotë se duhet të bëhet analizë të thellë të mandatit, qasjes dhe performancës për të gjithë këta mekanizma.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë