E drejta e autorit është e drejtë kushtetuese

prev next
 
Prishtinë E martë, 05 Qershor 2012 12:29

E drejta e autorit është një e drejtë absolute, e cila mbrohet edhe me konventat ndërkombëtare edhe me ligjet e Republikës së Kosovës. Deri më tani është shënuar një përparim në këtë drejtim, por kjo nuk është krejt ajo çka duhet të bëjnë institucionet për mbrojtjen e kësaj të drejte. Ato u zotuan se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Kështu u tha në konferencën me temën “Menaxhimi kolektiv i të drejtës së autorit dhe pirateria”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka thënë të martën, në këtë konferencë se në mbrojtjen e të drejtës së autorit është arritur shumë, por që natyrisht ende mbetet të bëhet, që kjo e drejtë të jetë sa më e sigurt.

“Besoj se për të gjitha ata që më së shumti kërkojnë të punohet në këtë pikë, për krijuesit dhe përformuesit optimizmi është real. Konsideroj se nxjerrja e një ligji të mirë, funksionalizimi i zyrës për të drejtën e autorit, themelimi i një task-force kundër piraterisë që pritet të ndodh shumë shpejt, nxjerrja e rregulloreve që parashihen me ligj, nisja e një fushate informuese për të drejtën e autorit dhe planet për të vepruar edhe më konkretisht në këtë fushë janë një rezultat që duhet të na jep shpresë të gjithëve se më në fund gjendja po ndryshon për të mirë”, ka thënë ai.

Krasniqi po ashtu ka shprehur gatishmërinë e tij që të vazhdojë edhe më tutje në mbrojtjen e të drejtës së autorit. Ai tha se jo rastësisht janë marrë për diskutim temat si e drejta e autorit dhe pirateria, të cilat ai i konsideroi si hallat e një zinxhiri të gjatë detyrash që duhet të kryhen në këtë drejtim.

“Jo rastësisht tema e diskutimit të kësaj konference, janë administrimi kolektiv i të drejtës së autorit dhe luftimi i piraterisë. Në fakt, këto janë dy nga hallkat kryesore të atij zinxhiri detyrash dhe institucionesh që duhet kryer dhe funksionalizuar për të pasur sukses në këtë fushë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se një ndihmesë të madhe në këtë drejtim mund të japin edhe shoqatat që merren me të drejtën e autorit.

Ndërsa profesori i UP-së për të Drejtën e Autorit ka thënë në këtë konferencë, se e drejtë personale absolute e personit e ngritur në nivelin kushtetues. Ai shtoi se duke e marrë për bazë se e drejta e autorit është e rregulluar me ligjet e Kosovës, kjo sipas profesorit përbën një bazë të fortë juridike në mbrojtjen e kësaj të drejte.

“E drejta e autorit si e drejtë personale absolute e personit është një e drejtë e ngritur në nivelin kushtetues, respektivisht është e drejtë e garantuar edhe me kushtetutë. Prandaj themi se kjo e drejtë e autorit është kategori kushtetuese. Kemi nenet 46 dhe 48, janë nene që e garantojnë lirinë e krijimtarisë intelektuale si dhe mbrojtjen e krijimtarisë intelektuale. Nisur nga kjo, atëherë kjo është bazë e fuqishme juridike që me ligjet tona të Kosovës të ngritët edhe mbrojtja më e fuqishme e të drejtës së autorit. Lidhur me të drejtën e autorit, ne në Kosovë nuk kemi ndonjë rezultat të dukshëm deri tani, sidomos rreth mbrojtjes, krijimtaria është në nivel, por mbrojtja e saj nuk është në atë vendin e merituar”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se e drejta e autorit mbrohet me dy direktiva, atë ndërkombëtare dhe me direktivat e brendshme. Ai po ashtu tha se vetëm veprat që janë origjinale në kuptimin e të drejtës së autorit janë objekt i të drejtës së autorit. Sipas tij, e drejta e autorit ndahet në dy grupe, në të drejtën morale dhe të drejtën pasurore.

Kurse eksperti i së Drejtës së Autorit në Universitetin e Louenit, profesori Baris Isik, duke folur për praktikat e mbrojtjes së të drejtave të autorit në Bashkimin Evropian, ka thënë se janë një numër i organizatave që bëjnë mbrojtjen e një të drejtë të tillë.

“Është një numër i akterëve këtu, si Gjykata Evropiane, po ashtu edhe Parlamenti Evropian të cilat e rregullojnë të drejtën e autorit dhe i përmbushin zbrazëtirat aty ku qeveritë dështojnë në përmbushjen e të drejtave autoriale. Përsëri në emër të anëtarësisë këto nuk i zbatojnë këto vetëm në emër të anëtarëve, por po ashtu e luftojnë edhe piraterinë, promovojnë ngjarje të ndryshme kulturore, shoqërore, por nuk ndalen këtu, por ofrojnë edhe disa vlera të përgjithshme shoqërore e kulturore”, ka thënë ai.

Ndryshe, e drejta e autorit nënkupton të drejtën e personit mbi një krijimtari në fushën e letërsisë, artit dhe shkencës. Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar e ka miratuar ligjin Nr. 04/L-065 mbi të drejtën e autorit. Sipas këtij ligji, e drejta e autorit zgjatë gjatë tërë jetës së tij, por po ashtu zgjatë edhe 70 vjet pas vdekjes së autorit të veprës./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë