As kardiokirurgjia, e as radioterapia

prev next
 
Prishtinë E shtune, 16 Shkurt 2013 13:32

Kardiokirurgjia në Qendrën Klinike Universitare nuk do të funksionalizohet më 17 shkurt, ndonëse Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte deklaruar se këtë lloj shërbimi pacientët kosovarë do të mund ta marrin qysh më 28 nëntor të vitit të kaluar. Përveç kardiokirurgjisë, as shërbimet radioterapeutike kurative pacientët kosovarë nuk do të kenë mundësi t’i gëzojnë as në përvjetorin e pestë të Pavarësisë.

Drejtori i Institutit të Onkologjisë, Behxhet Osmani, ka deklaruar për Kosovapress, se Departamenti i Radioterapisë është ende jashtë funksionit për shkak të mungesës së disa pajisjeve të aparaturës që nevojiten për këtë shërbim.

Ai ka thënë se janë të angazhuar bashkërisht me drejtorinë e QKUK-së dhe Ministrinë e Shëndetësisë që këtë lloji shërbimi, e që është i domosdoshme për pacientët që vuajnë nga sëmundjet malinje, ta bëjnë të mundur brenda muajit.

“Sa i përket departamentit të radioterapisë, bashkë me drejtorinë ekzekutive të QKUK-së dhe Ministrinë e Shëndetësisë kemi arritur që përafërsisht ta finalizojmë plotësimin e pjesëve të aparaturës dhe presim që brenda 2 apo 3 javëve që të furnizohemi me atë pjesë dhe të fillojmë me shërbimet e radioterapisë kurative”, ka thënë ai.

Se këto shërbime nuk do të jenë funksionale me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe siç ishte premtuar, e pranon edhe Ministri Agani, i cili ka thënë se kanë bërë çmos për t’i funksionalizuar, por që nuk kanë arritur një gjë të tillë.

“Do të fillojmë muajin që vjen edhe me shërbimet radioterapeutike komplete. Ne veç kemi filluar me terapinë e rrezatimit të kancerëve paliative, por do të fillojmë me radioterapinë komplete. Gjatë muajit që vjen do të kompletohet pajisja dhe është trajnuar edhe stafi. Po ashtu shumë shpejt, javën e ardhshme, do të fillojmë edhe me shërbimet kardiokirurgjike”, ka thënë ai.

Përveç që nuk është funksionalizuar radioterapia kurative, drejtori i Institutit të Onkologjisë, tregon se kohët e fundit ka mungesë edhe të citostatikëve, barna këto që shërbejnë për mjekimin e të sëmurëve që vuajnë nga kanceri.

“Është e vërtetë që janë shpenzuar mjete bukur ë të mëdha për citostatikë dhe për shërbimet onkologjike. Kemi qëndruar mjaftë mirë deri para pak kohësh, ndërsa kohët e fundit kemi ngecje në furnizim meqenëse hallka, zinxhiri nuk ka funksionuar si duhet. Për këtë qëllim bashkërisht me drejtorinë ekzekutive dhe me ministrinë e Shëndetësisë jemi duke punuar në atë drejtim që të formohet një linje e shërbimeve dhe si pikë qendrore do të jetë instituti Onkologjik, i cili do të ketë buxhetin e vet dhe vet do të furnizohet me barna”, ka thënë ai.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron se mungesa e barnave dhe materialit harxhues, që është evident në QKUK, nuk ka qenë rezultat i mungesës së buxhetit, por, sipas tij, i dobësive menaxheriale, duke akuzuar Departamentin Farmaceutik brenda Ministrisë së Shëndetësisë se nuk po e kryen punën si duhet. Agani sqaron se për këtë qëllim ka ftuar edhe auditorin e përgjithshëm të Kosovës që ta auditon tërë procesin e prokurimit në sektorin farmaceutik.

“Janë dobësi menaxheriale, si në nivelin e ministrisë së shëndetësisë, pra nivelin e Departamentit Farmaceutik, nivelin e Departamentin të prokurimit dhe nivelin e institucioneve shëndetësore. Janë dobësi serioze me mangësi të mëdha. Unë këto ditë e kam ftuar edhe Auditorin e përgjithshëm të Kosovës që ta auditon tërë procesin e prokurimit në sektorin farmaceutik. Në bazë të rekomandimeve që do të dalin unë do të ndërmarr masa të mëtutjeshme, sepse nuk mund ta lemë më këtë situatë”, ka thënë ai.

Vetëm për nevojat e Institutit Onkologjik, për një vit, për barna dhe medikamente tjera mjekësore, nevojiten rreth 10 milionë euro, ndërsa 21 milionë është krejt buxheti për barna.

Mjekët në QKUK thonë se kanë potencialet e duhura profesionale për t’i ofruar këto shërbime.

Avdyl Krasniqi, mjek kirurg, pretendon se ka mungesë të vullnetit politik për t’u bërë funksionale këto shërbime.

“Ne nuk po mbërrijmë që të organizohemi si duhet për t’i pasur edhe këto dy institucione funksionale. Sa i përket kardiokirurgjisë, sigurisht se bëhet fjalë për një shërbim që kushton shumë shtrenjtë dhe sigurisht donë mjete tjera të posaçme të dedikuara për kardiokirurgji. Mirëpo, pasi që ekziston objekti dhe fatmirësisht edhe disa kolegë të rinj që janë specializuar në këtë lëmi dhe që vazhdojnë të punojnë në spitale private, duhet vetëm një vullnet dhe angazhim i atyre politik bërësve për të aktivizuar këtë shërbim. Pasi që një vend, siç është QKUK-ja, është e palogjikshme që mos të ketë shërbimet e kardiokirurgjisë”, ka thënë ai.

Ndryshe, në mungesë të kardiokirurgjisë, por edhe të radioterapisë, pacientët kosovarë po detyrohen të mësyjnë spitalet private, por edhe spitalet tjera jashtë vendit, duke shpenzuar kështu shuma të majme parash. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë