Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pa buxhet

prev next
 
Prishtinë E premte, 27 Janar 2012 17:49

28 janari, Dita Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësinë e gjen Kosovën me një Agjenci Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e cila nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të funksionuar, me mungesë të ekspertëve të kësaj sfere si dhe me mungesë të vetëdijesimit të qytetarëve për sa u përket të drejtave të tyre për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kështu është thënë të premten në Prishtinë, gjatë konferencës “Të arriturat dhe sfidat në mbrojtjen e të dhënave personale”, ku gjithashtu është thënë se zhvillimi teknologjik i pajisjeve të teknologjisë informative me hovin që ka marrë ka filluar të tkurr privatësinë, aq sa vija midis jetës publike dhe asaj private po rrezikon të zhduket.

Ruzhdi Jashari, mbikëqyrësi kryesor shtetërorë i të dhënave personale ka bërë të ditur se aty ku shkelet privatësia e individit përfundojnë liritë dhe të drejtat e njeriut.

Ai në këtë konferencë ka përmendur disa të arritura, e që kryesisht kanë dal të jenë përpilimi i udhëzime administrative, takime, përgatitje të raporteve apo edhe paraqitje mediale.

Por, Jashari ka përmendur edhe sfidat, në mesin e të cilave, edhe mungesën e buxhetit.

“Për fillim të punës kishim vështirësi të mëdha ngase në vitin kalendarik 2011 nuk ishin paraparë mjete financiare për mbështetjen e kësaj agjencie. Me një vonesë të konsiderueshme, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovë, ndau një buxhet startues që nuk ishte në harmoni me nevojat e një funksionalizimi të mirëfilltë. Tani, Agjencia punën e vet e zhvillon në objekt privat, po është në kërkesë të vazhdueshme që të siguroj hapësirat shtetërore për punë”, ka thënë ai.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, të kanë premtuar mbështetje në sferën e mbrojtjes së të dhënave.

Yvonnne Gogoll nga Komisioni Evropian ka pohuar se pas dy javësh do të kenë dialogun sektorial për sundimin e ligjit dhe proceset e dialogut politikë me autoritetet e Kosovës, i cili është standardizimi dhe përafrimi, dhe se aty, sipas saj, do të kenë mundësi të vlerësojnë arritjet e deritanishme.

Shumica e të pranishmëve në konferencë janë pajtuar se duhet të bëhet maksimumi për të siguruar mbrojtjen e të dhënat.

Por, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Florian Qehaja ka pohuar se një ndër sfidat më të mëdha në Kosovë, sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, mbetet vetëdijesimi. Sipas tij, nuk ka vetëdijesim të qytetarëve sa i përket të drejtave për mbrojtjen e të drejtave të tyre që derivojnë nga ligji.

Madje, sipas tij, mungojnë edhe ekspertë të kësaj fushe në Kosovë.

“Në Kosovë nuk ka ekspertë të kësaj fushe, përveç Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale që supozohet se brenda një kohe të shkurtër të ngrit kapacitetet. Nuk ka ekspert të kësaj fushe kjo u vërejt qysh në fillim të hartimit të ligjit. Hartimi i tij u iniciua nga ndërkombëtarët dhe tashmë lind nevojë do të thotë për ekspertë të kësaj fushe dhe jo vetëm në agjenci por edhe jashtë saj”, ka thënë ai.

Ai, ka kërkuar nga Komisioni Evropian të merr njerëz dhe t’i shkollojë për këtë fushë ngase është e re tek ne.

Qehaja ka bërë të ditur se, sipas të dhënave që kanë, të dhënat gjatë regjistrimit të popullsisë mund të jenë keqpërdorur, madje edhe të dhënat në universitetet private thuhet të jenë keqpërdorur.

Organet publike, sipas ligjit, janë të obliguara që të kenë një zyrtarë për mbrojtjen e të dhënave personale, e zyrtarë të njëjtën duhet të ketë edhe institucionet apo kompanitë private të cilat kanë mbi 100 të punësuar./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë