VV: Lista e votuesve po deformohet

prev next
 
Prishtinë E diel, 29 Shtator 2013 18:16

Lëvizja Vetëvendosje thotë se marrëveshja e arritur në mes të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq përveç tjerash edhe po deformon Listën e votuesve të Kosovës.

Sipas VV-së Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke kaluar nëpër një proces, i cili po e rrënon pavarësinë institucionale.

“Nga institucion kushtetues e i pavarur që organizon e garanton zgjedhjet në të gjithë vendin, KQZ është kthyer në shkelësin kryesor të ligjit sidomos kur flitet për kërkesat e Beogradit”, thuhet në një komunikatë për media të VV-së.

Sipas kësaj lëvizje OSBE ka sjellë 40 mijë aplikacione nga Serbia në mënyrë të paligjshme, pas afatit të shtyrë dy herë dhe me dokumente të falsifikuara.

“Këto po synon t’i verifikojë dhe vlerësojë kundërligjshëm, duke pretenduar t’i përfshijë në listën e votuesve. Të dy këto hapa përmbushin vetëm synimet e Serbisë për të ndryshuar karakterin demografik të Kosovës, duke e trefishuar numrin e votuesve serbë”, thuhet më tutje në komunikatë.

VV thotë se gjatë ditës së djeshme zyrtarë nga OSBE-ja dhe hetues nga EULEX-i, pa dijeninë e KQZ-së dhe pa vendim apo autorizim paraprak, kanë marrë në duar procesin e verifikimit të aplikacioneve të ardhura nga Serbia, me arsyetimin se KQZ ka marrëveshje me OSBE.

“OSBE-ja deri në orët e vona ka “verifikuar dhe hetuar” mijëra aplikacione duke u përpjekur të korrigjojë paligjshëm aplikacionet dhe të ndikojë në aprovimin e tyre. Sekretariati i KQZ-së kishte verifikuar e vlerësuar të gjitha aplikacionet e sjella jashtëligjshëm nga Serbia përmes OSBE-së. Rezultati ishte se nga 40 mijë aplikacione vetëm rreth 3% mund të pranoheshin në listën e votuesve. Raporti me këto të dhëna nuk u bë publik, me arsyetimin që procesi duhet rishikuar dhe duhet gjetur hapësirë për pranimin e 40 mijë aplikacioneve”, thekson VV.

Vetëvendosje thotë se ndërhyrje tjetër është bërë edhe në rastin kur KQZ-ja ka pranuar ekstraktin nga Regjistri Civil, të cilit i është bashkëngjitur kundërligjshëm një listë e veçantë me rreth 12 mijë emra serbë, me kërkesën që të përfshihen në listën e votuesve. Lista është dorëzuar nga autoritetet serbe përmes OSBE-së në Agjencinë e Regjistrimit Civil.

 
 
 
comments powered by Disqus