Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 14.10.2019 09:10

​Veseli: Partitë tjera u frikësuan nga pakti kundër korrupsionit – qytetarët po e përkrahin anekënd Kosovës

Mitrovicë | 15/09/2019 17:28

Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, ka shpalosur sot një pjesë të programit të tij para grave të qytetit të Mitrovicës, me ç’rast potencoi paktin e luftës kundër korrupsionit, çështjen e legalizimit të pronave, dhe fuqizimin e rolit të grave nëpërmjet mbështetjes institucionale.

“Kam iniciuar paktin kundër korrupsionit dhe çështjen e legalizimit të pronave. Janë rreth 350 mijë prona, të cilat janë në Republikën e Kosovës të pa legalizuara dhe të cilat nuk kanë fletë poseduese. Është një kapital prej 10 miliardë eurosh që qëndron i mbyllur…Kjo do të jetë ajo që do të mundohem ta zgjidhë bashkërisht pas 6 tetorit, si dhe nuk ka lider në Republikën e Kosovës, as nuk ka parti, dje as sot, po ju jap fjalën as nesër, që i vesh gratë më shumë me petkun e përgjegjësisë në institucionet e vendit, se sa PDK-ja”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së tha se koncepti i partisë së tij është shumë i qartë, një Kosovë euroatlantike dhe perëndimore, si dhe marrja e drejtpërdrejtë me problemet me të cilat qytetarët janë ballafaquar deri tani.

Sipas tij, ai nuk mban inate personale me asnjërin që përpiqet për të mirën e vendit, ndërsa premtoi se do të vazhdojë paktin kundër korrupsionit së bashku me qytetarët, për shkak të një perspektive më të mirë për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.


"Unë do të vazhdoj paktin e luftës kundër korrupsionit, do të vazhdoj me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për t’i krijuar perspektivë jetës tonë, vendit dhe të rinjve tanë, në rend të parë duhet me ndal atë që quhet lakmi, ego, dhe kjo me fjalë politike quhet korrupsion dhe nepotizëm, të cilat duhet me i ndal”, theksoi Veseli.

Duke premtuar perspektivë më të mirë për të gjithë pas zgjedhjeve, sidomos për të rinjtë, Veseli kërkoi unitet për të mirën e shtetit të Kosovës dhe jo përçarje në mes vete, si dhe më shumë vota për gratë. /KosovaPress/

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress