Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 23.10.2019 05:47

​​Pacolli: AKR gjithmonë ka qenë në shërbim të vendit, do të jemi pjesë e qeverisë së re

Prishtinë | 04/10/2019 21:11

Aleanca Kosova e Re e ka përmbyllur sot fushatën parazgjedhore në qytetin e Kamenicës. Nga atje u tha se kjo parti do të jetë pjesë e qeverisë që do të dal nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, u shpreh i bindur se koalicioni pjesë e të cilit janë do të jetë në qeveri ë e ardhshme të vendit. Ai tha se si parti gjithmonë kanë qenë në shërbim të vendit.

"AKR gjithherë ka qenë në shërbim të shtetit, e po duket se partitë tjera ose lidershipi i partive të tjera i ka shfrytëzuar infrastrukturën e shtetit për interesa të veta dhe interesa të partive të tyre...Koalicioni ku ne marrim pjesë do të jetë me siguri pjesë e qeverisjes, punët e Kosovës duan dituri, duan ekspertizë, duan pajtim, duan urtësi. Koalicioni jonë do t'ia ofrojë Kosovës të gjitha këto cilësi, koalicioni jonë duhet të fillojë ndryshimin nga këtu, nga Kamenica", tha ai.

Ai tha se bllokimi i dialogut, izolimi i Kosovës e ka kthyer në një xhep të mbyllur edhe Kamenicën. Pacolli theksoi se AKR duke udhëhequr me Ministrinë e Punëve të Brendshme është partia e parë që i mundësoi lejet e qëndrimit për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen. Pacolli deklaroi se puna e tij në krye të ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë shumë e vështirë, për shkak të deklaratave të ndryshme të presidentit, kryeministrit e të kryetarit të Kuvendit. Ai u shpreh se liberalizimi nuk ndodhi dhe ishte ndëshkim për liderëve politik të Kosovës, të cilët, sipas tij, u bënë të padëgjueshëm e të cilët thanë se munden pa miqtë dhe pa Amerikën. Por, sipas tij nuk ndodhi ashtu.

Kurse, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferit Agani, tha se oferta gjithëpërfshirëse e partisë që e drejton është e mbështetur në dy shtylla qendrore, e të cilat sipas tij janë besimi i paskajshëm në Zot dhe atdhedashurinë sublime. Agani tha se konceptet si sinqeriteti, fjala, nderi, besa, besnikëria, trimëria, solidaritet, dashuria janë vlera që nuk guxojnë te harrohen.

Ai nga Kamenica potencoi nevojën që si lëndë mësimore nëpër shkolla të futet lënda e edukatës morale.

"Është e domosdoshme që në kurrikulat shkollore të parashihet lënda mësimore e edukatës morale, që do të përmbante postulatet themelore të besimit në Zotin e madhërishëm. Me këtë në mënyrë më të sigurt do të luftoheshin dhe parandaloheshin dukuritë negative si sëmundjet e varësisë, vetëvrasjet, trafikimi i njerëzve, prostitucioni, dhuna në familje, korrupsioni dhe nepotizmi, që si kancer po e blejnë trupin tonë shoqëror e shtetëror", tha ai.

Ai i ka ftuar qytetarët që të votojnë koalicionin "Bashkë për shtetin", pasi sipas tij është koalicioni që garanton zhvillim të Kosovës.

Kryetari i degës së AKR në Kamenicë dhe kandidati për deputet Fatmir Matoshi, tha se me ta në qeveri do të ketë më shumë projekte për Kamenicën dhe gjithë Kosovën. Matoshi që ka udhëhequr me ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmendi disa nga projektet që kanë realizuar në Komunën e Kamenicës.

"Po realizojmë 18 projekte të ndryshme në fushën e mjedisit dhe infrastrukturës në Kamenicë. Këtë mrekulli në këtë komunë të vogël mund ta bëjë vetëm AKR. Jo larg prej kësaj salle po përfundon renovimi i shtëpisë së kulturës dhe këtë projekt po e zhvillon po ashtu AKR", tha ai.

Ai tha se qytetarët e Kamenicës e kanë në dorë që të vendosin për vazhdimin e të gjitha projektet që i ka nisur ai sa ka qenë në krye të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Matoshi u shpreh se shkollat në Kamenicë nuk do të mbyllen, sipas tij qeveria e re e Kosovës ku do të jetë AKR nuk do ta lejojë këtë. Koalicioni Nisma-AKR-PD në zgjedhjet e 6 tetorit garon me numrin 122.

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress