Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 22.09.2019 08:33

​LDK së shpejti publikon programin qeverisës, Osmani tregon cilat janë shtyllat kryesore

Prishtinë | 12/09/2019 12:09

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tashmë ka përgatitur programin e saj qeverisës, me të cilin kandidatja për kryeministre , Vjosa Osmani synon të fitojë zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa brenda pak ditësh do të bëhet publik për qytetarët e Kosovës.

Kështu bëri të ditur vetë Osmani gjatë debatit "Talk the Talk" në Kolegjin Riinvest. Ajo tha se do të ndajnë një pjesë të fondeve për infrastrukturë, shëndetësi, e cila ndodhet në një situatë emergjente.

Sipas Osmanit, investimet në kapital njerëzor janë esenciale, teksa shtoi se një ndër gjërat që do të fokusohet nëse LDK merr qeverisjen e vendit, është fuqizimi ekonomik i gruas.

"Ne nuk do të mbahemi në mend për autostrada, por në arsim, familje dhe shëndetësi... Për të ndodhur të gjitha këto, ne e kemi parë si parakusht sundimin e ligjit", tha ajo.

Osmani tregoi edhe 5 shtyllat kryesore të programit, qeverisja dhe sundimi i ligjit, familja, punësimi, arsimi dhe shëndetësia, dhe e fundit është partneriteti ndërkombëtar.

"Ne e kemi një program me të cilin kemi punuar me Këshillin e ekspertëve tash 2 vjet. Shtyllat e programit arsimi, shëndetësia dhe sundimi i ligjit janë prioritetet tona. Programi është 200 faqe, dhe besoj se brenda 2-3 ditëve do të jetë i qasshëm në pika të shkurta dhe më gjerë për qytetarët. 5 shtyllat kryesore janë qeverisja dhe sundimi i ligjit, shtylla e dytë është familja, punësimi, arsimi dhe shëndetësia dhe e fundit është partneriteti ndërkombëtar", tha Osmani.

E një nga synimet kryesore të saj, Osmani tha të jetë familja. Duke u nisur edhe nga përvojat e saj si nënë, ajo tha se është me rëndësi që shteti të ndihmojë familjet.

"Kemi paraparë 100 euro për familjet që kanë fëmijë të vegjël deri në moshën 1- vjeçare, për familjet që kanë të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro. Dhe kostoja totale e kësaj është 18-20 milionë euro në vit, që është asfaltimi i një rruge. Është tepër e thjeshtë, pasi deri më tash shumica e parave kanë shkuar në afera korruptive. Çështja e dytë është pushimi prindëror, të dy prindërit kanë përgjegjësi të barabarta dhe për këtë duhet të kenë të drejta të barabarta. Çështje tjetër është blerja e banesave per herë të parë nga një çift, ku synojmë që përmes kredive me norme interesi prej 1 për qind, kthimi i kredisë të bëhet për 30-35 vjet", tha ajo.

Osmani tha se deri më sot nuk ka pasur asnjë interferencë nga ana e LDK-së në emërimin e ndonjë personi në ndonjë pozitë të gjyqësorit./KosovaPress/

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress