Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 14.10.2019 09:24

​​AAK-PSD prezantojnë programin, fokus zhvillimin ekonomik

Prishtinë | 11/09/2019 20:51

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë prezantuar sot programin e tyre qeverisës, ku u tha se programi 100% Kosovë ka në fokus zhvillimin ekonomik.

Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj tha se koalicioni në mes AAK-së dhe PSD-së ka emër dhe kauzë, e që është 100 % Kosovë.

“Ky koalicion ka edhe emër edhe kauzë, pra 100 përqind Kosovë është e vërtetë jemi Kosova, vijmë me përvojat tona jetësore, me dijen, me guximin, me përkushtimin dhe jo vetëm kaq, vijmë në momentumin e duhur për me e ec Kosovën, me i pri Kosovës. Shpikja e kauzave që i kemi dëgjuar si lufta kundër korrupsionit e atyre që e kanë krijuar korrupsionin është e ditur se është korruptim i asaj lufte, pra vetvetiu flet ardhja e të tjerëve si shpëtimtar me e çkap shtetin pas gjithë kontributit të tyre me i ndihmua ose me e kap shtetin. Po ashtu, është e paqëndrueshme mashtrimi që i bëhet Kosovës, pra nga një subjekt tjetër politik, gjoja në pastërtinë e në ideale, është vërtetuar që është më shumë agjendë personale dhe e cila nuk lenë hapësirë për plot të tjerë që dëshirojnë me e ndihmua vendin, pra gjithçka lidhet rreth individit. Duke qenë kështu për fat të mirë jemi sot komod në kuptimin se po kemi kauzë, jemi 100 përqind Kosova, jemi njerëz të Kosovës, e dimë pragun e shtëpisë”, tha ai.

Një përparësi e koalicionit, sipas Haradinajt është se nuk i humbin kohë Kosovës. Ai tha se meqë ka qenë në zbatim për plotë tema e dinë se si është mënyra më e saktë që duhet të pasojnë për të ecur ekonomia.

Ai tha se si individ shquhet për zbatim, ai tha se nuk dëshiron të marr merita se është mendimtar i zoti, por që si atribut të tij kryesore e sheh zbatueshmërinë. Haradinaj tha se në të kaluarën e kanë parë tek LDK-ja një pamundësi në zbatim, ndërsa tek PDK një drejtim të gabuar në zbatim.

“Unë i besoj një rritje ekonomike mbi 6 përqind në Kosovë, i besoj një mundësi të rritjes ekonomike mbi 6 përqind. Nuk jam eksperti më i mirë i ekonomisë por duke absorbuar krejt ato të arritura, krejt ato dije, të gjetura, të dhëna, kalkulime është reale. Dikush kish me thënë në çka e bazoni, e bazojmë në krejt një listë të veprimeve që i ndërmarrim, ndër to edhe zvogëlimi i informalitetit ta zëmë 4 përqind në vit. Unë besoj se mund ta bëjmë buxhetin 3 miliardë euro, pra në 2021 është e mundshme, mund të ecim në bazë të veprimeve që do t’i shpjegoj. Është e mundshme në Kosovë, pra në gjendjen tonë me krijua vende të reja të punës mes 25 dhe 30 mijë vende pune, pra mos me u frikësua me thënë edhe e mujshme me e bë. Është e mundshme me u rrit paga mesatare, tash ne e treguam se e kemi një ligj për paga në sektorin publik, fokusimi i ardhshëm do të jetë veç në sektor privat se në sektor publik me automatizëm kur lëviz rritja ajo i prek të gjithë”, tha ai.

Ai tha se mund t’i rrisin pagat në sektorin privat sikurse në sektorin publik, por kësaj sipas tij duhet t’i paraprijë një dialog publiko-privat. Haradinaj tha se i kanë mekanizmat siç është Forumi i Përbashkët me Odat dhe Asociacionet ekonomike dhe me e fuqizua Këshillin Kombëtar Ekonomik.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD tha se sa ka qenë kryeministër ka ndërmarrë disa veprime për të lehtësuar të bërit biznes në Kosovë. Ai tha se ekzistojnë disa kampanja që i sulmojnë bizneset, e që sipas tij këto duhet të ndalen nëse ka evazion fiskal, por sipas tij nuk është në rregull të shkohet në kompani derisa të japin ryshfet.

Haradinaj ka folur edhe për bordin e ankesave në ATK, ku tha se ky institucion nuk guxon të kthehet në një instrument të ndonjë partie. Ai tha se 51 përqind e këtij bordi duhet të jetë i jashtëm.

Ai tha se nuk kanë dhënë asnjëherë shpërblim për taksapaguesit më të mëdhenj në Kosovë, ku përmendi si mundësi dhënien e pasaportave diplomatike për tatimpaguesit e mëdhenj.

“Kisha pas dëshirë me e përjetua një herë mos me i pas problemin e Mogherinit, të dialogut, të Hashimit, e të ndarjes, se po na hyn republika e Dodikut, kisha pas dëshirë që të gjithë ne me iu kthye vetvetes, për shembull zhvillimit ekonomik, arsimit që kemi plotë, shëndetësia, me pas sigurim shëndetësor. Edhe unë jam për vlerë të re, më pak tatim më shumë punësim, jam për zhvillim, por nuk jam për mohim të të drejtës në jetë të barabartë të qytetarëve të vendit tim, jam për përkujdesje sociale, jam për shtesat për fëmijë, jam për përkujdesje për pleqtë”, tha ai.

Pretendenti edhe për një mandat në krye të qeverisë së Kosovës tha se ia vlen me i kalua të gjitha peripecitë për të fituar, e që sipas tij kjo ia vlen për punët që qytetarët presin t’i përfundojnë prej tyre.

Për programin e zhvillimit ekonomik ka folur kandidati për deputet Visar Ymeri, i cili tha se programi i tyre është program që në fokus e ka qytetarin.

Ai tha se për një zhvillim ekonomik është e rëndësishme zhvillimi i industrisë, sektorit privat dhe ndërmarrjeve të cilat gjenerojnë vende pune dhe zhvillim e rritje ekonomike.

“Koalicioni 100 përqind do ta themeloj fondin zhvillimor, i cili do të jetë në dispozicion të ndërmarrjeve e bizneseve të Republikës së Kosovës për ta përdorur atë për t’i rritur kapacitetet dhe vendet e punës, ta rrisin cilësinë e produkteve ose shërbimeve të tyre dhe konkurrueshmërinë e tyre nëpër tregjet e rajonit dhe BE-së. Ky fond do të jetë në dispozicion për ndërmarrësit kosovar, atyre që aktualisht janë në afarim dhe bizneseve start-up dhe do të sigurojë një qasje të sigurt dhe të përballueshme në kapital për këto ndërmarrje. Fondi do të financohet nga paratë publike, nga fondi i privatizimit dhe shitja e letrave të borxhit që do t’i lëshojë fondi”, tha ai.

Ai tha se ekonomia e Kosovës ka nevojë për furnizim me energji elektrike i cili është dhe shërben si infrastrukturë e përparësi krahasuese për ndërmarrjet në përpjekjet e tyre për zhvillimin e tyre ekonomik. Dizajni energjetik, Ymeri tha se bazohet në disa kritere, e para sipas tij është qëndrueshmëria, përballueshmëria financiare mjedisore e sistemit, efiçienca, konsumi i racionalizuar i energjisë elektrike, qasja në energji dhe interesi ekonomik.

Ymeri tha se me programin e tyre përqendrohen në burimet e ripërtëritshme të energjisë sikurse era dhe dielli.

Ai tha se për të vazhduar me reformën ekonomike do ta përmbyllin draftimin e ligjeve që sigurojnë rregull në marrëdhëniet tregtare duke aprovuar kodin tregtar. Sipas tij, ky kod do ta rregullojë tregtinë e jashtme dhe të brendshme. 

Ymeri është zotuar se do të fuqizojnë rolin e sindikatave të punëtorëve. Një zotim tjetër Ymeri e ka dhënë se do ta dërgojnë deri në fund rezolutën për pagën minimale, ai tha se në momentin që do të themelohet qeveria Haradinaj do të zbatohet për të gjithë të punësuarit në Kosovë.

Pjesë e programit qeverisës AAK-PSD është edhe krijimi i kushteve më të mira për fëmijët në shkollim. Po ashtu, u tha se kujdes i veçantë do t’i kushtohet shëndetësisë.

Në këtë prezantim të programit janë përmendur edhe disa nga punët që janë kryer gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, ku është përmendur krijimi i ushtrisë, raporton KosovaPress./M.Duraku/

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress