Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 19.10.2017 05:30

​Nisma në Malishevë mobilizohet për fitore të thellë më 22 tetor

Prishtinë | 12/10/2017 21:21

Interesi i rinisë dhe qytetarëve të Malishevës është fitorja e Nismës për Kosovën dhe kandidatit të saj për kryetar komune Ragip Begaj pa balotazh në zgjedhjet e 22 tetorit, duke afirmuar vizionin e kësaj partie për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Kështu është thënë sonte në tubimin zgjedhor të Nisma për Kosovën në Malishevë.

Deputeti i Nisma për Kosovën, Enver Hoti, ka thënë se janë mbledhur në këtë tubim për të shtuar mobilizimin, në mënyrë që kandidati i kësaj partie për Malishevë Ragip Begaj të fitojë pa balotazh në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ai tha se Nisma nuk i mashtron qytetarët, por i respekton ata me qëllim të unifikimit dhe krijimit të perspektivës për të ardhmen, duke investuar në Malishevë në të gjitha fushat, dhe se një gjë e tillë mund të arrihet vetëm me Ragip Begajn në krye të kësaj komune.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se Malisheva ishte frymëzuese e frymës socialdemokrate, e cila ka munguar për një kohë të gjatë për të menaxhuar qeverisjen qendrore dhe nivelin lokal.

Ai tha se rinia do të ketë një vend të veçantë në kuadër të programit të Nisma, dhe se një kujdes të tillë nuk e ofrojnë asnjëra nga partitë e tjera.

Edhe Bytyqi ka kërkuar mobilizim të përgjithshëm, në mënyrë që Nisma të fitojë betejën në Malishevë, ndërsa u shpreh optimist se do të shënojnë fitore edhe në Drenas.

Arbresha Krasniqi, bartëse e listës për asamblistë në komunën e Malishevës, tha se rinia e Nismës ka punuar vazhdimisht, në mënyrë që kjo parti të jetë zëri i arsyes dhe logjikës për të shënuar fitore të pashmangshme më 22 tetor.   

Kryetari aktual, njëherësh kandidati për kryetar të Malishevës nga Nisma për Kosovën, Ragip Begaj, ka thënë koncepti i Nismës është për të qenë gjithmonë në shërbim të vendit dhe se Malisheva do të përkujtohet për qeverisjen katërvjeçare për realizimin e shumë projekteve të suksesshme.

Ai i ka bërë thirrje elektoratit që ta mbështesin Nismën, pasi që kjo parti punon për vlera të mirëfillta për të mirën e tyre, përmes investimeve dhe projekteve të shumta, si pjesë e besimit që i kanë dhënë qytetarët e komunës së Malishevës. 

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se fitoret e deritanishme të kësaj partie kanë implementuar rezultatet e angazhimit të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Nisma për Kosovën.

Ai ka vlerësuar pozitivisht qeverisjen e deritanishme të Ragip Begajt, i cili ka punuar për të mirën e qytetarëve, duke thënë se çdo fshat ka të përfunduar infrastrukturën rrugore dhe ka bërë ndryshime të mëdha pozitive në komunë.

Limaj tha se e ardhmja e qytetarëve të Malishevës është e sigurt dhe se tash është koha për punësime për të mbështetur të rinjtë dhe ata që dëshirojnë të merren me bujqësi, ndërkohë që rezultatet e para do të shihen shumë shpejt./KosovaPress/  

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress