Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 26.06.2019 06:55

​Shqipëria destinacion turistik, publikohet në Holandë guida e parë turistike

| 01/06/2019 15:04

Jo shumë kohë më parë, Shqipëria ishte një pjesë e panjohur e Evropës, e mbyllur nga bota e jashtme, por tani është një destinacion turistik me vende të bukura e të papërshkrueshme, njerëz mikpritës dhe monumente e kulturës.

Këto janë disa nga fjalët që përshkruhen në guidën e parë turistike për Shqipërinë e shkruar në gjuhën holandeze.

E përgatitur nga Yvonne van Osch, e specializuar në art, kulturë, shkencë dhe udhëtime, kopja e parë e guidës turistike iu dorëzua edhe ambasadores së Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi, gjatë një aktiviteti që u zhvillua në librarinë Pied a Terre, në Amsterdam.

Në guidë autorja rrëfen me shumë pasion dhe dashuri arsyet se pse duhet vizituar Shqipëria nga veriu në jug, si një ftesë për qytetarët e saj holandezë.

“Ju mund të shijoni ecje të mrekullueshme në Alpet Shqiptare. Gjithashtu në Peshkopi, është e bukur të ecësh në ultësirën e Korabit (2753 metra) dhe të shikosh burimet e tij. Ose në jug në luginën e Vjosës pranë Përmetit. Një udhëtim me familjen do të jetë një eksperiencë e paharrueshme, po ashtu edhe për kulinarinë. Kushdo që është i njohur me historinë e këtij vendi në shumë aspekte, do të mbetet i habitur nga mikpritja dhe dashamirësia e këtij populli”, thekson autorja në guidë.

Duke e cilësuar një bukuri të papërshkrueshme peizazhin e paprekur shqiptar të rrethuar me pyje të dendura dhe livadhet alpine mes madhështisë misterioze të Alpeve Shqiptare, ajo shprehet se “ekziston edhe një shumëllojshmëri e pasur e mundësive të plazhit, nga riviera luksoze në jug, deri tek thjeshtësia e këndshme në veri. Qytetet dhe fshatrat, ndajnë bujarisht thesaret e tyre historike”, përshkruan autorja e kësaj guide.

Ndërsa renditen disa arsye se përse duhet vizituar Shqipëria, në guidë përshkruhen edhe qytetet dhe destinacionet që mund të eksplorohen në Shqipëri, që nga Thethi, Valbona, Parku Divjakë-Karavasta, Voskopoja, Syri i Kaltër, Përmeti, Kruja, Bylisi, Tirana si dhe jugu i vendit me plazhet mahnitëse.

“Ky vend që të lë pa frymë, vetëm duhet që të zbulohet nga të gjithë”, thekson autorja e kësaj guide.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress