Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 21.07.2019 09:48

​Kosovarët e “varfër”, rreth 45 mijë qytetarë në vit shkojnë në Turqi

Prishtinë | 07/07/2019 13:01

Referuar statistikave të vitit të kaluar, rreth 45 mijë kosovarë vizitojnë Turqinë në vit, e që në krahasim me vendet e tjera të rajonit, del të jetë në shkallë më të lartë. Sipas kompanive të udhëtimit në Kosovë, kjo përqindja është shumëfishuar në këtë vit, duke u bazuar edhe në rezervimet që kanë filluar qysh nga muaji janar i këtij viti.

Ani pse shkalla e varfërisë në Kosovë është e lartë, sipas kompanive, një gjë e tillë nuk vërehet shumë kur krahasohet me udhëtimet. Por ndryshe thonë qytetarët. Në vend se të mendojnë për pushimet, ata thonë se kanë halle të tjera.

Agim Mehmeti thotë se në Kosovë nuk ka të ardhura të mjaftueshme, që të kenë mundësi të shkojnë diku për pushime.

I frustruar me sistemin politik në vend, Hysen Hasani thotë se ka hall tjetër, në vend se të mendojë se ku do të kalojë pushimet.

E Arben Berisha thotë se pushimet do t’i kalojë në Shqipëri ose Turqi, megjithatë sipas tij, jo të gjithë kanë mundësinë që të zgjedhin vendin se ku do të shkojnë për shkak të kostos së lartë të udhëtimit.

Një gjë të tillë e thotë edhe Fahrije Krasniqi.

Por ndryshe thonë kompanitë e udhëtimeve në Kosovë. Sipas Fidane Ymerit, menaxhere e agjencisë së udhëtimeve, Fibula Travel, interesimet për rezervime kanë filluar qysh nga muaji janar.

Agjencia e udhëtimeve ‘Fibula’, këtë vit si ofertë të re ka edhe Egjiptin. Ymeri thotë se numrin e madh të udhëtimeve e argumentojnë fluturimet që kanë gjatë javës.

Një gjë të tillë e thotë edhe Fisnik Dragusha, drejtor menaxhues në ‘Vas Tour Travel’, i cili për KosovaPress, thotë se kanë qenë shumë aktiv që nga janari, për të udhërrëfyer klientët të cilët rezervojnë në konceptin e hershëm, për shkak të zbritjeve që mund të përfitojnë.

Sipas Dragushës, gjatë këtij viti vërehet një ngritje prej më shumë se 100 përqind të rezervimeve, krahasuar me vitet e kaluara.

Sipas tij, gjendja ekonomike në Kosovë është po e ngjashme me Maqedoninë ose Shqipërinë, mirëpo në raport me statistikat, 45 mijë kosovarë në Antalya në vit, maqedonasit afër 22 mijë dhe qytetarët e Shqipërisë afro 30 mijë, për çka thotë se kjo tregon që për kosovarët nuk është pengesë fare buxheti që kanë./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress