Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Premte, 06.12.2019 10:28

​“Welcome and respect”, publikohet slogani i mikpritjes për lojtarët dhe tifozët anglezë

Prishtinë | 12/11/2019 15:11

Tifo-grupi “Dardanët” sot kanë mbajtur konferencë për media para dy ndeshjeve tejet të rëndësishme të Kosovës, asaj ndaj Republikës së Çekisë dhe Anglisë.

“Dardanët” janë shprehur të gatshëm për ndeshjen ndaj Anglisë të cilën Kosova e zhvillon në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, dhe kanë premtuar një pritje madhështore për lojtarët si dhe tifozët të cilët do të vijnë në Prishtinë.

Kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha në këtë konferencë tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje dhe se slogani zyrtar duhet të dalë nga ky tifo-grup.

"Mendoj që prej këtu duhet me dalë slogani për pritjen e anglezëve. Sepse ne e kemi marrë një iniciativë që përpos aspektit sportiv që është një ndeshje jetike për Kosovën, ndeshja në Plzen, mendoj që shtetërore dhe popullore është pritja e shtetit anglez dhe lojtarëve anglezë këtu. Ne e kemi organizuar edhe bashkarësisht kemi vendosur që me nxjerrë një slogan zyrtar prej ‘Dardanëve’, jo prej grupeve të tjera edhe pse nuk na pengojnë ato mirëpo duhet me qenë direkt prej neve që jemi marrë me ketë çështje prej fillimit”, tha Berisha.

I pyetur nëse ndonjë rezultat negativ ndaj Çekisë do ta zbehte rëndësinë e ndeshjes ndaj Anglisë, Berisha u shpreh se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi që Anglia është kombëtarja më e madhe botërore që po luan në Prishtinë.

“Këtu janë diku rreth 12 mijë shqiptarë që kemi me tregu kulturën tonë ndaj të gjithëve, cilido shtet që ka ardhur këtu. Iu kemi shënuar nga 2-3 gola që besa edhe 4 i kemi përcjellë me duartrokitje të gjithë. E vetmja mënyrë se si të poshtërosh një ekip është ta mposhtësh nga 2:0, 3:0, për pjesën tjetër ja lëmë kulturës shqiptare”, shtoi Berisha.

Kordinatori i eventeve kulturore në Komunën e Prishtinës, Ardian Berisha në këtë konferencë bëri të ditur se Komuna e Prishtinës do të transmetojë dy ndeshjet e Kosovës në amfiteatrin e qytetit, si dhe aktivitete të tjera për mikpritjen e tifozëve anglezë.

“Komuna e Prishtinës në këtë rast bashkëpunon me tifo-grupin ‘Dardanët’, me Federatën e Futbollit të Kosovës, fillimisht për transferimin e ndeshjes Çeki-Kosovë e cila do të ndodhë në amfiteatrin e qytetit dhe e cila e ka një vlerë të njëjtë me mikpritjen e tifozëve dhe lojtarëve anglezë në qytetin tonë respektivisht në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Pra duhet të dimë që dy këto gjëra janë të rëndësishme dhe baraspeshojnë njëjtë, si ndeshja jetike në Plzen të Çekisë kundër Çekisë, ku shpresojmë që kombëtarja jonë të fitojë gjithashtu edhe mikpritja e tifozëve dhe lojtarëve anglezë siç e ceka më herët”, u shpreh Berisha.

Numri i tifozëve anglezë që do të vijnë në Kosovë pritet të jetë i lartë, pasi raportohet se 95% e dhomave të hoteleve në Prishtinë janë të rezervuara për këto ditë.

Fatmir Spahiu, anëtari i tifo-grupit “Dardanët” u shpreh se përpos mikpritjes ndaj lojtarëve anglezë, duhet t’i përkrahim sa më shumë futbollistët e Kosovës. Ai i cilësoi djelmoshat e Kosovës si djemtë më të mirë që ka ky vend.

Ndërkaq anëtarja e tifo-grupit të femrave “Dardanet”, Vjosa Berisha shpalosi detaje rreth sloganit zyrtar për këto dy ndeshje. Gjithashtu ajo bëri të ditur se vashat e Dardaneve do të jenë në një numër më të madh në stadium për këtë ndeshje.

“‘Welcome and respect’ është slogani i mikpritjes dhe i respektit të Anglisë që do të vijë këtu, këtu përfshihen shumë aspekte. Normalisht mikpritja që është virtyt tradicional i yni në veçanti për tifozët e Anglisë të cilët kanë bërë shumë, është vendlindja e futbollit, është kombëtarja më e madhe që jemi duke e pritur në Kosovë dhe vendi ynë ka marrë shumë përkrahje prej tyre jo vetëm në aspektet tjera por edhe për pavarësinë e Kosovës”, tha Berisha.

Kosova të enjten zhvillon ndeshjen si mysafir ndaj Çekisë, ndërsa të dielën e pret Anglinë në Prishtinë./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress