Koordinatori i organizimeve kulturore, artistike dhe sportive i Komunës së Prishtinës, Ardian Berisha para fillimit të ndeshje u shpreh se ka qenë një interesim i kënaqshëm nga qytetarët për të përcjellur ndeshjen në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”.

“Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Dardanët, Federatën e Futbollit të Kosovës, dhe disa kompani private kanë organizuar, shikimin e ndeshjes në mes të Çekisë dhe Kosovës... Po është numër i konsiderueshëm duke marrë parasysh edhe moti është pak i ftohtë, duke menduar them pse nuk e kemi bo një hapësi më të mbylltë, si për shembull në sallën e Pallatin të Rinisë, por çdo herë që po organizojmë aktivitete apo evenimente të tilla qoftë kulturore, apo sportive po mësojmë dhe shpresojmë që lojët e ardhshme të tilla në këtë mot të ftohtë t’i organizojmë në hapësira të brendshme. Sidoqoftë prapë se prapë është një numër i konsiderueshëm që qytetarët po mblidhen së bashku në sheshet tona, për ta përkrahur kombëtaren për ta përkrahur kombëtaren të cilën na kanë zbardh fytyrën kohëve të fundit”, u shpreh Berisha.
Qytetari nga Podujeva, Fidan Vuthaj pas përfundimit të pjesës së parë shpresonte ende në një rezultat pozitiv për kombëtaren e Kosovës.

“Atmosfera perfekt, gjithçka është në rregull, jemi në përkrahje të kombëtares tonë, reprezentacionit tonë, djelmoshave ma të mirë që i kemi, loja është perfekt, jemi duke u kënaq. Gjithqysh, gjithqysh një gol dy nuk është problem vetëm fitore duam nuk duam asgjë tjetër”, tha Vuthaj.
Të njëjtin mendim ndante edhe Qëndrim Vuthaj, i cili nuk dyshonte në fitoren e Kosovës ndaj Çekisë, mirëpo në fund u pajtua me humbje e kombëtares së Kosovës.

“Atmosfera është shumë e mirë, pres që pjesa e dytë me qenë shumë më e ndezur se pjesa e parë. Filloj edhe loja hajde Kosovë. Shpresoj që do të fitojmë. Gjithmonë këtë mendim e kam pasur, nuk kam dyshuar kurrë as nuk do të dyshoj”, shtoi Vuthaj për KosovaPress.
Pas ndeshjes, e cila përfundoi me humbjen e Kosovës, qytetarët nuk ishin të dëshpëruar me rezultatin duke parë performancën e treguar nga Dardanët në “Doosen Arena”.
Reshat Proka u shpreh se kjo humbje nuk e zbeh aspak gjasat e Kosovës për të qenë pjesë e kampionatit evropian. Sipas tij Kosova do të jetë në kampionatin Evropian “Euro 2020” falë Ligës së Kombeve.

“Rezultati është shumë i favorshëm, Kosova sonte nuk pat fati luajti një lojë si e ka merituar me shumë lëndime, me shumë sfida. Është shumë e mirë. E kemi një shanse në Ligën Ballkanike, Kosova shumë e mirë”, tha
Qytetari nga Zvicra, Myftar Rexhaj u shpreh se kjo humbje nuk është shumë e thellë për Kosovën. Ai tha se do të vazhdojë ta mbështes kombëtaren e Kosovës edhe në ndeshjet e ardhshme, duke uruar që një ditë ta shoh Kosovën në ndonjë kampionat evropian.

“Unë jam simpantizues i madh i tyre. Sot u zhgënjyem por me një humbje jo të thellë ashtu. Unë posaçërisht kam pritur se do të humbim më shumë, por 2:1, nuk e shoh një humbje të madhe. Uroj që në ndeshjet tjetër ta fitojnë dhe me ec përpara. Të them të drejtën unë jetoj në Zvicër, prej atje besoj që do ta përkrahi me familjen, tash kësaj here kam qëlluar spontanisht këtu, kam ardhur me familje në pushime dhe thash pse mos të jem këtu në shesh dhe ti përkrah ata djem të zot që na bëjnë të ndjehemi krenar gjithë Kosovën”, tha Rexhaj.
Kujtojmë që Kosova me këtë humbje, humbi gjasat për një kualifikim të mundshëm në kampionatin Evropian “Euro 2020”, mirëpo mbetet gjallë shpresa që atje të kualifikohet në kudër të Ligës së Kombeve ku në gjysmëfinale do të ndeshet me Maqedoninë./KosovaPress/
Kjo web faqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress - COPYRIGHT
2002-2019