Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 20.01.2020 02:33

​KOK-u shënon 5 vjetorin e pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar

Prishtinë | 09/12/2019 21:48

Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar sot ditën më historike të sportit të Kosovës, e cila theu izolimin shumëvjeçarë të sportit tonë.

9 dhjetori 2014 do të mbetet përherë në histori të sportit tonë, datë kjo që shënon anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Me këtë rast, KOK ka organizuar Gala Mbrëmjen me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në KON.

Për ta nderuar KOK-un, në këtë ditë të veçantë, në këtë galambrëmje të pranishëm kanë qenë president të shumtë të Komiteteve Olimpike si Krisztian Kulcsar, president i Komitetit Olimpik të Hungarisë, Mihail Claudio Covaliu, president i KO të Rumanisë, Bogdan Gabrovec, president i KO të Sllovenisë, Vasil Tupurkovski, president i KO-ut të Maqedonisë së Veriut, Dusan Simonoviq, president i KO-ut të Malit të Zi, Viron Bezhani, president i KO-ut të Shqipërisë.

Një mysafir tjetër i lartë ishte edhe Emanuel Macedo de Medeiros, president i Aleancës Globale të Integritetit Sportiv (SIGA) i shoqëruar nga Clare Disdale. Krahas tyre, të pranishëm kanë qenë edhe figurat më të larta politike të shtetit tonë, si dhe ato nga sporti, arti e kultura. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani e hapi gala mbrëmjen duke i uruar mirëseardhje mysafirëve si dhe duke i listuar të arriturat e institucionit që ai udhëheq në këto pesë vite.

"Pranimi i KOK-ut në KON hapi rrugën për të gjitha federatat kombëtare të pranohen në federatat ndërkombëtare përkatëse. Për këto 5 vite sportistët e Kosovës kanë arritur 11 medalje në arenën ndërkombëtare. Në KOK për këto pesë vite me përkushtim punuam për planet strategjike. KOK edhe pse jo organizatë joprofitabile për gjatë 5 vite kanë gjenerues mjete të mjaftueshme, të cilët janë shpërndarë për sportistë dhe organizata sportive. KOK në bashkëpunim me federata ndërkombëtare, ka organizuar kurse të ndryshme për trajner", tha ndër tjerash Hasani.

I pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në këtë gala mbrëmje u shpreh se në këto pesë vite Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë një punë të mrekullueshme në këto pesë vite që nga pranimi në KON. "Për mu është një moment krenar dhe ju falënderoj të gjithëve. Kjo dëshmon që ne të gjithë jemi të bashkuar për sportin, ashtu siç e donë edhe shpirti sportiv. Sporti vitet e fundit është ambasadori më i mirë i Kosovës në vitet e fundit. KOK-u është duke bërë një punë të mrekullueshme së bashku me të gjithë komitetin sportiv. Jam i lumtur që gjatë qeverisjes sonë kemi arrit me zbatuar Ligjin për sponsorizim, i cili është e arritura më e madhe për sportin në Kosovës. Ju bëjë thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi që të mos kursejnë për sportin. Jam i bindur që Kosova duhet ta përkrahë sportin", u shpreh Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu pranoi një mirënjohje nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës. Në emër të presidentëve të Komiteteve Olimpike ndërkombëtare që ishin të pranishëm në këtë ceremoni foli, Krisztian Kulcsar, president i Komitetit Olimpik të Hungarisë, i cili u shpreh tejet i lumtur që ishte pjesë e kësaj ceremonie.

"Jam shumë i privilegjuar që jam këtu të kremtoj 5-vjetorin e pranimit të KOK-ut në KOM. Ju duhet të jeni krenar me arritjet tua, veçanërisht me suksesin e Majlinda Kelmendit. Urime edhe një herë", tha shkurtimisht ai.

Kujtojmë që Komiteti Olimpik i Kosovës gjithashtu gjatë kësaj ceremonie, ka shpërndarë mirënjohje për personalitete të ndryshme të sportit në vend. KOK u anëtarësua në KON në Sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim ky që iu kishte hapur më pas rrugën federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare. Në këto pesë vjet, KOK-u ka fituar 11 medalje, prej tyre gjashtë të arta, dy të argjendta dhe tri të bronzta në Lojërat e ndryshme ndërkombëtare, ndërsa veçohet medalja e artë Olimpike e Majlinda Kelmendit, e cila bëri që Kosova të hyjë në mesin e 100 shteteve me medalje të artë Olimpike, raporton KosovaPress.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress