Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 20.09.2017 04:28

​KOK-u ndan bursa olimpike për 19 sportistë, ja sa do të përfitojnë

Prishtinë | 13/09/2017 16:34

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka bërë të ditur vendimet e KOK-ut, të marruar në mbledhjen e fundit te Bordit Ekzekutiv.

I pari i KOK-ut, për KosovaPress, ka konfirmuar se një nga vendimet e KOK-ut është nënshkrimi i kontratave me 19 sportistë të cilët do të fitojnë bursa olimpike, për ‘Tokyo 2020’.

Sipas Hasanit, të gjithë këta sportistë gjatë tre viteve të ardhshme do të përfitojnë një shumë të caktuar financiare, e cila do të jetë në shërbim të performancës  së tyre më të mirë dhe fitimit të normës olimpike. Data e nënshkrimit të këtyre kontratave do të jetë 21 tetori 2017.

“Kam kënaqësinë të ju njoftoj se Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës në mbledhjen e datës 12 shtator 2017 ka marrë vendime të shumta, por dy do t’i veçoja me këtë rast, vendimi që të bëhet nënshkrimi i kontratës me 19 sportistë të cilët do të jenë përfitues të bursave olimpike ‘Tokyo 2020’. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme sepse këto bursa jepen për sportistët vërtetë në të cilët llogarisim që janë më të mirët në Kosovë, dhe kjo përzgjedhje është bërë në bashkëpunim të ngushtë me federatat përkatëse nga vijnë këta sportistë”, ka thënë Hasani.

Ai gjithashtu ka njoftuar se KOK-u ka fituar një grant në vlerë prej 21 mijë euro nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), dhe Komiteti Olimpik Evropian (EOC), për federatat të cilat zhvillojnë aktivitete të shumta, dhe të cilat arrijnë suksese, dhe për ato federata të cilat kanë më shumë nevojë për këto fonde.

Federata e xhudos, karatesë, dhe boksit kanë përfituar nga 2000 euro, atletika, noti dhe ping-pogu kanë përfituar nga 1500 euro, ndërsa dhjetë federata të tjera kanë përfituar nga 1000 euro.

“Po ashtu, dua të ju informojë se Komiteti Olimpik i Kosovës, ka përfituar një grant i cili vjen si rezultat i vizitës së përfaqësuesit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Komitetit Evropian, të cilët gjatë muajit korrik qëndruan për tri ditë këtu në Kosovë dhe pasi panë  një angazhim të përkushtuar të stafit, të Bordit Ekzekutiv në funksion të ngritjes së integritetit dhe kredibilitetit të Komitetit Olimpik të Kosovës, na ofruan një grant në vlerën e 21 mijë euro i cili u dedikohet federatave  të cilat janë me rezultate, me medalje nga kampionatet evropiane, botërore dhe olimpike”, theksoi Hasani.

Numri një i KOK-ut e ka vlerësuar këtë shumë si simbolike, por shumë të nevojshme, sepse sipas tij secila federatë po ballafaqohet me probleme financiare të cilat vijnë edhe si rezultat i zgjatjes së themelimit të institucioneve të Kosovës, si Parlamenti dhe Qeveria, gjë e cila ka ndikuar edhe me mos-pjesëmarrje në shumë aktivitete, si kampionatet evropiane dhe botërore. /KosovaPress/


 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress