Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 18.09.2019 04:38

​Feronikeli e Llapi bindës, Prishtina barazon me Flamurtarin

Prishtinë | 17/08/2019 20:49

Ka nisur edicioni i ri i garave në Superligën e Kosovës në futboll, me tri ndeshje të zhvilluara sot.

Në derbin e kryeqytetit, ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës, i cili u zhvillua në stadiumin e Flamurtarit, i pranishëm ka qenë edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili ka bërë përurimin e platformës digjitale të garave, si dhe nga aty ka uruar të gjitha klubet për fillimin e kampionatit të ri, duke iu dëshiruar edicion të mbarë dhe suksese.

Qysh në ndeshjet e para të këtij edicioni janë shfaqur lojëra interesante. Golin e parë të këtij kampionati e ka shënuar futbollisti i Flamurtarit, Agron Bruqi dhe atë qysh në minutën e dytë në ndeshjen kundër Prishtinës.

Megjithatë, ky gol nuk doli të jetë i mjaftueshëm për fitoren e kuqezinjve, ngase në minutën e 15-të shifrat i barazoi Ahmet Januzi, me gjuajtje jashtë vijës së 16-metërshit.

Prishtina pati disa raste të mira në pjesën e dytë, ku një herë qëlloi edhe tërthorësen dhe në një rast tjetër golin Kreshnik Ukës ia mohoi Lorik Maxhuni, duke e hequr topin nga vija fatale.

Në anën tjetër, edhe kuqezinjtë patën disa mundësi dhe madje e qëlluan edhe tërthorësen.

Ndërkohë, kampioni në fuqi, Feronikeli e ka nisur me këmbë të mbarë edicionin e ri duke shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me skuadrën e Drenicës, me rezultat 4:1.

Kastriot Rexha me dy gola, Jean Carioca dhe Besmir Bojku me nga një gol u përkujdesën për nismë me fitore të kampionëve. Golin e vetëm për Drenicën e realizoi Diar Prokshi.

Me të njëjtin rezultat fitores para tifozëve të vet iu gëzua edhe Llapi, e cila e mposhti skuadrën e rikthyer në elitë Vushtrrinë. 

Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Jasmin Raboshtës, por më pas llapjanët e përmbysën rezultatin me dy gola të Enis Zabërgjës dhe nga një gol të Arbnor Ramadanit e Labinot Osmanit.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress