Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 23.02.2019 02:58

​Rasti i ‘gylenistëve’, prokuroria do t’i shqyrtoi të gjeturat e komisionit hetimor

Prishtinë | 09/02/2019 14:18

Dy institucionet kryesore të sigurisë, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës po konsiderohen fajtore për depërtimin e shtetasve turq nga Kosova, i cili ndodhi në vitin e kaluar. Në raportin që komisioni hetimor i ka dërguar Prokurorisë Speciale, kërkohet që të merren parasysh të gjitha shkeljet evidente. Ndërsa këta të fundit, për KosovaPress kanë konfirmuar se i gjithë raporti i dorëzuar do të shqyrtohet dhe t’i bashkëngjitet hetimeve paraprake.

Lëvizja Vetëvendosje shprehet se pas dorëzimit të raportit të komisionit hetimor në prokurori, këta të fundit duhet të marrin vendime për dënime të merituara për të gjithë ata që e kanë dëmtuar vendin.

Deputeti nga radhët e kësaj partie, Xhelal Sveçla thotë se përgjegjësit kryesor që kanë marr pjesë në këtë shkelje janë AKI dhe Policia e Kosovës.

Ndërsa, konsideron se ka tendencë për të mbuluar këtë çfarë ka ndodhur. Ai tha se deputetë të pushtetit në komisionin hetimor janë munduar të parandalojnë zbulimin e fajtorëve që janë të përfshirë në depërtimin e shtetasve turq.

Kurse, sa i për ketë angazhimit të ekspertit të jashtëm, Sveçla shtoi se ai ka qenë nënshtetas Amerikan dhe ka ardhur përmes Këshillit të Evropës për të analizuar materialin nga aspekti juridik.

Ndryshe nga deputeti opozitar, shprehet deputeti nga radhët e PDK-së, njëherësh anëtari i këtij komisioni hetimor, Hajdar Beqa.

Ai për KosovaPress thotë se raporti i dorëzuar në Prokurorin Speciale nuk i për ketë komisionit hetimor, por vetëm i dy deputetëve, sepse komisionit i është kaluar mandati që dy muaj.

Sipas tij, kryetari dhe nënkryetari i këtij komisioni janë përgjegjësit kryesor për dështimin e këtij komisioni, pasi nuk kanë ditur të menaxhojnë. Ndërsa konsideron se përmes kësaj ata kanë bërë shkelje ligjore.

Raportin e dy anëtarëve të komisionit hetimor, Prokuroria Speciale e ka konfirmuar se do ta shqyrtojë, pasi siç thonë ata, ai i është bashkangjitur rastit të mëparshëm.

Prokurori Special, Sylë Hoxha për KosovaPress ka thënë se rasti ende është në fazën e grumbullimit të provave. Pavarësisht kësaj, ai është shprehur se do të vlerësojnë raportin komisionit hetimor, maksimalisht dhe të shohin se çka mund të kontribuoi për rastin dhe se nëse ka prova të prekshme, ata do t’i marrin. Ndërsa, theksoi se brenda disa muajve lënda do të zgjidhet. 

Ndërsa, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj u shpreh se Prokuroria Speciale duhet të shqyrtoi të gjitha materialet që i dorëzohen, përfshi edhe raportin e komisionit hetimor që të zbardhin të vërtetën në këtë rast.

Sipas tij, prokuroria duhet të ishte më efektive. Ai konsideron se zvarritja e kësaj lënde ka ndodhur për shkak se hetimet nuk janë konsideruar me prioritet dhe njëkohësisht nuk janë trajtuar në mënyrë të pavarur.

Në prill të vitit 2018, gjashtë shtetas turq janë depërtuar nga Kosova si arsye se janë pjesë e organizatës së Fetullah Gylen-it. Organizatë kjo e konsideruar terroriste nga pushteti në Turqi. Kurse, për këtë rast ishin shkarkuar ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi. /KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress