Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Diel, 08.12.2019 07:41

​Zbulohet ilaçi kundër sëmundjes më vdekjeprurëse të ditëve të sotme?

Uashington | 13/08/2019 23:30

Ebola së shpejti mund të bëhet një sëmundje e shërueshme, pasi studimi i dy ilaçeve tregoi një përmirësim të ndjeshëm në shkallën e mbijetesës, thanë shkencëtarët.

Në fakt, katër ilaçe u testuan te pacientët në Kongo, ku shpërtheu epidemia e këtij virusi, transmeton KosovaPress.

Organizata Botërore e Shëndetit tha që studimet kanë treguar se dy ilaçe janë dukshëm më efektive se të tjerat në trajtimin e sëmundjes.

I njëjti raport thotë se më shumë se 90 për qind e të infektuarve mbijetojnë nëse trajtohen në fazën e hershme të sëmundjes me katër ilaçet e testuara. U ra dakord që ilaçet tani të përdoren për të trajtuar të gjithë pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje në Kongo.

Instituti Kombëtar Amerikan për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID), i cili bashkë-financoi studimin, tha se ishte "një lajm jashtëzakonisht i mirë" kur bëhet fjalë për luftimin e Ebolës.

ZMapp, remdesivir, mAb114 dhe REGN-EB3 u përdorën në studim, dhe REGN-EB3 dhe mAb114 u treguan më efektivë në trajtimin e Ebolës sesa dy të tjerët.

“Ata veprojnë për të sulmuar virusin Ebola me antitrupa, duke anuluar kështu efektin e tij në qelizat. Këto janë ilaçet e para që treguan qartë një ulje të konsiderueshme të vdekshmërisë në një studim të bazuar në shkencë midis pacientëve të infektuar me Ebola”, tha Anthony Fauci, drejtor i NIAID.

Ai shton se REGN-EB3 dhe mAb114 janë zhvilluar duke përdorur antitrupa nga të mbijetuarit e sëmundjes.

Mbi 1.800 njerëz kanë vdekur në Kongo vitin e kaluar. Përhapja e fundit e Ebolës në Kongon lindore filloi në gusht të vitit të kaluar dhe është më e madhja që nga viti 1976, kur u zbulua për herë të parë virusi, transmeton KosovaPress.

Sidoqoftë, epidemia më e rëndë e kësaj sëmundje virale ka goditur gjithë Afrikën Perëndimore, veçanërisht vendet si Guineja, Liberia dhe Sierra Leone, të cilën ajo e ka goditur midis 2014 dhe 2016. Në këto vende u infektuan gjithsej 28.616 njerëz dhe 11.310 vdiqën.

NIAID raportoi se barnat ZMapp dhe remdesivir nuk do të përdoren më në trajtim, dhe lajmi i shkëlqyeshëm është që shkalla e mbijetesës midis pacientëve me nivele të ulëta të virusit në gjak gjatë zbatimit të REGN-EB3 ishte madje 94 për qind dhe rreth 89 për qind kur përdorën ilaçin mAb114.

Ebola është sëmundje e rëndë virale dhe shpesh vdekjeprurëse, e njohur edhe si ethe hemorragjike.

Ajo shkaktohet nga viruset Ebolavirus, familja Filoviridae dhe familja Mononegavirales - një grup virusesh jo të segmentuara, të mbështjella me pamje karakteristike.

Virusi është emëruar sipas lumit Ebola që përshkon zonën Yambuku të Kongos, ku është raportuar epidemia e parë e sëmundjes.

Ebola transmetohet përmes kontaktit direkt me gjakun, sekrecionet e trupit dhe  indeve të kafshëve të infektuara ose njerëzve. Pas periudhës së inkubacionit, simptomat e hershme të sëmundjes, të tilla si ethe, mundime, të vjella dhe dhimbje të forta të muskujve, shfaqen midis 2 deri në 21 ditë.

Shenjat e mëvonshme të sëmundjes shfaqen në varësi se cilat sisteme të organeve në trup preken nga virusi. Kështu, manifestimet gastrointestinale përfshijnë diarre dhe të vjella, gulçim të frymëmarrjes, dhimbje në gjoks, dhimbje koke neurologjike dhe në disa raste edhe gjendje kome.

Midis ditës së pestë dhe të shtatë të sëmundjes, eritema dhe skuqja mund të ndodhin, pas së cilës nis rënia e lëkurës. Stafi i kujdesit shëndetësor dhe anëtarët e afërt të familjes që kujdesen për pacientët e infektuar janë në rrezik më të lartë të infeksionit.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress