Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 26.04.2018 11:16

​​QKUK për një muaj fiton rreth 26 mijë euro nga pagesat digjitale

Prishtinë | 14/04/2018 12:12

Vendosja e laurave digjitale në hyrje-dalje i ka sjellë përfitime të mëdha Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku brenda një dite pune faturohen të hyra nga 1 mijë deri në 1.100 euro, kurse, brenda muajit shifrat arrijnë nga 25 mijë deri në 26 mijë euro.

Por krahas këtyre përfitimeve të mëdha ky institucion nuk po ofron minuta falas për të gjithë ata që duan të hyjnë në QKUK.

E gjithë kjo ka bërë që shumë automjete të parkohen në trotuaret dhe parkingjet pa pagesë në hyrje të QKUK-së, duke shkaktuar kështu tollovi të madhe.

Lidhur me këtë menaxheri i projektit për digjitalizimin e hyrje-daljeve në QKUK, Faton Hajzeraj për KosovaPress ka thënë se një mundësi e tillë nuk është dhënë për qytetarët e Kosovës me qëllim që rrugët e QKUK-së të mos shfrytëzohen për rrugë transite.

Hajzeraj e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të ketë minuta falas për të shfrytëzuar hapësirat e QKUK-së për parkingje, ndonëse lë mundësin e hapur që çmimi prej 50 centësh për 30 minuta të ulet edhe me tej.

Për sigurinë e automjeteve në parkingjet e QKUK-së, zyrtari i IT-së në këtë institucion tha se veturat që hyjnë brenda QKUK-së janë të sigurta, pasi që disa pjesë më të frekuentuara janë të mbuluara me kamera sigurie.

Shefi i zyrës së financave në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, Sherif Bytyqi ka thënë se të ardhurat nga parkingjet përmes pagesave digjitale janë rritur për 100 për qind.

Sipas tij, vlera e shumës së fituar nga laura digjitale brenda muajit arrin shumën nga 25 mijë deri në 26 mijë euro.

Ai ka shtuar se këto mjete nga të hyrat e parkingut janë të destinuara për pagesat e shujtës së punëtorëve.

Sipas Bytyqit nga kjo pagesë janë të liruar kategoritë si ajo e veteranëve dhe invalidëve të luftës, shtatzënat, rastet emergjente, pensionistët, personat që vuajnë nga sëmundjet kancerogjene etj.

Ndonëse laura digjitale i kanë sjellë të ardhura të mira këtij institucioni shëndetësor, parkingjet brenda kësaj klinike shihen më pak të ngarkuar sesa që ishin më parë, ndërsa fluksi i veturave që presin për të dal nga QKUK-ja është mjaftë i madh.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vendosja e laurave digjitale është bërë që nga data 6 nëntor të vitit të kaluar, i gjithë projekti ka kushtuar rreth 90 mijë euro, dhe të përfshihen edhe dy projekte të tjera, ai i vijueshmërisë në punë, si dhe programi i resurseve./KosovaPress/

Temat:
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress