Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 11.12.2017 12:09

​Lindjet cezariane shënojnë rritje të vazhdueshme në Kosovë

Prishtinë | 07/12/2017 13:37

Në dekadën e fundit, lindjet cezariane kanë shënuar rritje të vazhdueshme në Kosovë, ku shkalla e përgjithshme është rritur nga 7.5 në 27.3 për qind në periudhën 2000-2015, duke tejkaluar kështu rekomandimet ndërkombëtare.

Kështu u tha në tryezën e diskutimit me profesionistët shëndetësorë, politikë-bërësit si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për shkallën në rritje të lindjeve me prerje cezariane në Kosovë, organizuar nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe Solidar Suisse.

Në këtë tryezë u tha se rritja e numrit të lindjeve cezariane vjen si pasojë e faktorëve të shumtë, përfshirë këtu specifikat e sistemit shëndetësor dhe normat shoqërore dhe kulturore.

Sejdullah Hoxha, gjinekolog, theksoi se prerjet cezariane do të mund të zvogëlohen në rast se punohet në fuqizimin e bashkëpunimit në mes të Shoqatës së Gjinekologëve, Shoqatës së Mamive, si dhe asaj të Anesteziologëve. 

Magbule Elezi, kryetare e Shoqatës  së Mamive, kërkoi të punohet në ndërtimin e sistemeve që fuqizojnë komunikimin mami-nënë, pasi që në shumë raste ka mungesë të informatave të sakta për llojin e lindjes. 

Ndërsa, Ilir Hoxha, nga Solidar Suisse, tha se faktorët që po ndikojnë në rritje të kësaj procedure klinike janë statusi spitalor, posedimi i sigurimit privat shëndetësor të pacientit, karakteristikat shoqërore e ekonomike të pacientit, asimetria e informatave, si dhe resurset spitalore.

“Hulumtimet tregojnë se statuti privat i spitalit ndikon në rritje të prerjeve cezariane, e po ashtu edhe posedimi i sigurimit shëndetësor privat të pacientit, ” tha ai.

Hoxha potencoi se procedurat e panevojshme klinike, siç janë prerjet cezariane, e që janë më të kushtueshme, e ngarkojnë financiarisht sistemin shëndetësor përderisa këto resurse do të mund të përdoreshin në avancimin e shërbimeve të tjera shëndetësore. 

Sami Uka nga Organizata Botërore e Shëndetësisë - OBSH, foli mbi rëndësinë e standardizimit të kujdesit shëndetësor përmes adaptimit dhe aplikimit të udhërrëfyesve dhe protokoleve klinike.

Ai po ashtu rekomandoi adaptimin e një instrumenti të zhvilluar nga OBSH në matjen e saktë dhe transparente të monitorimit të protokoleve, i rekomanduar po ashtu te Ministria e Shëndetësisë.

Lindjet përmes prerjes cezariane përfshijnë procedurë kirurgjike me rreziqe dhe pasoja afatshkurtër dhe afat-gjatë për nënën dhe fëmijën, siç janë komplikimet e mundshme në procedurën kirurgjike, pranimin e fëmijës në Njësinë për Kujdesin Intensiv Neonatal, si dhe shpenzime më të mëdha financiare në krahasim me lindjen normale.

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress