Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 20.07.2019 11:04

​Ismaili: Ministria e Shëndetësisë ka shënuar progres në raportin vjetor të Auditimit

Prishtinë | 18/06/2019 12:39

Ministria e Shëndetësisë ka shënuar progres në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku nga 27 rekomandime që kishte pasur në vitin 2017, për vitin 2018 ka marrë vetëm 8 rekomandime.

Ndër rekomandimet që kjo Ministri kishte pasur në vitin 2017 e që nuk janë në raportin e vitit 2018 janë çmimet e barnave, keqpërdorimi i udhëtimeve zyrtare dhe keqmenaxhimi i projekteve kapitale.

Këto i ka bërë të ditur vet ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili derisa ka komentuar këtë raport tha se në vitin 2017 raporti ka pasur vërejtje serioze, por që sipas tij përmes angazhimit dhe punës kanë arritur të marrin masa dhe ta kthejnë ligjshmërinë.

Ai tha se reflektimi i gjithë punës në raportin e ZKA-së tregon dedikimin e tyre për luftën ndaj keqpërdorimit dhe korrupsionit që ka pasur efekt në gjithë sistemin e shëndetësisë.     

Ai ka përmendur disa nga përmirësimet që kanë bërë në fushën e shëndetësisë.

Një çështje tjetër që Ismaili tha se ka rënduar xhepat e qytetarëve dhe ka treguar një neglizhencë ndaj parave publike ka qenë çështja e Angiografit, i cili ishte blerë dhe kishte mbetur në një depo në Austri. Ai tha se dështimi për të sjell një pajisje të tillë ka ndikuar në trajtimin e pacientëve.

Përkundër raportit pozitiv të ZKA-së për Ministrinë e Shëndetësisë për furnizim me barna, Ismaili është pyetur pse ende vazhdojnë pacientët të blejnë barna dhe material shpenzues. Ai tha se raporti tregon se edhe shpërndarja e barnave ka pasur një problem në MSh, por që ai tha se janë duke e rregulluar.

Për raportin e ZKA-së për ministrinë e Shëndetësisë ka folur edhe drejtoreshë e USAID-it Lisa Magno, e cila tha se kjo Ministri ka bërë përparime të mëdha në adresimin e rekomandimeve të dala nga raporti.

Ajo tha se përmirësimet dramatike në sektorin e shëndetësisë dhe reformat madhore kanë qenë të domosdoshme.

Ajo si sukses të ministrisë së Shëndetësisë ka përmendur vendosjen e stentave në QKUK, ku tha se është shumë e rëndësishme që qytetarët mund ta marrin këtë shërbim në spitalin publik. Po ashtu, ajo përmendi si pozitive investimin prej 5 milionë euro në modernizimin e klinikave. /KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress