Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 13.11.2019 04:21

​Gratë në Kosovë vazhdojnë të kryejnë aborte për shkak të preferencave gjinore

Prishtinë | 11/10/2019 15:15

Gratë në Kosovë vazhdojnë të kryejnë aborte për shkak të preferencave gjinore. Kështu është bërë e ditur në raportin e publikuar sot “Abortet në Kosovë” nga Qendra për Art dhe Komunitete Artpolis, raport i cili u publikua në Ditën Ndërkombëtare të fëmijës vajzë.

Në këtë raport ku është bërë një analizë e aborteve të nxitura dhe shëndetit riprodhues në Kosovë prej vitit 1999-2019, janë dhënë statistika të aborteve ndër vite, ndërsa, u potencua se është në rritje aborti nëpër klinika private, ku edhe u kërkua që këto klinika të inspektohen.

Hulumtuesja në KIPRED, Donjeta Morina, tha se në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta për ndërprerjet e induktuara të shtatzënisë.

Ajo bëri të ditur se në vitin 2017 në vend janë lindur 111 meshkuj për 100 femra, e që sipas saj, ku dallim është problematik pasi nuk mund të jetë zgjedhje natyrale.

Morina ka bërë të ditur të dhënat e marra nga QKUK për vitet 2005, 2006 dhe 2007, ku sipas saj, gjatë kësaj periudhe janë kryer 1 mijë e 79 aborte të nxitura.

Ndërsa, në vitet 2012-2017, tha se janë kryer 726 aborte, por këtu ajo shprehi brengën për statistika të ndryshme të institucioneve kosovare.

Ajo ka bërë të ditura edhe statistikat për abortet për vitet 1999, 2009 dhe për vitin 2016.

Në raport bëhet e ditur se një numër i madh i aborteve kryhet nëpër klinika private, e që sipas raportit, spitalet private nga gratë e martuara preferohen për të kryer aborte për shkak se trajtimi është më i mirë, ndërsa, raporti thotë se gratë e pamartuara zgjedhin spitalet private për të kryer abortin për shkak të privatësisë.

Ndërkaq, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka kërkuar që të ketë inspektim më të madh të spitaleve private, aty që sipas raportit po ndodhin abortet më së shumti.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, u shpreh se statistikat e prezantuara në këtë raport sa i përket përzgjedhjes së gjinisë nuk janë të vërteta.

Publikimi i raportit është realizuar me përkrahjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA)./KosovaPress/

    

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress