Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 16.06.2019 07:49

​Gratë e Kamenicës udhëtojnë deri në dy orë për të lindur fëmijët, ndodh lindjet bëhen rrugës

Prishtinë | 09/06/2019 10:32

Rreth dy orë duhet të udhëtojnë banorët e fshatrave të Komunës së Kamenicës, për të arritur në Gjilan ku duhet të marrin shërbimet shëndetësore gjinekologjike. Kjo sepse në Kamenicë tash e katër vjet nuk ka gjinekolog. Në Komunë thonë se kanë hapur konkurs katër herë por nuk kanë arritur të punësojnë një gjinekolog. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë shumë prej gjinekologëve zgjedhin të punojnë në kujdesin dytësor e tretësor, e më pak në Qendra të Mjekësisë Familjare.

Shërbimi i maternitetit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë është jashtë funksionit, meqë katër vjet më parë gjinekologu i vetëm që ishte, ka dalë në pension.

Aktualisht nuk ka gjinekolog për të dhënë shërbimet në ketë qendër.

Nazlie Bugaqka, qytetare, thotë se banorët maltretohen në mungesë të gjinekologjisë këtu, të detyruar të shkojnë në Gjilan për të marrë shërbime.

Ajo thotë se si pasojë e kësaj mungese, lindjet ndodhin edhe rrugës.

Enita Berisha, një tjetër qytetare thotë se gjinekologjia në këtë komunë është shumë e nevojshme.

Njësoj mendon edhe Hatixhe Morina, e cila thekson se Kamenica është territor i gjerë, diçka që e bënë edhe më të nevojshëm këtë shërbim në këtë zonë.

Kjo situatë është shqetësuese edhe për kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Ai thotë se janë duke lobuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, të kryeministri dhe organe të tjera, që kjo komunë të ofrojë shërbime gjinekologjike, meqë siç thotë ai, nuk duhet të udhëtohet aq larg për rreth dy orë për të marrë ato shërbime në Gjilan.

E për ketë, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se në disa komuna ka mungesë, sepse gjinekologët parapëlqejnë të punojnë më shumë në kujdesin dytësor e tretësor, e jo në Qendra të Mjekësisë Familjare.

E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Besa Baftiu thotë se e kanë ngritur këtë problem shumë herë të ministri i Shëndetësisë, por që ende nuk është ndërmarrë asgjë.

Ajo thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet, sidomos në vendet që kanë largësi më të madhe me komunat ku banorët i marrin shërbimet gjinekologjike, siç është rasti me Kamenicën.

Ndërkohë, për Komunën e Kamenicës, është lajmëruar një organizatë e cila është e gatshme të ndihmojë në rregullimin e hapësirës ku do të mund të kryheshin shërbimet gjinekologjike, nëse arrihet të gjindet gjinekologu./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress