Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 11.12.2017 12:09

​Barnat blihen me çmime më të larta sesa ato reale

Prishtinë | 07/12/2017 12:21

Barnat në Kosovë blihen me çmime më të larta sesa çmimi real i tyre, gjë që nënkupton humbje të mëdha.

Kështu u tha në ditën e katërt të "Javës Kundër Korrupsionit 2017", ku është diskutuar për tenderët në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se çdokush që shkelë përgjegjësitë e veta do të përballet me drejtësinë, pasi të gjithë duhet t'iu përmbahen rregullave.

Duke folur për disa tenderë të cilët janë devijuar ose janë në proces e që kalojnë vlerën referente me të cilën janë në treg, Ismaili tha se MSH do t’i padisë ato kompani, kontratat e të cilave janë të dëmshme.

Sa i përket problemeve me listën esenciale të barnave, Ismaili tha se do të jetë Organizata Botërore e Shëndetësisë autoriteti kryesor në vendosjen e listës esenciale.

Sipas tij, nga analizat preliminare për listën esenciale, diku rreth 30 nga 100 barna sa janë në listën esenciale mund të marrin 60-70 për qind të buxhetit, ndërsa shtoi se po shohin mundësi se si në ato barna të jenë më konkurrente.

Edhe Mirnada Joliceour nga USAID, tha se çështja e tenderëve është e rëndësishme. Me këtë rast, ajo theksoi se 40 për qind e buxhetit të Kosovës shkon përmes Prokurimit Publik, pra njohës të çështjeve specifike punojnë në çështje të tenderit shëndetësor.

Hulumtuese në Columbus, Saranda Ramaj, tha se barnat në Kosovë po blihen me çmime shumë më të larta sesa çmimi real.

Rama tha se spitalet publike shpeshherë kanë mbetur në kolaps jo për shkak se Qeveria nuk ka pasur para publike për t’i mbuluar këto blerje, por për shkak të ndryshimit të ligjit dhe përshtatjes së tyre për disa kompani farmaceutike.

Me këtë rast, ajo tha se kanë evidentuar dy kompani farmaceutike, të cilat kanë qenë përfitueset më të mëdha.

Ndërkaq, Basri Sejdiu, ushtrues detyre i Shërbimit Spitalor të Kosovës mohoi që shëndetësia në Kosovë të jetë në kolaps, përkundër asaj se disa operacione javëve të fundit janë anuluar për shkak të mungesës së barnave.

Përfaqësuesi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Richard Mei, u shpreh se është mirë që në kuadër të javës antikorrupsion po diskutohen çështje kaq të rëndësishme, prej të cilave priten rezultate./KosovaPress/


 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress