​'Simbolet shtetërore, të detyrueshme'

prev next
 
Prishtinë E diel, 29 Dhjetor 2013 11:50

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani ka vlerësuar se shkelja e Kushtetutës duhet të trajtohet njëjtë kudo që shkelet.

Deputetja Osmani këtë deklaratë e ka bërë duke iu referuar largimit të flamurit shtetëror nga kryetari i sapo zgjedhur i Prishtinës Shend Ahmeti.

Sipas saj, shkelja e kushtetutshmërisë dhe ligjeve të Republikës së Kosovës duhet të trajtohet njëjtë, pavarësisht a bëhet ajo nga komuna e Gracanicës, nga komunat në veri të vendit, apo nga Komuna e Prishtinës.

“Ligji është i njëjtë për të gjitha dhe detyrimet që dalin nga ligjet e aplikueshme janë të njëjta. Neni 2.2 i Ligjit për simbole specifikon se “me flamurit, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti i saj shtetëror” dhe neni 4.1 thotë se “Flamuri shtetëror vendoset në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucioneve shtetërore…” Përdorimi i simboleve shtetërore rregullohet edhe përmes Neni 15 të Ligjit për Protokollin e Shtetit. Komunat, qartë, janë institucione shtetërore, dhe zyra e një kryetari të komunës është zyra kryesore përfaqësuese e atij institucioni. Edhe pse komunat kanë të drejtë të kenë simbolet e tyre dalluese, ligji i obligon që ato t’i përdorin krahas simboleve shtetërore. Edhe Kushtetuta parasheh se flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Pra kushdo që i mohon këto simbole, e mohon Republikën e Kosovës”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook.

Ajo ka shkruar se është mirë të dihet që Kryetari Isa Mustafa, gjithmonë e ka mbajtur edhe flamurin kombëtar në zyrë, krahas atij shtetëror.

Sipas Osmanit, kushdo që thotë se e solli flamurin kombëtar tani, nuk e thotë të vërtetën, pasi me qindra fotografi të botuara nga zyra e kryetarit Mustafa gjatë mandatit të tij e vërtetojnë këtë.

“Sa i përket fotografive, ligji obligon mbajtjen e fotos së shefit të shtetit (në këtë rast Presidentit). Këtë obligim Kryetari Mustafa gjithnjë e ka përmbushur. Mirëpo, ligji nuk ndalon (njëjtë sikur në çdo vend tjetër të botës) që të mbahen edhe fotografi të liderëve e figurave të tjera historike e nacionale, apo në rastin konkret të arkitektit të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Praktikat e tilla janë të shumta në vende demokratike, e sidomos në SHBA, ku fotografitë e etërve të SHBA-së shihen në gati të gjitha institucionet shtetërore, përfshi zyrën ovale të Presidentit”, ka shkruar ajo.

Sipas Osmanit, heqja e simboleve shtetërore, prandaj, është shembull shumë i keq i qeverisjes dhe akt i turpshëm, dhe tregon injorim ndaj shtetit.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të duhej të reagonte ndaj të gjitha rasteve të tilla, pavarësisht a udhëhiqen komunat nga shqiptarët apo nga serbët”, ka shkruar ajo.

 
 
 
comments powered by Disqus