Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 24.05.2017 06:06
Zejnullah Jakupi

​Pse mediet e Kosovës nuk merren me politikë rajonale e ndërkombëtare..?

Prishtinë | 20/04/2017 10:08

Shkruar nga: Zejnullah Jakupi

Ditët që lam pas kishte mjaftë ngjarje të dendura politike. Kishim zgjedhjet në Serbi dhe fitoren e Vuçiqit. Kishim protesta shumë të mëdha të cilat qeveria serbe dhe rezhimi donte ti minimizonte. Rinia e Serbisë, e shtetit fqinjë, protestonte kundër zgjedhjes së Vuçiqit president.

Mediat e Kosovës heshtnin: Domosdonë e tematitzimit të këtyre temave, veçmas asaj se sa po trajtohen zhvillimet politike rajonale në TV-të tona, mund ta kapin vetëm ekspertët dhe profesorët e medieve. Pse mediet në Kosovë nuk merren me politikë edhe me shtetet fqinje dhe ato të rajonit dhe më gjerë? Kosova ka akoma probleme të pazgjidhura. Një pjesë e saj ajo e Veriut por edhe e Kosovës Lindore vazhdon të jetë shumë e brishtë, temë të cilën, veçmas me Kosovën Lindore temë të cilën e ka në spikamë Lëvizja „Vatra“. Partitë e mëdha i kanë rezervuar temat dhe bashkë me to edhe mediet. Për problemet dhe hallet qytetarit të zakonshëm pak merren, bashkëpunimin ndërkufitar dhe lëvizjen e lirë në zonën kufitare me Serbinë. Media, siç e vërtetova në hulumtimet e tre viteve të fundit ku janë analizuar 470 kronika televizive në dy televizionet publike RTK,RTS dominonte agjenda e qeverisë.    

Nga analiza e hulumtimit rezultoi me sa vijon: dy televizionet publike në radhë të parë përkrahën ose transmetuan pikëpamjet e qeverisë, të ministrave, dhe shumë më pak të opozitës, të shoqërisë civile ose qytetarëve të zakonshëm, përkundër referencave ligjore (EBU) se Mediumi publik duhet të jetë kritik ndaj qeverisë dhe më shumë të jetë një zë i qytetarëve dhe ndër tjerash edhe i opozitës. Sepse, siç do të thoshte një filozof i madh i kohës: Liria dhe demokracia funksionojnë vetëm kur akceptohet mendimi ndryshe, pra mendimi i cili nuk na konvenon, por që duhet të pajtohemi edhe me atë, sepse edhe ai mendim është pjesë e diskursit publik dhe interesit nacional. Balancimi i argumenteve pro dhe contra është bazik për një informim të plotë dhe kritikë. Siç rezultoi nga ky hulumtim, i kësaj kategorie, zëri i qytetarëve prezantohet shumë pak, pra përbën vetëm 7,4 % në RTK dhe 9,8% në RTS. Ndërsa qëndrimi i qeverisë tek dy televizionet arrin mbi 62%. Ne dallim prej RTS, mediumi publik kosovar përkrah më shumë Bashkësinë Ndërkombëtare ku edhe përkthehet në përqindje me 43,9 % në krahasim me RTS ku kjo përqindje është më e vogël 30.1%. Sa i përkët dhënies së qëndrimit të reporterit/gazetarit RTK del më mirë se sa RTS ku opinionet e reporterit gjatë raportimit përmbajnë edhe këndvështrime personale nga vendi i ngjarjes. Tek RTS zëri i politikanëve lokal serbë(17,8 %) gjenë më shumë përkrahje se sa në RTK(4,8%).  

RTS veproi ngjashëm edhe me zgjedhjen e Vuçiqit president i Serbisë. Kurse, mediat e Kosovës, përfshirë këtu në radhë të parë edhe RTK-në nuk i thanë një vëmendje sa duhet zgjedhjeve presidenciale në Serbi, Pse? E para, Mediet e Kosovës si i gjithë sistemi nuk kanë kuadro të përgatitur që mendojnë në koncepte më të gjera se sa trajtimi i temave lokale, çfarë po ndodh nëpër komuna dhe fshatrat e Kosovës. E dyta, Kosova dhe shoqëria dhe me këtë edhe mediat e Kosovës janë në krizë financiare, prandaj nuk kanë kohë dhe, siç thonë edhe vet, „nuk ua lanë barra qiranë“ të merren me tema regjionale dhe ato ndërkombëtare. Këto të fundit, qoftë edhe për zhvillimet në BE, i lënë diku në fund...! Te merresh me zgjedhjet presidenciale në Serbi, redaksisë së një mediumi televiziv i duhet të këtë ekspertë, e këta ekspertë janë të pakët. Nëse ka të tillë ata nuk shkojnë ose nuk ftohen në emision për debat. 

Në TV ftohen ose flasin vetëm ata „ekspertë“ që janë me mendime të njëjta si vet redaktorët e mediumit, pra nuk lejohen mendime të „ndryshme“.  Redaktorët, shumica, nuk janë profesionist të lëmive të ndryshme. Mediumi në fjalë duhet ta ketë një redaktor të specializuar për politikë, qoftë i asaj kombëtare dhe ndërkombëtare. Redaksisë i duhet ta ketë një redaktor i cili ka studiuar shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky redaktor duhet të ketë njohuri të thelluara në medie dhe të ketë kryerë s´paku ndonjë nivel specializimi, duke filluar nga seminaret praktike e deri tek thellimi i njohurive përmes një masteri.

Problemi tjetër është se asnjë kandidat me përgatitje të tillë, nuk orientohet të punojë në medium, sepse mendon se ai është tanimë vetëm një politikan ose diplomat ose ekspert i çështjeve ndërkombëtare dhe se nuk e ka vendin të punojë në një medium. Ai duhet të punojë ose në ministri ose në ndonjë përfaqësi diplomatike. Një vjelje e gazetarëve me shkollim të tillë specifik kërkon shumë kohë, investim dhe durim. Shumica e redaksive nuk ofrojnë shkollim dhe përgatitje të stafit në përmasa, siç bëhet në shtetet e BE-së, në Gjermani, për shembull. Pra duke shikuar kontekstin e përgjithshëm shoqëroro-politik e kulturor-ekonomik, as gazetaria nuk mund të zhvillohet jashtë këtyre konturave.

Trajtimi i temave politike, sociale, kulturore, juridike dhe ekonomike etj, në cilësi të shtuar, duhet patjetër redaksitë dhe mediumet ti rrisin rrogat, të punësojnë ekspertë të fushave të ndryshme dhe duke i joshur kandidatët me rroga, siç i kanë deputetët, ose përfaqësitë diplomatike, gazetarët, ekspertët qoftë edhe me tituj akademik nuk vrapojnë më vetëm drejt ministrive ose universitetit, por e kërkojnë veten edhe në sektorët e medieve. Në kushte ideale një doktor i shkencave politike me pakë njohuri dhe përgatitje në gazetari në mediumin publik ose në çfardo mediumi tjetër shumë më mirë i përzgjedh dhe i trajton temat në mediumin ku punon se sa një gazetar me një fakultet të lënë përgjysmë ose të kryerë shkel e shko, me ca shënime që i ka mbajtur „profa“ në seminare të stërmbushura të universitetit. 

Në kushtet e tanishme shoqëria kosovare, pra as shteti nuk ka kapacitete të tilla. Edhe mediumet të gjendura në krizë financiare dhe të konkurrencës nuk shohin dhe nuk mund të shohin jashta pjatës së tyre. Kryesore është për ta që të mbietojnë në tregun e çoroditur. Bëhet fjalë për secilin nga ne se si ta fitojmë diku një vend pune për ti marrë ato 300-400 Euro. 

Për ta mbajtur këtë punë, nuk na duhet kreativitet i gjerë. Mjafton ta dëgjojmë shefin se çka na thotë. Ai na përcakton si duhet ti trajtojmë temat. Kush dhe sa duhet të flasin politikanët, cili protagonist duhet të vije në lajm i pari, cili  i dyti dhe sa dhe si duhet ti qasemi „kundërshtarëve“ politikë? E gjithë tema e mediumeve dhe debateve të tyre të kota lidhet me liberalizimin e vizave me këtë edhe përfundon qasja ndaj BE-së. 

Trajtimi i Vuçiqi dhe fitorja e tij si president i Serbisë, shoqëruar me protestat e opozitës serbe nuk u trajtua sa duhet, pavarësisht se ajo e cilëson këtë president „diktator“. Në mediet e Kosovës askush nuk u "shqetësua" me këto protesta, por as nuk pati raportim të zgjeruar lidhur me zgjedhjet në Serbi, siç nuk ka as me zhvillet tjera në rajon. 

Milazim Krasniqi Profesor i departamentit të Gazetarisë në UP me të drejt thekson se mediet e Kosovës nuk morën me Vuçiqin, „thuase është zgjedhur kryetar i ndonjë ishulli në Paqësor, e jo i shtetit serb, i cili Kosovën e mban në Kushtetutë si territor serb!“. Në zhvillime të njëjta mediumeve tona do të duhej tu interesonin edhe ngjarjet në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Slloveni e tutje, që shikuesi ta ketë një pasqyrë të plotë mbi zhvillimet në rajon dhe më gjerë krahas atyre vendore. 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar