Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Martë, 12.11.2019 12:34
Ylber Vokshi-Ylli

​Teatri i operës dhe baletit

Prishtinë | 09/03/2015 18:31

Shkruar nga: Ylber Vokshi-Ylli

Janë disa çështje të cilat as imagjinata ma ekstreme nuk mundet ti parashikoi, pasi ato aspak nuk përkasin me logjikën e shëndosh të një shoqërie. I tillë është rasti me “lojën” e propozimit të lokacionit të ri të objektit të Teatrit,operës dhe baletit të Kosovës. Me tri (3) arsyetime të çuditshme, nga garnitura e re qeverisëse në Ministrin e Kulturës,dilet në opinion se:1. Akustika objektit ka telashe të mëdha, (përse është bërë revidimi i projektit,problematikën e akustikës mundet ta konstatojnë vetëm kompanitë e specializuar të cilat janë të rralla në botë). 2. Projektit të parë i ka kaluar afati ligjor,( e pa kuptueshme,cili është ai afat ligjor për ndërtimin e një objekti të rëndësi së veçantë për Kosovën). 3, Projekti i kaluar ka kosto rreth 30 milion euro,(kjo vlerë ka qenë publike në fillim,askush nuk e ka kontestuar,sa jep merr është rregull i ekonomisë të tregut në botë,ashtu edhe te ne).

Iu nevojitën MKRS afro nëntë (9) vite,që nëpër mes zëdhënësit të saj,të ia shpjegoi opinionit arsyet për braktisjen e projektit të vjetër dhe synimet e projektit të ri. Pas tërë këtyre sihariqeve ministrore,mund të them së këto arsyetime janë tërësisht të pa qëndrueshme. Përse të propozohet ndërrimi i lokacionit të objektit,i cili kishte filluar të ndërtohet në vitin 2009,apo pas tërë kësaj loje fshihet diçka tjetër,koha do ta vërtetoi. E ne ende mbetemi pa një objekt të rëndësishëm të kulturës,për të promovuar atë në mënyrë të dinjitetshme,ashtu si i ka hije çdo shoqërie të civilizuar.

MKRS tërë ketë proces,caktimin e lokacionit të ri,ia kërkon Komunës së Prishtinës e cila, sipas tyre,duhet të caktojë një lokacion të ri për ndërtimin e këtij objekti,i cili në vitin 2006 një herë ishte caktuar. Edhe atëherë mënyra e përzgjedhjes se lokacionit deri diku ishte konfuze,por u tolerua për hir të një qëllimi madhor. Aty është bërë inaugurimi solemnisht i fillimit te punimeve në vitin 2009, janë investuar mjete të mëdha materiale, e këto ditë në vend që të vazhdojnë punimet,Ministria e Kulturës del me propozime të reja për lokacion dhe projekt të ri,i cili kushtimisht duhet me qenë në qendrën e kryeqytetit. Për ketë duhet pësuar rrënime të shumta,ashtu si është vepruar në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar dikur,e që është kritikuar nga njohësit e problematikës urbane të Prishtinës,por edhe nga të tjerët. Kjo me të vërtetë nuk përket as me normat elementare morale të një shoqërie ,që propozon të ndërron lokacionin sipas hireve të dikujt, pa u bazuar në argumentet profesionale urbane,si veprohet në tërë botën.

Se lokacioni i Teatrit të Operës dhe Baletit domosdo nuk duhet të jetë në qendrën e kryeqytetit e tregojnë rastet e shumta në tërë rruzullin tokësorë. Lokacioni i vjetër i caktuar që të plotëson kërkesat kryesore të komunitetit artistik dhe vizitorëve, në një zonë të qetë dhe atraktive,e që nuk është larg qendrës së qytetit,ky është avantazh i madh për kulturën kosovare. Duhet përmendur se edhe përpara kishte ide “përfituese”, edhe premtime të dyshimta se nëse gjendet një lokacion i ri mu në qendrën e kryeqytetit për ndërtimin e objektit, do të ndërtohet teatri i ri si donacion. Por ato qëllime abuzive me objektin ekzistues të teatrit dhe me identitetin urban të Prishtinës,me kohë u vërejtën dhe u stopuan,nuk u lejuan.

Është jashtë çdo aftësie profesionale të caktohen lokacionet e objekteve të rëndësishme,pa iu referuar dokumenteve ekzistuese hapësinore dhe urbane të Komunës të cilat edhe duhet rifreskuar kohë pas kohe. E jo të veprohet si deri me tani ku shumica e lokacioneve të ndara,nuk është e bazuar dhe nuk ka argumente të mirëfillta urbane. Kjo praktikë duhet ndërprerë një herë e për gjithmonë. Me mos respektimin e dokumenteve urbane ekzistuese,vetëm do të bëhen gabime ma të mëdha urbane, nëse përkrahën këto ide destruktive,të cilat nga aspekti financiar është vështirë të realizohen.

A thua se qytetet e vjetra në botë Venediku, Moska,Roma,Parisi,duhet të kishin pritur shekullin XXI për të ndërtuar operën në qendër të qytetit,jo ato objekte janë pjesë e qendrës urban të asaj kohe. Duhet analizuar se si kanë vepruar qytetet e mëdha në botë me caktimin e lokacioneve të reja të këtyre objekteve,specifike dhe me eskluzivitet të lartë shoqëror si janë rastet në Torino,Helsinki,Sofje apo afër neve në Shkup. Rasti i Sofjes dhe ndërtimi në periferi i objektit të operës së re,tregon një shembull interesant se si ka mundësi të plotësohen kërkesat e kohës,duke respektuar të gjitha kriteret e identitetit urban që i ka çdo qytet.

E tërë kultura e shtetit të Kosovës,në shekullin e ri,u zhvillua në mënyrën e vet në hapësira,të cilat as për së afërmi nuk i plotësojnë kushtet elementare për veprimtari e të gjitha kapaciteteve ekzistuese kulturore,të përthekuara në trupën e teatrit kombëtar,trupën e filarmonisë,trupën e baletit kombëtar dhe shumë institucioneve tjera që veprojnë në kryeqytetin tonë. Objekti ekzistues i Teatrit Kombëtar as për së afërmi nuk i plotëson kushtet elementare për të funksionuar trupa e teatrit dhe ajo e baletit kombëtar. Nevoja për ndërtimin e një objekti reprezentativ,me dashamirësi formalisht u aprovua nga vendimmarrësit Kosovarë të asaj kohe,por realiteti ynë e tregoi një të vërtetë të hidhët,se ne në Prishtinë deri sot nuk kemi asnjë hapësirë reprezentative ku do të luhej në pjesë teatrale,një shfaqje baleti,ndonjë opere apo ndonjë koncert i muzikës klasike.

Asaj që ma së shumti i jam frikuar,sot është realitet në fushën e kulturës dhe urbanizmit në kryeqytet. Është bërë modë që çdo grupacion që vjen në pushtet të bëjë ndryshime radikale, duke mos respektuar VAZHDIMËSINË e obligueshme institucionale, pa dhënë përgjegjësi për ato veprime. E tërë kjo bëhet për disa interesa të pa qarta duke mos qarë kokën për mjetet e shumta të shpenzuara materia. Njëherë është paguar për projektimin,revidimin,fillimin dhe vazhdimin e punimeve të objektit të Teatrit të operës dhe baletit të Kosovës në vitin 2006 gjegjësisht 2009,kur u vu gurë themeli i tij. Tani kërkohet një projekt i ri në emër të kush e di shkëfit,shpenzime të reja të parave të taksapaguesve kosovar. Në thelb,edhe pas shumë viteve ende Kosova po frymon dhe “funksionon” pa infrastrukturën elementare të kulturës ,por kjo fare nuk ka rëndësi për vendimmarrësit tonë. O tempora o mores!

Mjaft ma me rrënime,posaçërisht të objekteve apo komplekseve funksionale,të mendojmë dhe të veprojmë pozitivisht,të respektojmë fjalën dhe mendimin e profesionistëve,të jemi të ndërgjegjshëm që kur të propozojmë opsione të ndryshme,të kemi argumente të forta profesionale,të mësohemi që të respektojmë dokumentet e aprovuara hapësinore dhe urbane,të mos ndërhyjmë me caktimin e lokacioneve të ndryshme për disa objekte publike,që kanë ndodhur vitet e fundit në Prishtinë dhe Kosovë. Ky trend po ka tendenca të ketë vazhdimësi,por së pari duhemi me ia parashtruar vetë vetes pyetjen,përse po punohen dokumentet hapësinore dhe urbane në qytetet e Kosovës,kur askush nuk po i respekton. Është e pa mundur të udhëhiqet dhe të përparoi një shoqëri me filozofi provinciale e të menduarit urban. / Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/       

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar