Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Enjte, 21.11.2019 12:20
Ylber Vokshi-Ylli

​Kush jemi ne ?

Prishtinë | 23/12/2014 17:34

Shkruar nga: Ylber Vokshi-Ylli

Po kalon edhe një vit kalendarik,jemi në dekadën e dytë të shekullit XXI e ne ende po përballemi me problemet elementare urbane që nevojitën për funksionimin normal të një shoqërie. Po i theksoi vetëm problemet urbane pasi për ato hapësinore apo arkitektonike as që mundemi të mendojmë,pasi jemi shumë larg atyre kritereve që e formësojnë jetën normale në një shoqëri të civilizuar. E tërë kjo është rezultat e një qasje tërësisht të gabuar ndaj hapësirës së shtetit tonë,e besa edhe i mospunës kronike që po e përcjell ketë shoqëri në shekullin e ri.

Nuk besoj se ka kokë normale të arsyetojë tërë atë se çka është duke ngjarë në hapësirën Kosovare në fushën e ndërtimit,e që nuk i bënë së pari vetvetes e pastaj të tjerëve. Pyetjet kush jemi ne ? Cili soj i njerëzve jemi ? Cilit civilizim i përkasim ? Ç’popull qenkemi ne ? A kemi ndonjë veçanti të panjohur për racën njerëzore ? E shumë pyetje tjera të pa shpjegueshme.

Rezultat i një injorimi total të kësaj problematike është bërë me disa kritere të çuditshme,ku kanë dominuar principet lokaliste,klienteliste,klanore e ma tragjikja janë ato korruptive,pasi ndërtimet kanë shërbye si fasadë për “tyrlefare” marifete si shpërlaja e parave etj. Rritja e kualitetit të jetës urbane dhe rurale dhe mirëqenia e banorëve të saj duhej të ishte caku ynë! Ishte fat i madh që të gjithë mërgimtarët dëshironin të futnin kursimet e tyre shumë vjeçare të fituara me mund në gërbet,këtë shans të madhe nuk ditëm me e materializuar si duhet, përse?

Të kota ishin ndërhyrjet e mija profesionale dhe konstruktive në vazhdimësi që nga pas lufta,nga koha kur u inkuadrova në MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) e deri me sot. Të kota ishin edhe apelet e mija publike me anën e shtypit ditorë dhe ati elektronik,konferencave apo forumeve urbane,për të sensibilizuar opinionin për pasojat që i bjen kjo formë e ndërtimeve të pa kontrolluara nga ana e shtetit.

Sot,strukturat e reja komunale duhet të ballafaqohen me të gjitha pasojat e këtyre veprimeve tona në pesëmbëdhjetë (15) vitet e fundit,duke mos menduar pak në pasojat tragjike për hapësirën. Tani po tentojmë që me disa ligje të legalizimit të përmirësojmë situatën urbane të krijuar që është gati pa mundur,pasi atë nuk e lejojnë konventat e të drejtave të njeriut të cilat duhemi me i respektuar,nëse dëshirojmë të jemi pjesë aktive e bashkësisë ndërkombëtare. E kamë theksuar shumë herë,se në si shoqëri vetëm do të bëjmë legalizimin e të keqes me disa plane rregulluese, pa ndërmarrë masa adekuate ligjore ndaj atyre që e lejuan dhe e krijuan ketë situatë,duke e pru ketë shoqëri para aktit të kryer,për me e pranuar si realitet të hidhët ketë situatë degraduese urbane në tërë Kosovën.

Elementi parësor i SIGURISË së këtyre ndërtimeve sot është kryesori,të gjitha çështjet tjera ,për të cilat ka hapësirë për të kritikuar do të jenë dytësore,nëse nuk e kemi sigurinë e objekteve dhe vendbanimeve tona. Urbanizmi nuk është vetëm vendosja e një objekti apo një kompleksi në hapësirë,nuk është renditje fizike e tyre siç theksonte profesori i im Juraj Neidhardt,ai është shumë ma kompleks ku rrolin udhëheqës duhet ta kanë ekspertët e planifikimit hapësinor dhe urban. Ata duhet të jenë si koordinator e të gjithë pjesëmarrësve tjerë në procesin e ndërtimit,duke filluar nga gjeologët,gjeoteknikët,gjeomekanikët,seizmistët,statiqarët,arkitektët,ndërtimtarët, gjeografët,sociologët e profilet tjera varësisht nga natyra e objekteve apo tërësive urbane të projektuara.

Disa fjalë për ata që merren me përpilimin e dokumenteve hapësinore në Kosovë. Në thelb iu mungon përgjegjësia profesionale,për te cilën deri me sot nuk kanë dhënë llogari,edhe se janë kontribuuesit kryesor për situatën e krijuar urbane,kaotike në tërë Kosovën. Është i ditur niveli i diturive të vendimmarrësve tonë nëpër komuna e besa edhe në nivelin qendror (MMPH),ku edhe kamë punuar pesë vite dhe kamë tentuar kot që të vihet rend dhe rregull në fushën e Planifikimit Hapësinor. Ajo çka është shumë brengosëse është nivel i ulët i atyre dokumenteve që nuk po kanë lidhje me situatën REALE në teren dhe po janë adut bindës për mos zbatimin e tyre nëpër komuna dhe në nivelin qendror. Në shumicën e rasteve ka munguar qasja profesionale në përpilimin e këtyre dokumenteve,që është proces kompleks dhe procedohet në një formë bashkëkohore të planifikimit hapësinor STRATEGJIKË i cili aplikohet në tërë botën e civilizuar në shekullin 21. Ka edhe bashkëpunim të ndërsjellë që qëllimin parësor e kishin vetëm zhvatjen e mjeteve të shumta materiale që iu kanë paguar komunat,për përpilimin e dokumenteve hapësinore,fare pa u brengosur se çka po ngjan me hapësirën e projektuar.

Si mundet dikush të arsyetoi zyrtarët e lartë komunal kur sipas qejfit apo detyrës i caktojnë lokacionet për shumë objekte infrastrukturore të domosdoshme për funksionimin e qyteteve,fare pa u bazuar në dokumentet hapësinore të cilat janë punuar dhe paguar me para të taksapaguesve,aty duhej të ishin të definuar këto lokacione. Mënyra se si janë punuar dhe aprovuar tregon një realitet të hidhët se ato nuk i shërbejnë askujt,e për atë edhe e kanë humbur funksionin e tyre për çka do të duhej të punoheshin.

Rasti ma i freskët i këtyre ditëve është propozimi për ndërtimin e ambulancës në lagjen Veternik afër fshatit ndërkombëtar,nga ana e Drejtorit të i Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Kuvendin Komunal të Prishtinës,e në anën tjetër banorët e lagjes nuk pajtohen me ketë përzgjedhje. Kjo tregon se si janë punuar dhe aprovuar këto dokumente hapësinore në kryeqytet përkundër rekomandimeve të KEP-it (Këshilli i ekspertëve të planifikimit i K.K. të Prishtinës) të cilat nuk janë përfillur. Vetëm shikoni vërejtjet,sugjerimet dhe rekomandimi që ky Këshill i ka dhënë për PZhU 2012-2022 +,me 15 gusht 2013 pika 20 faqe 166.-169. Atëherë do të kemi shumë ma të qartë se si është punuar në Kosovë,në procesin e punimit dhe aprovimit të dokumenteve hapësinore në Kuvendet Komunale. Kjo qasje është tepër dëshpëruese,po vazhdon me të vjetrën kur janë caktuar lokacionet e ndryshme të objekte diplomatike (ambasadave),atyre sakrale-fetare,arsimore e tjera pa u bazuar në planet hapësinor apo urbane që ekzistonin.

Ngjashëm ka vepruar edhe Qeveria e Kosovës kur ka përcaktuar trasën e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit,pasi nuk ka pasur përputhshmëri me dokumentet hapësinore të aprovuara të Komunës së Prishtinës. Ky projekt është i përcjell me shumë “misteri”,të cilat popullit të Kosovës po i kushtojnë shumë shtrenjtë,jo vetëm në aspektin material si pretendojnë shumica e politik bërësve. Po i përmendi vetëm këto dy raste në Prishtinë por situatën e ngjashme e kemi në tërë vendbanimet ku janë miratuar këto dokumente të cilat janë paguar kot me parat e taksapaguesve,pasi gati askush nuk i merr parasysh. A thua ato janë punuar për të u pluhurosur në raftet e komunave tona,diçka e pa kuptueshme në shekullin e ri që ngjan vetëm tek ne.

Se jemi shoqëri e cila punon me inercion,pa planifikim hapësinor këto e vërtetuam në këto vite,të gjithë ne po i vërejmë pasojat e veprimeve tona,domosdo duhet ndërruar rrënjësisht mënyrën se si kemi punuar deri me tani,e për ketë duhet punuar me përkushtim,përgjegjësi dhe angazhim të profesionistëve,të cilët nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë në Kosovë,nevojitet vetëm menagjim ma i mirë.

Me siguri do të jem “qesharak” në syrin e shumë kujt kur me atë se çka është duke u vepruar gati në të gjitha komunat tona,po gjejë energji dhe optimizëm ekstrem për të luftuar këto dukuri të cilat do të dërgojnë një shoqëri në vet shkatërrim .Po lejojmë që një grup i vogël i njerëzve të terrorizon tëre Kosovën në fushën e ndërtimit, planifikimit hapësinor urbanizmit dhe arkitekturës.

Më mban shpresa,e cila vdes e fundit, që kjo shoqëri me konstituimin e organeve të reja qeverisëse do të merr hapa konkrete,për të ndryshuar situatën e krijuar kaotike urbane,pasi po vërehen hapa pozitive në disa komuna e posaçërisht në kryeqytet ku janë ndërpre ndërtimet pa leje e për të ndryshuar situatën e krijuar duhet shumë punë kreative për të cilën Kosova ka kuadro. Natyrisht problematika e tillë nuk mundet të zgjidhet për një mandat qeverisës,por duhet në vazhdimësi me përcjell,plotësuar, korrigjuar,ashtu si e kërkojnë normat dhe standardet ndërkombëtare të Planifikimit Strategjik Hapësinor dhe Urban.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar