Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 17.08.2019 08:23
Ylber Vokshi-Ylli

​​Drejtoria e re e Planifikimit në kryeqytet

Prishtinë | 08/02/2016 14:12

Shkruar nga: Ylber Vokshi-Ylli

Lajm i mirë i fillim-vitit 2016 pa dyshim është ai që me një vendim të kryetarit të kryeqytetit, i nënshkruar me 29 Janar, tre sektorë që funksiononin në kuadër të drejtorive, janë shndërruar në drejtori të reja. Nga Drejtoria e Urbanizmit e Planifikimit, është themeluar Drejtoria e Planifikimit (Drejtoria për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm), si një domosdoshmëri e kamotshme e cila ma në fund po realizohet.

Duke u nisur nga vëllimi i madh dhe kompleks i problematikës urbane në kryeqytet, si komuna me numrin ma të madh të banorëve në Kosovë, krijimi i kësaj drejtorie të re u imponua pasi ishte e pa mundu që i tërë vëllimi i madh i punëve hapësinore dhe urbane të zhvillohet në kuadër të një drejtorie. Të vetëdijshëm për këtë, hapi i ndërmarr është i qëlluar, dobi-dhënës, efektet e të cilit shumë shpejt do të vërehen, në të ardhmen e afërme, nëse fillohet të punohet me përkushtim profesional. Prishtina posaçërisht në vitet e pas luftës, ka përjetuar një degradim urban dhe rural të pa parë në regjion, si rezultat i sjelljeve tona që nuk përkasin as me rregullat morale të një shoqërie e për ato profesionale as që duhet diskutuar.

Ishte e domosdoshme ndërprerja e ndërtimeve pa leje e cila u arrit pas 14 vite me sakrifica të mëdha nga qeverisja aktuale e Prishtinës. Por a është e mjaftueshme kjo me siguri se jo, duke marrë parasysh se në cilën gjendje ishte sektori i urbanizmit për shumë vite, dhe se si ishte lejuar me u punuar dhe me ndërtuar në Prishtinë. Në këto vite ishte ferr i vërtetë, për ata të cilët e njihnin problematikën hapësinore dhe urbane, se çka ndodhte me hapësirën urbane të kryeqytetit dhe vendbanimeve tjera në Kosovë. Kjo qasje ndaj problematikës urbane, tërësisht e gabuar, ka filluar dhe do ti hakmerret Prishtinës në të ardhmen, që po rezulton me kualitetin e ulët të jetës urbane në kryeqytet dhe shumë probleme tjera funksionale urbane.

Natyrisht jeta vazhdon,duhemi sanuar situatën e krijuar urbane në kryeqytet, e kjo do të merr kohën e çmueshme të cilën ne e kemi me “bollëk”. Pos angazhimit të profesionistëve të vërtetë,pagave të dinjitetshme,punës permanente,angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm profesional të fushave adekuate,nevojitet përkrahja e tërë spektrit politik komunal. Planifikimi hapësinor dhe urban duhet trajtuar drejtë si një disiplinë multi-sektoriale, atëherë edhe sukseset nuk do të mungojnë. Për këtë formimi i Drejtorisë për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm shumë shpejtë do ta arsyeton vet-veten.

Duhet të jetë një institucion kompetent i cili duhet të iu paraprij të gjitha ndodhive hapësinore dhe urbane në komunën e Prishtinës. Sigurimi i të dhënave reale hapësinore dhe urbane,analizat e indikatorëve,hulumtimet,përgatitja e konkurseve lokale apo ndërkombëtare si dhe përcjellja permanente e ndodhive në hapësirën komunale dhe inovacioneve në botë,duhej të ishin detyra parësore. Kryesore duhet të ishte realizimi i dokumenteve hapësinore komunale,si detyrat kryesore të drejtorisë së re.

Nuk duhet pasur pritje dhe rezultate të menjëhershme,e tërë ajo çka ka ndodhur posaçërisht me hapësirën urbane të kryeqytetit në këto vite nuk mundet të korrigjohet me “shkop magjik”. Domosdo duhet të ketë edhe intervenime të vështira urbane, që nënkupton edhe krijimin e pa kënaqësive të momentit, për disa që kanë ndërtuar pa respektuar asnjë ligj ndërtimi dhe planifikimi si dhe institucionet shtetëror.

Bazamenti kryesor i përgatitjes së dokumenteve hapësinore të kryeqytetit duhet të punohet duke u bazuar në të dhënat hapësinore dhe urbane faktike. Saktësia e të dhënave hapësinore,caktimi real i kufijve të ri të kryeqytetit i bazuar në të dhënat kadastrale (numri i parcelave). Këto elemente kryesore do të mundësonin të definohen zgjidhjet dhe aktivitetet urbane saktësisht, atëherë do të kemi rezultate të kapshme dhe funksionale,ku do të vinte në shprehje edhe kreativiteti artistik i përpiluesve të dokumenteve. Kjo punë merr kohë,angazhim gjithëpërfshirës i të gjithë pjesëmarrësve në proces. Dokumente hapësinore konvencionale të punuara deri me tani kanë mangësi elementare dhe janë treguar të pa zbatueshëm.

Ka shumë çështje të cilat nuk janë kërkuar as në dokumentet ekzistuese hapësinore dhe urbane të komunës,të aprovuara formalisht në vitin 2013,të cilat duhet korrigjuar dhe plotësuar. Si shembull konkret është çështja e rehabilitimeve urbane të cilat janë zhvilluar jashtë kornizave institucionale për fajin tonë. Është kjo një sferë veprimi e cila nëse studiohet dhe analizohet ,do të ishte burim i madh i kapaciteteve të reja ndërtimore në zonat urbane ekzistuese. Njëjtë është edhe trajtimi dhe analiza e kërkesave reale për kapacitetet e objekteve fetare (sakrale) në tërë komunën,e kjo mundëson të bëhen gabime të dëmshme, lojëra të ndyta manipuluese,të pa qëndrueshme në aspektin urban.

Gjatë këtyre viteve janë përpiluar shumë plane rregulluese urbane , aspak të bazuara në të dhëna reale, duke mos përfillur ligjin, standardet ndërkombëtare për ndërtimet, rehabilitimet apo zgjerimet urbane. Janë shpenzuar mjete të konsiderueshme material,e keqja ma e madhe e tyre ishte ajo se ishin tërësisht të pa zbatueshëm në teren. Është ky edhe një nga shkaqet që kemi pasur shumë ndërtime pa leje në Prishtinë. Qëllimi duhej të ishte të punohet sipas atyre dokumenteve por realiteti ishte i kundërt,me pasoja të mëdha,në shumë raste të pa riparueshme.

Me një punë permanente, të bazuar në ligjet e Planifikimit dhe Ndërtimit, kjo drejtori do të fillon të stabilizon situatën e vështirë hapësinore dhe urbane në komunë,kryeqytet të krijuar nga vetë ne. Të aplikoi planifikimin strategjik hapësinorë e jo si deri me tani planifikimin konvencional hapësinor i cili është i tejkaluar sot,i përket të kaluarës.

Sfidë kryesore do ta ketë përgatitjen dhe përpilimin e dokumenteve të reja hapësinore, sipas Ligjit të ri të Planifikimit Hapësinor nr 04/L-174 të vitit 2013,pasi ka ndryshime substanciale nga mënyra e deri tanishme e përpilimit të këtyre dokumenteve, edhe në nivelin lokal.

Uroj që do të ketë përkrahjen politike dhe institucionale,pa marrë parasysh se kush do ta udhëheq kryeqytetin në të ardhmen,pasi ky duhet të ishte interes madhor i të gjithë neve që jetojmë,punojmë dhe veprojmë në kryeqytetin e Kosovës./ Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)  /                                    

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar