Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 26.05.2019 02:14
Skender Asani

​‘Shkupi’ dhe ‘Fakti’ përbëjnë harkun e gjatë të një trajektoreje historike

Prishtinë | 23/04/2019 13:39

Shkruar nga: Skender Asani

Po ta lexoni arkivin e gazetës ‘Fakti’ do të shihni gjurmët e një vazhdimësie historike të filluar me gazetën ‘Shkupi’ të editorit Jashar Erebara. ‘Shkupi’ dhe ‘Fakti’ përbëjnë harkun e gjatë të një trajektoreje historike që përshkoi gjithë zhvillimin e proceseve kombëtare të shqiptarëve në shekullin XX

Dëshiroj të bëj një komparacion mbi disa procese historike që kanë ndodhur gjatë shekullit XX. Dihet fort mirë se Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte parapa që të përfundoj pas Revolucionit Xhonturk, gjatë viteve 1908-1912, dhe përfundimi i Rilindja Kombëtare Shqiptare duhej kurorëzuar me shpalljen e Shqipërisë Etnike. Kjo barrë i ra pikërisht Vilajetit të Kosovës që ta përfundojë këtë Rilindje Kombëtare dhe të gjitha zhvillimet ishin parapa që të ndodhin në këto treva, ndërkohë që jo rastësisht nevoiteshte një medium që ta propagandonte dhe do ta bënte përgatitjen për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në Shkup, në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës. Për rrjedhojë ishte zgjedhur momenti që në Kongresin e dytë të Manastirit, më 1 prill 1910, të merret vendimi që në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës të themelohet gazeta ‘Shkupi’, me editor Jashar Erebarën, e cila atëbotë kishte tre objektiva: e para, të mbulojë hapësirën e zbrazët të fjalës së shkruar, e dyta, të ngjallë te populli shqiptar përpjekjet e tij për të fituar lirinë e ëndërruar ndër shekuj si dhe e treta, angazhimi në gjetjen e mënyrës së drejtë, që të depërtojë e vërteta për çështjen e pazgjidhur shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Është fakt historik se dalja e gazetës ‘Shkupi’, ishte një hap i rëndësishëm dhe i paramenduar nga prijësit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që pikërisht në Shkup të themelohet kjo gazetë për qëllime gjeostrategjike e gjeopolitike. Kjo gazetë aq bukur e përgatiti shpalljen e Pavarësisë në Shkup, kurse ne si Institut i kemi botuar të gjitha numrat e gazetës ‘Shkupi’, ku mund të vërejmë momente të vështira e delikate në të cilat po kalonte populli shqiptar, por aty shohim edhe shumë personalitete të shquara të Rilindjes Kombëtare, sepse, siç e dimë, gazetarët, publicistët, shkrimtarët kanë qenë bartësit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kurse editori i kësaj gazete, Jashar Erebara, nëpërmjet shkrimeve arriti të bëjë sensibilizimin dhe orientimin për shpalljen e Shqipërisë Etnike në Shkup.

Duke e parë gjithë atë histori të bujshme që luajti Shkupi për kombin shqiptar, në një artikull të botuar në këtë gazetë me të drejtë vihet në përfundim se ‘Shkupi është kërthiza e Shqipërisë Etnike’ Por, për fat të keq ndodhën rrethana të pafavorshme për zhvillimin e shtypit dhe gazetarisë në atë kohë dhe në tetor të vitit 1912 u ndërpre kjo gazetë, ndonëse ajo kishte shërbyer si tribunë ku ishte bërë publike platforma shpalljes së pavarësisë në Shkup, ndërkohë që pavarësia ndodhi në Vlorë, e cila ishte e paplanifikuar, sepse ideja ishte që në Shkup të shpallej Pavarësia. Përgatitjen për shpalljen e kësaj pavarësie e bëri për mrekulli gazeta ‘Shkupi’.

Jo rastësisht edhe kthesa e madhe historike që ndodhi gjatë viteve 1998-2001, ka të bëjë po ashtu me një gazetë tjetër, me FAKTI-n, e cila e deshi fati dhe moment historik që të jetë bartëse e një procesi të rëndësishëm në zbardhjen e fakteve e dëshmive që kishin të bënin me robërinë mijëravjeçare të shqiptarëve. Po ti lexoni këto shkrime që autori dhe botuesi i gazetës FAKTI, Emin AZEMI, i ka përmbledhur në librin ‘Bllaca, dhimbja e lirisë’, do të shihni vazhdimësinë e një tradite që kishte filluar me gazetën ‘Shkupi’ të Jashar Erebarës. Por, siç dihet, ‘Shkupi’ nuk e kishte atë fat që të përmbyll një proces që e pati FAKTI, e cila ishte e vetmja gazetë që ishte bartëse e argumentimit të një kohe përmes rrëfimeve e dëshmive të shumta. ‘Shkupi’ dhe ‘Fakti’ përbëjnë harkun e gjatë të një trajektoreje historike që përshkoi gjithë zhvillimin e proceseve kombëtare të shqiptarëve në shekullin XX.

(Pjesë nga fjala e mbajtur me rastin e promovimit të librit ”Bllaca, dhimbja e lirisë”, të Emin AZEMIT)

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar