Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 17.07.2018 05:55
Shaban Arifaj

​Gjaku për bashkim

Prishtinë | 19/12/2017 12:46

Shkruar nga: Shaban Arifaj

Mëngjesi i kthjellët i fund marsit të trazuar, me një puhizë të lehtë freskuese, miklonte faqet e bardha të djaloshit shtatgjatë, kurse mollëzat e skuqura si qershia në degë, i nxirrnin zjarr nga energjia e grumbulluar brenda përbrenda tij.

Energjia pozitive që e kishte ngritur djaloshin nga gjumi i qetë dhe i thellë, e tërhiqte atë që të nisej për në kryeqytet. I dukej sikur dikush po e shtynte nga prapa.    Përderisa nëna hezitonte që Riza të mos nisej rrugës për në kryeqytet,  babai këmbëngulte qe ai të nisej duke e mbështetur atë pa ngurrim. 

Ai mori ngryk nënën që përpiqej të përmbahej nga lotët, si të gjitha nënat, kurse babai e shtrëngoj fort për gjoksi: - Nisu trimi im dhe m'u kthe faqe bardhë!, - e porositi ai. Me dëshirë do të vija edhe unë me ju.

   Riza vari mbi supe çantën e vogël në të cilën mbante libra historik dhe ndonjë roman të kohës apo poezi, sepse kishte dëshirë që vazhdimisht të lexonte.

   Treni gjarpëronte rrugës gjelbëroshe në drejtim të kryeqytetit. Rizës i dukej se të gjithë në kupenë e trenit po e shikonin. Ai ngrehte supet sikur mburrej me qëndrimin e tij djaloshar. I dukej se treni po rrëmbente  më shpejtë se herëve të tjera, kur ai merrte rrugën e kryeqytetit. 

Lokomotiva nxirrte tym të zi, kurse boria binte vend e pavend,  sikur kërkonte që rruga të hapej gjithandej, për të zhvilluar shpejtësinë edhe më të madhe. Për derisa treni zhumëzhinte mbi hekurudhën gjarpërore, degët e lisave të shpeshtakut anësor nga kalonte treni,  i dukeshin sikur po e përshëndetnin rrugëtimin e tij.

   Ai ndërkohë kishte hapur eposin shqiptar të At Gjergj Fishtës: "Lahuta e Malcis" duke u thelluar aq shumë në përmbajtjen e saj, saqë edhe pasi treni kishte mbërri në stacionin e fundit, ai vazhdonte të lexonte këtë vepër e cila në atë kohë ishte e ndaluar. Konduktori, kur e pa se Riza ishte thelluar në lexim, përpiqej që të zbulonte veprën e cila mbante kopertinat e romanit të Haki Stërmillit: "Sikur të isha djalë". Ai e thërriti: - Ore djalosh, kemi mbërritur në cak, mund të zbrisni! 

   Riza mbylli librin me rrëmbim dhe doli me vrap nga treni nga i cili sërish u dëgjua zëri i zgjatur i borisë sikur i jepte sinjalin për zbritje të udhëtarëve.    Në një nga dhomat e konviktit numër 3, ishin mbledhur rreth 25 studentë. Duke parë se në ato kushte nuk mund të punohej dhe mund të zbuloheshin nga policia, ata u shpërndanë. Këshilli organizativ kaloj në dhomën  402 të cilën ua ofruan studentët Bashkimi e Agimi. Këshilli, që e përbënin Rizaja, Aliu, Syla, Bajrami, Hamdiu etj., tashmë e kishin të qartë ngjarjen që do të trondiste kryeqytetin dhe më gjerë.

    Riza qëndronte ulur në shtratin përballë derës së dhomës dhe priste të vinte edhe Ahmeti, studenti i  Akademisë së Arteve i cili do të sillte letrën dhe ngjyrat për të shkruar transparentet për ditën e nesërme. - Djema, erdha unë dhe më falni që u vonova pak, por rrugës kishte kontrolle të rrepta të policisë. 

Hyra nga rrugicat anësore dhe ja ku jam. Tani mund të fillojmë punën se jemi vonë. - Mos ke merak djalosh, puna do kryhet qoftë nevoja të qëndrojmë deri në mëngjes, - i dha forcë morale Riza i cili i pari u ngrit që të mbyllte dritaret me batanija që të mos vërehej drita nga jashtë. Pastaj ai zbriti nga shkallët për të shikuar nga jashtë nëse do të shihej drita brenda në dhomën 402. Pasi u sigurua se çdo gjë ishte në rregull, u kthye në dhomë dhe mori  letrën për të shkruar transparentet por edhe kërkesat që do të lexoheshin përpara demonstruesve. 

Të gjithë pastaj nxituan pas tij dhe nisën punën. I priste ditë e nxehtë me plot sakrifica dhe të papritura. Teksti i kërkesave që do të lexohej përpara demonstruesve tashmë ishte shkruar. Dilemës se kush do t'i lexonte ato para masës, Riza i dha fund pa hezitim: " Unë do t'i lexojë, po kush tjetër,- dhe buzëqeshi lehtë.    Ndërkohë, ata vazhdonin shkrimin e parullave: "Kosova republikë", "Ja vdekje ja liri", "Poshtë pushtuesi sllav", "Jam shqiptar nuk jam jugosllav", "Trepça punon Beogradi ndërtohet" etj.

   Nga ana tjetër në dhomën ku kishte qëndruar Këshilli, para se ata të kalonin në 402, policia kishte hyrë me dhunë dhe kishte konfiskuar disa materiale. Policia kishte trokitur edhe në dhomën 402. Polici Zhivkoviq, kishte mbështetur veshin në derë, por nga aty nuk dilte as një zë, e as dritë, derisa ai kishte vënë syrin në vrimën e derës. - "Idemo, nema tu ništa!" (Ikim, këtu nuk paska asgjë!).

     Çizmet policore u dëgjuan shkallëve të konviktit numër tre duke rrapëlluar.    Studentët vazhduan tani edhe shkrimin e transparentit të fundit: "BASHKIM".    Pasi kishin nisur së shkruari tekstin e këtij transparenti, djelmoshave kishte filluar që të ju shpenzohej ngjyra. Ata më nuk kishin kurrfarë shprese dhe mundësie që të siguronin ngjyrë tjetër sepse ishte tepër vonë.

Riza bashkë me studentët tjerë, kishte arritur që të shkruanin shkronjat BASHK. Pra kishin ngelur edhe dy shkronja: IM me një grafikë mbi mesatare.    Të gjithë shikonin njëri tjetrin duke menduar se çka do të bënin.

   Riza shikonte shokët një nga një. - Kam zgjidhje unë për ngjyrën, tha ai triumfalisht, duke shpeshtuar rrahjen e qerpikëve.

   Të gjithë hapën sytë dhe e shikonin atë me habi.    Ai, pa një pa dy, mori një thikë nga sirtari, kapi gishtin tregues të cilit i bëri një të prerë.

       Gjaku filloj të pikojë. - Ja tek e keni ngjyrën që ju mungon o shokët e mi! Rroftë Shqipëria! - Çka bënë mor", çka bënë kështu?!-shfaqën habinë shokët. - Merreni gjakun dhe përfundojini edhe ato dy shkronja,-buzëqeshi Riza.

       Të gjithë iu bashkuan buzëqeshjes së tij.      Morën gjakun nga gishti i tij tregues dhe përfunduan edhe dy shkronjat e fundit të fjalës:"BASHKIM".    Tashmë ata ishin të kënaqur me punën e kryer.    Shokët ia mbështollën Rizait gishtin me fashë.

   Duke shikuar orën, ai pa se akrepat e regjistronin atë të kishte arritur në pesë pa një çerek të mëngjesit. - Të pushojmë pak se nesër na pret një ditë e madhe, tha njëri nga të pranishmit, duke iu bashkangjitur shikimit të orës nga ana e Rizajit. - Po, po, pushoni ju se unë nuk kam gjumë, ua ktheu ai, gjithherë energjik dhe i çiltër.    Grupi i studentëve morën nga një batanije që të mbulohen për të pushuar pak. Nuk kishte edhe aq shumë batanije për të gjithë, sepse me disa prej tyre ishin mbyllur dritaret në mënyrë që nga jashtë të mos shihej drita.

   Riza, që asnjëherë nuk kishte të ftohtë, i shikonte ata me syrin vigjilent. Ai po ashtu shikonte edhe orën e xhepit  të gjyshit dhe i dukej se akrepat e tij nuk po lëviznin fare ose po lëviznin tepër ngadalë. Kishte dëshirë që dita të zbardhte sa më shpejtë.

   Kjo ishte Dita e Pranverës Studentore, Dita e Shpresës së Lirisë, Pranvera e Lirisë së Kosovës.

               P.S. Ngjarja e këtij tregimi është reale dhe ka ndodhur në prag të demonstratave të mëdha studentore të fundit të marsit të vitit 1981. Personazhi kryesor Riza Demaj, i cili jeton dhe vepron me familjen, bashkëshorten dhe tre fëmijë, në Zvicër,  është veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Ai, nga regjimi i atëhershëm, ishte dënuar me 13 vjet heqje lirie, nga të cilat nëntë vjet i kishte vuajtur në burgjet famëkeqe të Gospiqit, Lepogllavës dhe Stara Gradishtës së Kroacisë./ Tregim /

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar