Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 23.03.2017 11:09
Ndue Ukaj

​“Debati i paartikuluar”

Prishtinë | 19/06/2016 14:16

Shkruar nga: Ndue Ukaj

Filozofi kanadez Charles Taylor, në librin e tij “Etika e autenticitetit”, ka një kapitull të titulluar “Debati i paartikuluar”, ku trajton problemet që shkakton debati i sotshëm liberal rreth konceptit të një relativizmi disi të kollajtë të çdo gjëje, e mbi bazë të cilit “çdokush ka “vlerat” e tij ose të saj dhe mbi këtë pikë nuk ka çka të diskutohet. Autori, me një sërë argumentesh dhe duke u thirr në dije empirike, e vë në pikëpyetje këtë lloj të kulturës së debatit të skematizuar, që është larg autenticitetit dhe moralit, siç kërkon autori, sepse e tkurrë njeriun dhe hapësirën e tij, të cilën ia “kontrollon” ideologjia e debatit se gjitha “vlerat” janë të barasvlershme, ndryshe nga, ta zëmë, ç’ mendonte Aristoteli, i cili dëftonte se disa aspekte të jetës janë të drejta e disa të gabuara dhe disa aspekte janë më të larta e më të mira se disa tjera.

Historia e njerëzimit dëfton se ka tema që janë përtej nesh, përtej individit dhe kështjellës së tij të fortifikuar. Filozofi Taylor për të kundërshtuar teorinë e një relativizmi të kollajtë, që ka bërë të tkurret liria e njëmend, pohon se relativizmi është gabim trashanik i kulturës së sotme.

Unë them, po ashtu, se, relativizmi është gabim trashanik edhe i kulturës shqiptare të debatit që tenton ta fsheh diellin me shoshë, sidomos me qasje subjektive dhe pa analiza realiste.

Në përkim me këtë libër shumë domethënës, e njëkohësisht të rëndësishëm për të njohur kulturën e debatit në botën e sotme, shtrohet pyetja e dilema: ku është shoqëria shqiptare, andej e këndej kufirit? Dihet, për shkak të rrethanave dhe kontekstit historik, shoqëria jonë nuk ka kaluar nëpër asnjë rrymë filozofike a kulturore, nëpër të cilën ka kaluar perëndimi, ndaj edhe nuk e njeh debatin esencial, as kritikën si shenjë e mendjes së pjekur, por gjithçka e ka marrë të “gatshme” dhe të gatuara nga të tjerët. Për pasojë, ajo nuk i ka të mishëruara parimet bazike që e kanë formuar qytetërimin europian, dhe si e tillë vazhdon të përpëlitet në këtë relativizëm, i cili, gjithsesi ka pasoja serioze e ontologjike, sidomos kur bëhet fjalë për temat e rëndësishme që dalin përtej individit: qoftë të natyrës politike, religjioze a kulturore. Në këtë holli të debatit, shton Taylor “njerëz të pasigurtë në identitetin e tyre u drejtohen gjithfarësoj guidave dhe ekspertëve të vetemëruar të veshur me prestigjin e shkencës a të ndonjë spirtualiteti ekzotik.”

Kur e lexoj këtë pohim, shoh të ravijëzuar shumë shqiptarë, të cilët përplasën nëpër kriza serioze identitare dhe përrallisen pas gjithfarë guidash. E kështu duan t’i përrallisin edhe shqiptarët.

Njeriu i sotshëm është bërë rob i disa konsensuseve publike dhe ai shpeshherë nuk është i vërtet me vetveten e as me të tjerët, sepse i mungon një ideal moral, mendon autori në fjalë. Pa dyshim, kjo ngjet edhe me shoqërinë tonë, e cila nuk është e vërtet me vetveten, sidomos kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme.

Ky autori i shquar, më tej e analizon çfarë nënkupton ai me ideal moral, togfjalësh ky i cili sipas tij është një kuadër i asaj që do të ishte një mënyrë më e mirë a më e lartë e jetës, ku e “mira” dhe e “larta” nuk përkufizohen në termat e asaj çka ne dëshirojmë ose kemi nevojë, por ofrojnë një standard të asaj çka lypset të dëshirojmë.

Duke përsiatur rreth këtyre ideve të këtij mendimtari, e shohim si në pasqyrë njeriun tonë, shkujdesjen morale që dëfton ai në raport me tema të rëndësishme, sepse i duhet të jetë mirë me idenë e vetërealizmit dhe të përmbushjes së aspiratës dominuese: relativizmin e kallajtë të çdo gjëje e çdo teme. Në këtë sens, ai është i gatshëm ta mashtrojë vetëdijshëm vetveten, vetëm e vetëm që të duket interesant për të tjerët.

Ka kohë që është thënë e përsëritur shpeshherë se debati ynë çalon dhe atë në përmasa të frikshme.

Ka kohë që është shkruar për inflacionin e fjalës dhe të ligjërimit publik. Ka kohë që është thënë se me këtë yrysh të dhënies së mendimeve për çdo gjë dhe në çdo kohë, po e rrezikohet kohezionin ynë i krijuar me sakrificë dhe po pamundësohet dhënia e një alternative tjetër për të nesërmen.

Në hollinë e debateve pa fund që ndizen e nxitën çuditshëm, së fundi shpërtheu një i tillë që u soll vërdallë katolikëve dhe emigrimit të tyre.

Si në të shumtën e rasteve, edhe në këtë debat, mungoi ajo çfarë nënkupton nocioni debat, kuptimi literar i të cilit është ballafaqimi i mendimeve ndërmjet personave të ndryshëm për çështje të caktuara shoqërore.

Ajo çka lexuam këto ditë, është një furi mendimesh e pikëpamjesh, që as afërsisht nuk i ofrohen temës në fjalë, e cila, e tejkalon komunitetin të cilit i drejtohet dhe e prek raportin tonë me vetveten dhe të vërtetën. Dhe nxjerr në pah pyetjen thelbësore: pse “shpërtheu” ky debat?

Unë mendoj se barrikadimi në një tabor dhe shigjetimi nga aty në taborin tjetër, nuk i bën mirë debatit.

Ndaj, për mua, pak është me rëndësi të regjistrojmë vistrën e të mirave që ka bashkëjetesa jonë religjioze, e cila, pa dyshim, rrënjët i ka te tradita dhe identiteti ynë kulturor, dhe pak te diskursi i tashëm publik. Ndaj, edhe nuk është meritë e ndonjë institucioni.

Ajo që më shqetëson tani e një kohë të gjatë është fakti se debati në shoqërinë tonë i ngjan kukurisjes. Dikush kundër dikujt me çdo kush, dhe dikush tjetër pro dikujt me çdo kusht. Ky s’është debat. Sepse në këtë mes hyjnë njerëz për t’i qëruar hesapet personale dhe jo për të shtruar argumente e ide rreth temave për të cilat shkruhet e debatohet.

Debati te ne zakonisht po bëhet me kualifikime. Po ashtu, po mbizotëron mendësia se mposhtja e kundërshtarit është në dobi të debatit. Jo, mposhtja e kundërshtarit nuk është në dobi të debatit, por mposhtja e ideve të kundërshtarit. E kjo bëhet me një kundëride me të mirë, më të argumentuar dhe më të qëndrueshme: në planin etik e empirik.

Derisa të vetëdijesohemi e ndërgjegjësohemi për këtë, shoqëria jonë duket se do të vazhdojë të vuaj mungesën e debatit qëllimmirë, i cili nuk shihet në horizont. Dhe do ta “shijon” debatin e keq që e ka ngulfatur shëndetin e kësaj shoqërie; debat ky që ka krijuar terren për zhurmë e kukurisje, dhe jo për ide e alternativa.

Për fund, shtrohet pyetja: kush i nxitë kaq shpesh reagimet e furishme e histerike kur diskutohen tema fetare? Derisa të kemi kaq shumë përplasje e tension për këto tema, sigurisht ka vend edhe për t’u brengosur, ndaj jam me ata që i hedhin në sipërfaqe brengat e tilla. Në këtë mënyrë, ata nuk bëjnë kurrfarë blasfemie. Përkundrazi. Gjithashtu e kuptoj brengën e të tjerëve që shqetësohen se po prishet idili ynë i harmonisë fetare. Kjo mund të bëhet nga “njerëz të pasigurtë në identitetin e tyre.”

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar