Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 15.07.2019 11:10
Menderes Ibra

​Opinion-bërësit dhe opinioni publik

Prishtinë | 23/04/2019 08:01

Shkruar nga: Menderes Ibra

1. Aq sa është evidente se sa furishëm e vrullshëm mund të sigurohen sot informatat për gjithçka, po aq është rrënqethëse shkalla e lartë e probabilitetit që ato të jenë plotësisht të gabuara, ose thënë më së buti – të pasakta. Sot njeriu shpesh disi pahetueshëm rrëmbehet nga vorbulla e intenziteti i një oqeani të madh informacioni, që ndikon fuqishëm në jetën e tij, ose madje që në një formë ose tjetër e merr tërësisht nën kontrollë atë. Justifikimi kryesor i njerëzve pasi të kenë pësuar nga pasojat, është gati uniform- kështu ishte opinion publik.

Dhe vërtetë është e pamundur të mohohet rëndësia e tij në shoqëri. Opinioni publik si një përmbledhje gjykimesh, bindjesh, qëndrimesh dhe besimesh për çështje dhe tema të ndryshme shoqërore, në kohët e sotme është i lidhur ngushtë dhe pandashëm me demokracinë, lindjen, zhvillimin ose edhe rënien e saj. Për këtë arsye mendimtarë e filozofë të ndryshëm e kanë trajtuar, dhe i kanë kushtuar vëmendje të posaqme. Kështu mendimtari B. Paskal madje opinionin publik e quante ‘Mbretëreshë të botës”.  Filozofi i famshëm anglez Th.Hobbes, theksonte se bota qeveriset plotësisht nga opinion publik. Filozofi tjetër anglez J.Locke ligjet i ndante në tri klasë: Ligjet hyjnore, civile dhe ligji i opinionit publik dhe reputacioni.

Atribute të tilla i janë dhënë opinionit publik edhe nga shumë mendimtarë tjerë deri në kohët e sotme, duke e konsideruar atë si faktor krucial në zhvillimin dhe progresin e shoqërisë njerëzore. Kjo ishte, dhe është evidente edhe sot madje më shumë se kurrë, e veçanërisht në shtetet në zhvillim dhe në demokracitë fragjile, ku ata që kanë qëllime të caktuara punojnë nën rrogoz pikërisht duke ndikuar dhe formësuar opinionin publik në harmoni me qëllimet dhe interesat e tyre.

2.

Sa herë që flasim për opinionin publik është e pamundur të mos përmendim edhe krijuesit dhe vektorët e tij, pra opinion-bërësit dhe mediat, si dhe mekanizmat që përdoren për të arritur njeriun. Kur të kihet parasysh ndikimi i madh te njerëzit, pasojat dhe efektet tjera pashmangshëm shtrohen pyetjet: Athua vallë është fuqia e madhe e opinion-bërësve apo dobësia e njerëzve ajo që bën efektin përfundimtar? Pse njeriu nuk e merr për bazë dhe madje as nuk e honeps dot faktin se kush e krijoi, pse dhe për çfarë arsye një informacion ose pjesë të opinionit publik? Nga krijohet dhe si plasohet ai në shoqërinë tonë, dhe cili është roli i mediave tona në tërë këtë process?

Ndodhë shpesh që në mediumet tona në trojet shqiptare gjithandej për çështje tejet të ndjeshme të rëndësisë shoqerore apo zhvillimit ekonomik, të mbahen emisione me disa të ftuar në studio ku dija, kompetenca dhe konceptet e të cilëve pothuajse nuk dallojnë fare nga niveli i mesatares së popullatës. Sipas një klisheu thuajse standard si hyrje në debat shërben një interviste e shkurtër e  gazetarit në ndonjë shesh të kryeqytetit me persona të rastit të cilët japin përgjigje të shkurtëra çasti. Tërë kësaj ‘proceduree’ i paraprin ndonjë moderator i papërgatitur për temën që mëton të plasohet si ekspertizë në opinion, dhe të shoqëruar me përsëritjen e vazhdueshme të tij ‘shkurt ju lutem, nuk kemi kohë’, e që u rri mbi kokë si shpatë e Damokleut pjesëmarrësve tërë kohën. Dhe këso produktesh që i servohen opinionit, janë aso ku puna e bërë është më e shtrenjtë se sa vetë rezultati. Efektet pastaj janë të mirënjohura.

Nëse vështrohet praktika e mediumeve në shtete e shoqëri të zhvilluara shihet nje qasje krejtësisht tjetër. Mediumet e mëdha angazhojnë personalitete të shquara me kompetencë të lartë profesionale, të arritura të pamohueshme, dinjitet e integritet të lartë personal, për të shkruar kolumne të rregullta rreth qeshtjeve shoqerore dhe ekonomike. P.sh. në SHBA për çëtje ekonomike nobelisti M.Fridman mbi gjysmë shekulli shkroi kolumne të rregullta javore, ose nobelisti tjetër P.Krugman që sot poashtu çdo javë shkruan, pastaj kështu ishte e angazhuar filozofja e njohur A.Rand e kështu me rradhë. Në emisionet televizive poashtu ftohen personalitetet më të shquara të shoqërisë që me debatet dhe diskutimet e tyre formësojnë rrjedhat e mendimit dhe opinionit publik. Kështu p.sh. vetëm në një emision kohëve të fundit në BBC ishin të ftuar shtatë nobelistë.

Dhe ajo që plasohet në opinion për çfarëdo çështje nga kjo qasje, vërtetë nuk ka se si të mos jetë frytdhënëse, sepse në vend të opinioneve laike ofrohen opinione kompetente profesionale e empirike.

3.

Një rast interesant i kishte ndodhur bankierit të famshëm amerikan J.P. Morgan vetëm pak kohë para fillimit të Depresionit të Madh në SHBA, dhe rrënimit të tregut të aksioneve në vitin 1929. (Atë kohë shumë njerëz blenin vazhdimisht aksione e në mesin e tyre kishte edhe të tillë që madje nuk kishin as njohuritë më elementare në këtë fushë. Rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe pritshmëria për profit të lartë, të lehtë e të shpejtë ishte shndërruar në ethe për të gjithë. Më vonë u tha se tregtia me aksione e asaj kohe ishte shndërruar në një lojë fati dhe në një sëmundje nacionale e që bazohej në ngritjen e çmimeve dhe spekulimeve në treg). Kështu një ditë një lustraxhi këpucësh i ofroi Morganit disa aksione ‘në kushte shumë të volitshme’, dhe duke e siguruar se do t’i sillnin profit. Morgan pronari i njërës nga bankat më të famshme amerikane sapo u kthye në zyrë i thirri brokerët e tij dhe i urdhëroi të shisnin të gjitha aksionet. Arsyetimi i tij ishte logjik dhe profesional: “Nuk kam se çka kërkoj unë në një treg aksionesh ku edhe lustraxhitë e këpucëve kanë hyrë”, u tha Morgan vartësve të tij. Kështu edhe u bë, dhe ai arriti të shpëtonte kapitalin e bankës së tij pas të ‘Martës së Zezë’ dhe bankrotimit të qindra e mijëra kompanive.

4.

W.Thomas një nga sociologët e famshëm amerikan, në teorinë e tij të njohur të definimit të situatës thotë: “Nëse njeriu i definon  situatat e caktuara si reale, ato edhe do të jenë reale sa u përket konsekuencave të tyre”. Thënë ndryshe, nëse ne e definojmë një situatë të caktuar si reale, p.sh. se dikund në një lokacion ka fantazma, atëherë, nga frika prej tyre nuk do të guxojmë të shkojmë aty, dhe të tmerruar nga mendimi për to gjithë veprimet tona do të jenë të atilla, sikurse aty edhe të kishte vërtetë fantazma. Në këtë rast pavarësisht se situata është jo-reale, krijon pasoja gati të njëjta sikurse ajo të ishte reale. 

Nobelisti i njohur austriak F.Hayek në librin e tij “Mendjemadhësia fatale” shkruante: “Është detyrë  e ekonomisë që t’ua demonstrojë njerëzve, se sa pak realisht ata dijnë rreth asaj që e imagjinojnë se mund të planifikojnë për ta bërë”.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar