Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 22.09.2018 09:48
Menderes Ibra

​Mentaliteti i shtet ndërtimit

Prishtinë | 08/07/2018 23:25

Shkruar nga: Menderes Ibra

“Gjithmonë është më mirë të mos kesh asnjë ide se sa t’i të kesh të pasakta; të mos besosh në asgjë, se sa të besosh në atë që është e gabuar.” (Th. Jefferson, ish President i SHBA-ve)

1.

Ka kohë të gjatë që motoja e mirënjohur sportive se ”Me rëndësi është të marrësh pjesë”,qarkullon në opinion. Ajo paraqiste një brez shpëtimi sa herë që përfaqësuesit e shteteve këtheheshin nga garat ndërkombëtare me rezultate të dobëta. Dhe sportistët në vend se të ndjeheshin të përgjegjshëm e kokëulur e përdornin atë me qësendi si mburojë ndaj kritikave. 

Njerëzit sesi ndjenin një ligështi emocionale dhe e pranonin këtë justifikim me ‘kryelartësi të dhembshur’. Së fundi një trajner i njohur tha se kjo moto nuk ka tashmë ndonjë vlerë, dhe se ajo s’ishte më shumë se sa vetëm “Thirrje fisnike e humbësit”. Dhe vërtetë, a ka ndodhur ndonjëherë që fituesit ta përmendin këtë moto. Jo, asnjëherë, sepse ata në vend të justifikimeve sjellin fitoret e medaljet. Fituesit kanë një moto krejtësisht tjetër: “Veni, vidi, vici”, (Erdha, pashë, fitova)! Ata e dijnë se janë zgjedhur për të përfaqësuar denjësisht kombin e tyre, dhe për të fituar. 

Padyshim që është në natyrën e njeriut, ashtu si ka qenë mbase gjithmonë, që jo vetëm në sport, por edhe në çdo sferë tjetër të jetës, se atëherë kur nuk mund të arrish atë që dëshiron duhet të krijosh një mekanizëm mbrojtës - justifikimin.

2.

Ndodhë që edhe në jetën e përditshme të individit apo  shoqërisë, që energjia në vend se në kryerjen e punëve të shpenzohet në përgatitjen e justifikimeve hipnotizuese e vetëngushlluese. Ndoshta ky mekanizëm vetëmbrojtës i njeriut ka edhe kuptim deri në një farë mase, por jo ama që të rritet doza e tij në vazhdimësi, deri në nivelet kur ‘ilaqi’ jo vetëm se humbë çdo efekt por madje shëndërrohet në të kundërtën e tij.  ”Është i ri ai  (ajo), ka kohë që të mësojë ”, thuhet për ndonjë nxënës apo student kur ai dështon. Thuhet kështu edhe për punëtor të ri, për organizata të reja e kështu me rradhë. 

E keqja është se pastaj kjo gradualisht e pahetueshëm shëndërrohet në mentalitet justifikues për pothuajse çdo gjë, për të arritur edhe deri te e përgjithshmja, shoqëria e shteti: ”Jemi shtet i ri, a e di se kur e kanë krijuar shtetin këta e ata?!” Dhe mund të ndodhë që justifikimet për moskryerjen e punës e mos arritjen e rezultatit të ndërtohen aq bindshëm e bukur, saqë njeriu fillon t’iu besojë fuqishëm, duke i bërë ato shpesh edhe qëllime në vetëvete, dhe duke ia bashkangjitur dhjetëra e qindra arsye imagjinare, pengesa e armiq nën rrogoz.

3.

Shteti, ky mekanizmi më i sofistikuar që ka krijuar mendja e njeriut për të rregulluar  jetën e vet nuk është se zbret siq do të thonin latinët e lashtë përmes ‘një deus et machina’ nga lartë (pra nga një fuqi mbinatyrore), në mënyrë që njeriu pastaj ta merr të gatshëm. Përkundrazi duhet punë pafundësisht e madhe për ta ndërtuar e funksionalizuar atë. Historia e civilizimeve njerëzore dëshmon katërcipërisht për këtë, për nevojën e sakrificës, dijes dhe shkathtësive të larta për ta krijuar, ndërtuar e mirëmbajtur atë. Për mentalitetin e veçantë që ngritet mbi nevojat e interesat personale apo grupore – mentalitetin shtetformues. 

Për të parë shumë më larg se sa e sotmja.

Si janë sjellur të tjerët në situata të vështira, në sfida? Si i kanë gjetur zgjidhjet? Si e kanë ndjerë e adresuar përgjegjësinë? Shembuj të tillë ka mjaft, por do të përmend këtu ish presidentin e SHBA-ve A.Linkoln, këtë njeri të madh, lider të mirëfilltë dhe simbol i besnikërisë ndaj interesave të kombit. Këtë njeri që edhe sot e kësaj dite mbi 150 vite pas vrasjes paraqet mishërim të një lideri të përgjegjshëm. Në kohën e udhëheqjes së tij përveç luftës civile që po kërcnonte të zhbënte vendin, kishte edhe shumë sfida të rënda, ku spikasnin ato të ndërtimit të shtetit e qeverisjes. Në atë kohë ishte tejet i ndjeshëm zgjedhja e kryetarit të Gjykatës së Lartë, post ky që lakmohej nga të dy partitë kryesore dhe që ishte shumë i rëndësishëm për ekuilibrin politik e stabilitetin e vendit. Linkolni kishte ndërmend një kandidat profesionalisht të ngritur e të denjë për atë post, me të cilin nuk kishte fare raporte të mira personale. Bile kur bashkëpuntorët ia përmendën se çka kishte shkruar  e folur ai keq për të, Linkolni u përgjegj qetësisht: “Ju madje nuk i dini të gjitha se çka ka bërë ai kundër meje, mirëpo, sidoqoftë ai ka folur kundër meje, ashtu sikurse edhe unë jam shprehur mjaft ashpër ndaj tij. Besoj se jemi një me një”. Edhe përkundër kundërshtimeve të shumta, megjithatë Linkolni e propozoi atë në Kongres, dhe ai edhe u zgjodh. 

Në një rast tjetër kur Linkoln emëroi rivalin politik (një demokrat) në një pozitë të rëndësishme shtetërore, këshilltarët e tij reaguan ashpër, por Linkoln iu përgjigj: ”Zotërinjë, në këtë situate të rëndë që po kalon vendi, unë si president nuk mund t’ia lejoj vetes luksin që të luftoj ndaj atyre që në fushatën zgjedhore nuk më dhanë votën. Dhe më e rëndësishmja, në atë detyrë shtetërore më duhet pikërisht një njeri shumë i aftë.” 

Dhe pikërisht falë tij dhe njerëzve të tjerë si ai, që kishin një mentalitet të tillë shtetformues, SHBA është ajo që është sot, demokracia dhe shteti më i fuqishëm i globit e simboli i lirisë dhe jetës së dinjitetshme të njeriut.

4.

Edhe ish presidenti J.F.Kenedy në shumë raste kishte vepruar po sipas kësaj logjike, kur përpara interesit të kombit e shtetit nuk i honepste dot orientimet e përkatësitë partiake. Është i njohur rasti, kur i ofroi postin e lartë shtetëror republikanit Robert Mc Namara. Gjatë bisedës, bile McNamara e ofendoi dhe provokoj, kur e pyeti se a e kishte shkruar vetë librin” Profiles in Courage”. Kenedy e gëlltiti këtë ofendim, sepse ai donte ta kishte në ekip një personalitet të tillë, dhe ia ofroi që të zgjidhte njërin nga dy postet e rëndësishme, atë të udhëheqjes së Departamentit të Thesarit apo atij të Mbrojtjes. Pak ditë më vonë Mc Namara pranoi të udhëhiqte Departamentin e Mbrojtjes. 

5. 

Presidentët amerikanë njihen si liderë të mëdhenjë që përveç tjerash mësuan shumë edhe nga vlerat e njëri tjetrit. Disa nga ata, në kujtimet e tyre kanë shkruar, se në situata të vështira kur duhej marrë vendime largpamëse e të guximshme, ata shkonin pranë portreteve të ish presidentëve në Shtëpinë e Bardhë, dhe duke vështruar e ia ngulitur sytë pyesnin vetëveten: “Vallë, si do të vepronte ai në këtë situatë”?

Jeta dhe vepra e tyre atëherë, dhe SHBA-ja e sotme, tregon se ata nuk e shihnin shtetndërtimin vetëm si zbatim procedurash, rregullash apo ligjesh. Dhe as vetëm si raport numrash në organet përfaqësuese. E shihnin si shumë më tepër se sa këto të gjitha së bashku, si sinergji, si dije dhe veçanërisht si art të shtetndërtimit, duke ruajtur me kujdes e kultivuar ekulibrat dhe sidomos interesin afatgjatë, duke pasur në mendje një qëllim e kauzë të lartë për të mirën e përgjithshme. 

E shihnin si vendosje të njerëzve të duhur në vende të duhura, edhe atëherë kur nuk pajtohesh me ta. E shihnin si projekt jetësor që do t’ju shërbejë të gjithëve pa dallim në kohëra. Mbi të gjitha e shihnin si vendosje të parimeve të drejta, lirisë, të së vërtetës dhe zbatim të vlerave fundamentale njerëzore, përpara interesave personale e partiake, dhe si ndershmëri e kundër hipokrizisë. Dhe gjithnjë duke pasur në mendje atë që thoshte Linkoln: ”Kur bëj mirë ndjehem mirë, e kur bëj keq ndjehem keq, ky është religjioni im”. 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar