Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 21.10.2019 06:10
Mehmet Bislimi

​Të parakohshme! (farsa e zgjedhjeve të parakohshme)

Prishtinë | 15/09/2019 23:22

Shkruar nga: Mehmet Bislimi

Nisur nga këndvështrimi metaforike, çdo gjë që ndodhë para kohe nuk është e shëndetshme, madje ka edhe efekte anësore që pengojnë procesin drejt rrugëtimit të tij përfundimtar. Procese këto të dështuara para kohe, si fryt i rënë nga dega para kohe, si vjelje të lashtave para kohe, si lindje para kohe që populli e thotë aq bukur: ”ka lindur i pa vakt!”...

Zgjedhjet e radhës, po prapë të pa-vakt-a (më së një herë), bartësit e të cilave nuk po mund ta qojnë dot mandatin e sovranit deri në fund. Partitë politike që operojnë në Kosovë, nuk po mëkëmbën nga ngufatja e zgjedhjeve të një pas njëshme, që peshohen me një kosto të lartë ekonomike, faturën e së cilës do ta paguajmë ne- duke lënë kështu një shije të hidhur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, me një kastë politikbërësish të pa vakt, që po pjellin para kohe në mungesë aftësish për ta mbajtur frytin deri në fund!

Një kalkulim i thjeshtë: këto zgjedhje të pa vakt-a, buxhetit të Kosovës i kushtojnë 6 milion euro, tamam sa për të ngritur një fabrikë të mesme për prodhim e punësim të të rinjve tanë, ose me këto mjete do bënim 300 familje me strehë mbi kokë!...   

Legjislaturë e dështuar më së një herë. Kjo rutinë tragjike-komike, nuk kishte vizion dhe fuqi politike për ta quar mandatin deri në fund!, kjo nuk është e shëndetshme për Republikën e Kosovës, as për politikbërjnë e saj, as për zhvillimin e saj të gjithmbarshëm, madje pasqyron një paaftësi politike para botës së përparuar. Dështime politike këto, të cilat kanë dëmtuar Kosovën pallogaritshëm. Nëse zgjidhja është mentaliteti i pa-vaktësisë, Kosovës i bie që brenda dy viteve të ardhshme të mbajë prapë zgjedhjet e reja e të pa vak-ta!... shkaku se binomi i ardhshëm politik, do të zhbëj prapë Kuvendin dhe legjislacionin pasues, ashtu siç ka ndodhur për të satën herë me radhë deri me tani, si; për inate politike, nga smira e zilia, paranoja për pushtet, për linçim e kundërvënie të ndërsjellë politike, për t’u pasuruar e harbutëruar, për mbulesë dështimesh politike, ekonomike, diplomatike, për retorikë hakmarrjeje etj. Ku na shpie mushka me këtë logjikë zgjedhjesh të njëpasnjëshme e të pa vakt-a!?

Këto zgjedhje, si edhe të tjerat deri me tani, elektoratit nuk i sjellin asgjë të re- veç retorikeve të ndiçme dhe të ripërsëritura, si: sharje, fyerje, fjalor banal e tepër të ulët, shpifje e kërcënime duke u zotuar se nëse do marrim pushtetin, do të hakmerreshin ndaj atyre që e kanë pasur pushtetin deri me tani dhe e kundërta! Kandidatët e caktuar, yshtur nga euforia, sikur ju ka rënë adrenalina në kokë, ende pa filluar mirë fushata, po përdorin gjuhë kërcënuese e cila më së paku ka të bëj me zhvillimin, mirëqenien, punësimin dhe bërjen e shtetit të mirëfilltë, ku qytetari ynë do të ndihet i lirë  dhe i mbrojtur me rend e ligj. Në fakt; pozitë- opozitë kanë vetëm një hall, dhe kjo duket sheshti: ata duan pushtetin, me çdo kusht, pa kursyer mjete për të arritur qëllimin- tamam kohë makiaveliste!... 

Nga ana tjetër, analistë të tërë, portale, gazeta e gazetar-ucë të tjerë, si gjithmonë, nuk i fshehin dot animet e tyre politike, duke krijuar kështu favore të dëmshme politike- pavarësisht pasojave. Analistë këta, që në shumicën e rasteve ngjasojnë në fallxhore!
Krejt hapur janë vërejtur edhe vardisjet e figurave të ndryshme, për t’u futur nën çatinë  e subjekteve  të caktuara politike, figura të të gjitha profileve pa dallim; vraponi o burra!...
Prandaj edhe premtimet e tyre janë papërgjegjësi politike e morale, janë kuturu e të çastit, janë të rreme dhe joshëse, të cilët si në çdo zgjedhje tjera, Kosovën e bëjnë kopsht me lule ama vetëm derisa të kalon fushata!
Interesant, këta kundërshtarë të përbetuar, tani mes tyre e gjithë kjo vardisje dhe arshikni, që zotohen çdo ditë për ta bërë shtetin e mirëfilltë, përballë atyre që deri dje ishin përgjegjës për stagnim dhe kapje shteti. Premtimi i tyre tingëllon sikur: “do bëjmë koalicion me hajnat për të ndjekur hajnat”- si ka mundësi kjo!? Këta kundërshtarë- njëkohësisht ashikë të përhershëm, tani i vardisën njëri-tjetirt aq panatyrshëm e pakuptimtë, sa që qytetari ynë me shumë të drejt pyet:
- sa poshtë ju ka rënë pazari i pordhës o burra!- të më fali lexuesi...

Së fundmi, figurat e nominuara për poste të larta politike në Kosovë, kësaj radhe janë ofruar duke u mbështetur në karrizëm të supozuar, pa verifikuar mirë anën tjetër të medaljes: duke ditur se vendin e presin sfida të mëdha gjatë këtij legjislacioni.
Mendoj se VV, nuk duhet të bie pre e frikës se ky është rasti i fundit për të marrë pushtetin, për të mos kursyer mjete që ta arrijë këtë. Njëjtë mendoj se figura me begrand politik, që do t’i prinin LDK-së, (mendimi im- pak relevante është kjo), do të ishin, si: z. Valon Murtezi, z. Kujtim Shala, z. Lutfi Haziri, z.Agim Veliu e figura tjera të këtij subjekti. Si do qoftë, ky subjekt ka emëruar zonjën Osmani të cilën mbetet ta shohim, Duhet ta themi pa ngurrim, me aq sa po shihet deri me tani, mbetët shumë për të dëshiruar- koha do ta vërtetojë këtë më së miri. Ne, sikur jemi mësuar të presim dhe të eksperimentojmë me vet- veten tonë nëpër kohë! Ky mësim i keq, pothuaj na ka kaluar në traditë, një jetë duke pritur e duke eksperimentuar me vet- veten dhe shtetin tonë, pa llogaritur këtu dëmet kombëtare që nuk do të riparohen kurrë. Megjithatë, nuk trazohet njeri,  Kosova ka kohë për ta bërë shtetin e mirëfilltë, koha na pret, shtrohet pyetja deri kur kështu, ne gjithmonë të vonuar, ndër më të vonuarit e kontinentit të vjetër!

Po thuaj, njëjtë është gjendja edhe tek subjektet tjera politike, kësaj radhe për bazë është marrë karizmi politik i të nominuarëve! Megjithatë, LDK dhe PDK (bazuar në atë që ka ndodhur më së një herë), janë këto dy subjekte politike, që janë bashkuar e ndarë, që janë betuar e sharë, por që nuk janë prishur kurrë në pazare politike (kur ka qenë në pyetje ndarja e pushtetit), si duket kjo do të ndodhi edhe kësaj radhe!... Mendoj se z. Veseli dhe PDK, nuk e kanë problem që postin e Kryeministrit t’ia ofroin koalicionit bashkëqeverisës, si edhe në të kaluarën, prandaj kjo ndodhi nuk është befasi...  

Sidoqoftë, Kosova edhe kësaj radhe do paguaj faturën e zgjedhjeve të pa vak-ta.
Kë ta votoj sovrani këtë radhë:

ata që shtrijnë sovranitetin në tërë tërësinë territorial të  Kosovës!
ata që zhvillojnë ekonominë dhe diplomacinë e Kosovës!
ata që përmirësojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë!
ata që me Serbinë një herë e përgjithmonë mbyllin kapitullin e njohjes reciproke!
ata që rrisin dhe mbrojnë imazhin e shtetit të Kosovës!
ata  që do ta forcojnë ligjin policinë, ushtrinë, arsimin, shëndetësinë!
ata  që janë të gatshëm me i dhënë Kosovës gjithçka e mos me i marrë asgjë!

Shtrohet pyetja e domosdoshme: cilët janë ata, i mbetet sovranit që t’mos luaj e të mos e nënçmoj votën e vet- të drejta legjitime e tij për të votuar dhe për të qenë i votuar!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar