Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 15.09.2019 07:16
Jakup Krasniqi

​Nuk ka drejtësi aty ku mëshirohet krimet e gjenocidit

Prishtinë | 19/05/2019 13:47

Shkruar nga: Jakup Krasniqi

“Me qëllim që refugjatët shqiptarë të mund të ktheheshin në vendin e tyre, duhet fshirë çdo gjurmë pranie ushtarake e pushteti policor e administrativ serb”. Paul Garde

Më 17 maj 2019, “Zëri” na bëri me dije se: “Franca, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, besojnë që në këtë fazë jo të gjitha kushtet janë përmbushur. Në fushën e sundimit të ligjit, pak progres është bërë kohët e fundit por jo mjaftueshëm që të ndalet korrupsioni. Vazhdimi i reformave është i nevojshëm që të ketë ndikim në sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ligjet e reja që duhet aprovuar duhet impelmentuar shpejt dhe në vazhdimësi”. https://zeri.info/aktuale/2609...

Besoj që edhe Franca e vendet e tjera e dinë se pengesë për të lëvizur lirshëm në zonën shengen e qytetarëve të Kosovës, nuk është edhe pengesë e zyrtarëve apo edhe e kryezyrtarëve të Kosovës që janë të korruptuar apo që janë pengesë e sundimit të rendit e të ligjit. Madje, kohë më parë zyrtarë të lartë të BE-së njëzëri konfirmuan se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”. Jo vetëm kjo, por kur demarkacioni me Malin e Zi nuk po miratohej në Kuvendin e Kosovës, kërkesë e vetme e BE-së ishte demarkacioni. Demarkacioni u krye, tani cila është pengesa?  Mbasi, do të jetë taksa e pas taksës eshë korrigjimi i kufirit me Serbinë? Ajo që dihet është se këto kërkesa ishin e janë të veçanta vetëm për Kosovën. Pas këtyre mbase do të kemi edhe ndonjë kriter të ri! Një gjë është e ditur, këto nuk ishin kritere për vendet e Europës Lindore e Juglindore. Nuk ka dyshim, interesat strategjike, politike e ekonomike ishin të tjera. Ndërsa, izolimi i qytetarëve të Kosovës edhe në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI, nuk besoj që është ndonjë vlerë që ka mbështetje në parimet e të drejtës evropiane për të drejtat e liritë e njeriut.
Në ketë kohë do të kisha dëshiruar shumë që në Francën e djepit të demokracisë e të lirisë të venin kërkesa të qarta e të drejta ashtu siç ishin thirrjet e intelektualëve demokrat e humanist të kohës së Bombardimeve 78 ditësh të vitit 1999. Do të dëshiroja ta dëgjoja zërin e intelektualit, Paul Garde, i cili aso kohe thoshte: “Me qëllim që refugjatët shqiptarë të mund të ktheheshin në vendin e tyre, duhet fshirë çdo gjurmë pranie ushtarake e pushteti policor e administrativ serb. Duhet të zhduket çdo lloj vartësie e Kosovës nga Serbia. Duhet të ngritët një ushtri tjetër, një polici tjetër si dhe një tjetër administratë, një tjetër pushtet politik me kusht që këtij pushteti t,i jepen të gjitha mjetet për të ushtruar me efektivitet fuqinë e vet, pa i dhënë asnjë llogari Serbisë”. (Marr nga libri: Lufta kundër luftës, Tiranë 1999, faqe 188). Kështu flisnin mendjet e ndritura të Evropës. A po udhëhiqet nga këto mendja Evropa sot?
II
Ndërkaq, sot më 18 maj 2019, Komisioneri Hahn, paska thënë: “Ekziston një dakordim i qartë ndërkombëtar se si duhen bërë këto negociata. Natyrisht është mirë nëse kemi mbështetje edhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kur bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar. SHBA-ja është e rëndësishme si mbështetëse, por struktura aktuale e negociatave, nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë, aktualisht Federica Mogherinit, është e mjaftueshme”. Ajo që duhet thënë dhe përsëritur fuqishëm pala shqiptare është: Bisedimet politike në mes të Prishtinës e Beogradit me dakordimin e palës ndërkombëtare janë përfunduar në vitin 2007, me Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës. Me Dokumentin e një kompromisi të madh që ka bërë pala shqiptare e Kosovës në ato bisedime për akomodimin e komuniteteve pakicë në përgjithësi e të komunitetit serb në veçanti. Madje, jo vetëm mbi bazën e Dokumentit të Presidentit Ahtisari, në korrik të vitit 2010. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pat konfirmuar se Pavarësia e Kosovës “nuk bije ndesh me ligjin ndërkombëtar”. Ky vendim për të gjitha palët e kyçura në procesin e pavarësimit të Kosovës, e sidomos për vendet e Grupit të Kontaktit, do duhej ta konsideronin ketë proces të mbyllur.
Kur kihet parasysh fakti se i gjithë ai proces është kryer para 12/13 viteve, askush nga komuniteti ndërkombëtar e më se paku nga BE-ja, duhet ta kenë harruar atë proces që është zhvilluar në një Kryeqytet Europian, e nën mbikëqyrjen dhe orientimin e BE-së. “Ne duhet të pajtohem që kostoja mos të jetë për një vend të tretë”,  po zoti Hahn, por ajo nuk duhet të jetë as për vendin e popullit që e ka paguar një kosto tepër të rëndë nga do që ta shikosh.

Nëse dikush duhet të paguaj kosto, që nuk mund të konsiderohet kosto, siç thotë Hahn: “Unë vetëm kam thënë se kjo nuk duhet tabuizuar menjëherë. E sqarova menjëherë se zgjidhja që do të vijë në fund të ditës nuk duhet të jetë në kosto të të tretëve”. https://gazetablic.com/hahn-ma... Atë kosto duhet ta paguaj Serbie e cila në Kosovë gjatë një shekulli ka ushtruar Krime të Gjenocidit dhe assesi Kosova. Hahn paska thënë se: “marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të jetë shumëpërfshirëse”. (Po aty) Pse a nuk ishte shumëpërfshirëse Marrëveshja e Vjenës? Dhe Hahn vazhdon: “Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës”. (Po aty) Në ketë rast pyetja shtrohet: A është e mundshme që në administratën e BE-së nuk paskan kujtesë të arkivuar se kjo çështje është zgjidhur njëherë e mirë? Kush mund të garantoj se edhe pas një marrëveshje të “re”, përsëri do të del një komisionar i ri e të thotë ketë që po e thotë komisionari në ikje. Dhe i riu do ta përsërit po ketë që po e thotë zoti Hahn: “Kështu do të jetë edhe në të ardhmen”. (Po aty) Është e frikshme dhe shqetësuese kjo që e thotë komisionari evropian, se: “marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur”. (Po aty) E para, duhet të sqarohet, a e ka parë zoti Hahn atë marrëveshje dhe cilët janë autorët e saj? Nëse është kështu si po thotë Komisari i BE-së, po dihet, se kjo panoramë, jo vetëm që nuk do të jetë shumë e bukur, por do të jetë e shumë e shëmtuar, po aq sa është i shëmtuar fakti se një shtet ka bërë krimin e gjenocid dhe ai jo vetëm që nuk po ndëshkohet, por, po shpërblehet shumëfish?! Kjo politikë është duke krijuar presedane të rrezikshme për vende e kombe në vitet që po vijnë. 

Po e përfundoj ketë shkrim, me fjalinë e fundit të historianit frëng, Paul Garde: “Ajo që do ta ndajë foshnjën e saj në dy pjesë, nuk është kurrë nëna e vërtetë”. (nga libri i cituar, faqe 190) Nuk mund të jetë nënë e vërtetë e vlerave të BE-së as ai Bashkim që ndëshkon viktimën e në anën tjetër shpërblen shtetin që ka kryer Krimin e Gjenocidit mbi të tjerët (Kosovë, Bosnje e Kroaci).

Unë po dua të besoj se: BE-ja e vlerave të konfirmuara, të nisura nga Franca e Gjermania në vitet e ’50 të shekullit XX, nuk do të lejoj që të ndodhin presedane të rrezikshme për njerëzit që presin të vinë në jetë, dhe jo vetëm për njerëzit e ri të Europës!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar