Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 12.12.2018 05:23
Ismajl Kurteshi

​Kush dhe pse po e ”përkrah” Presidentin?

Prishtinë | 03/12/2018 00:17

Shkruar nga: Ismajl Kurteshi

Refuzoj një të mirë për mua, nëse ajo përfundon e keqe për Francën. Monteskie

Presidenti i Kosovës tani kur ka mbetur pa përkrahjen e qytetarëve, institucioneve të shtetit, partive politike dhe shoqërisë civile, pra pa përkrahje në Kosovë, në lidhje me projektin serb për ndarjen e Kosovës, me të cilën Thaçi po sillet si me një plaçkë lufte, po kërkon mbështetje jashtë vendit.

  Përkrahja e parë për këtë projekt i erdhi, në heshtje, nga autori i vërtet i projektit, nga Serbia, gjegjësisht presidenti serb Vuqiq, i cili nuk po reagon asnjëherë kur Thaçi po deklaron se korrigjim i kufirit për te (Thaçin) do të thotë bashkim i Luginës së Preshevës me Kosovën. 

  Vuqiqi që reagon edhe për çështje të brendshme të Kosovës, si ç ishte shëtitja e Thaçit në Ujman, ose arrestimi i të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit nga ana policisë së Kosovës, nuk po reagon kur Thaçi shfaq pretendime territoriale për një pjesë të tokës që juridikisht është  pjesë e Serbisë. Kjo sjellje e Serbisë nuk ka si të shpjegohet ndryshe përveç si marrëveshje mes presidentëve për realizimin e këtij projekti serb.

  Pasi që përkrahja e Vuqiqit nuk është e mjaftueshme, Thaçi takoi Putinin në Paris dhe mori përkrahjen e tij, për marrëveshjen e dizajnuar nga Serbia. Putini që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, e pengon anulimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe që  është përkrahës i dëshmuar i politikës hegjemoniste të Serbisë.   Putini, President i Rusisë, që tradicionalisht ka qenë në krahë të Serbisë, nuk ka si të mos jetë me Serbinë edhe në këtë situatë, prandaj përkrahja që ia dha Thaçit, në të vërtet është përkrahje për Serbinë.

  Sikur këto dy përkrahje të dyshimta nuk i mjaftuan Presidentit,  ai shkoi edhe në Uashington për ta marrë edhe një përkrahje  të dyshimtë, atë të Gjon Bolltonit, të njohur për qëndrimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës. 

 Sipas logjikës me të cilën po udhëhiqet Thaçi, ai s ‘shpejti do të udhëtojë për Peking për ta siguruar edhe përkrahjen e Kinës. 

“ Përkrahjet” që Thaçi i siguroi, për t’i shfrytëzuar si argumente kundër qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të tyre në Kuvend, Qeveri, partitë politike parlamentare dhe shoqërinë civile,  të cilët e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve me Serbinë, e bëjnë qëndrimin e Thaçit të dyshimtë, rrjedhimisht edhe të papranueshëm, sepse këto përkrahje që formalisht iu dhanë atij janë në të vërtet përkrahje për Serbinë.
    Thaçi duhet ta kuptojë se përpjekjet e tij janë të kota, sepse të gjitha këto  “përkrahje” pa përkrahjen e popullit dhe të institucioneve të vendit, nuk  legjitimojnë  veprimet e tij,  prandaj ai duhet të heqë dorë nga këto ide të huaja.

  Por, duke marrë parasysh se Thaçi nuk po heq dorë nga projekti për ndarjen e Kosovës, është përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme që do ta pengojnë Thaçin që të vazhdojë të takohet me Vuqiqin për çështjen e kufijve por edhe për çështje të tjera pa platformë dhe pa autorizim nga Kuvendi. 

  Kuvendi duhet të veprojë shpejt, ndërsa subjekteve politike që janë deklaruar kundër pazareve me kufijtë nuk ju arsyetohet hezitimi, ato bashkë me partitë opozitare duhet të veprojnë deri sa çështjet nuk janë komplikuar  edhe më shumë. 

Është në dorën e deputetëve që çështjen e dialogut me Serbinë, të cilën viteve të fundit e ka privatizuar Thaçi,  ta institucionalizojnë, pra t’i vlerësojnë efektet e marrëveshjeve të arritura dhe shkallën e implementimit të tyre, t’i përpilojnë kërkesat e Shtetit të Kosovës drejtuar Serbisë, ta formulojnë platformën e dialogut me Serbinë dhe në fund ta caktojnë ekipin, i cili do ta respektojë platformën e aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ekipi duhet të obligohet që të  raportojë para Kuvendit në të gjitha fazat e dialogut. 

  Në të kundërtën, nëse nuk veprojnë me kohëm institucionet e vendit atëherë është e drejtë dhe detyrë e qytetarëve që të veprojnë në përputhje me interesat e vendit.

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar