Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 27.07.2017 08:45
Halil Selimi

​Një krismë që ngjallë një harrim

Prishtinë | 16/03/2017 20:03

Shkruar nga: Halil Selimi

Një krismë, një e shtënë, një vrasje në tentative. Ditën për diell në Prishtinë. Krismë me shurdhues që bëri shumë zhurmë, pa asnjë viktimë. Një krismë që plasi si një bombë e kurdisur që në vitin 1981. Një kapsulë që ndezi një debat të mbuluar me liri. Një zjarr që po merr flakë si një prush i ruajtur nën hirin e jugosllavizmit të karbonizuar nën luftë dhe gjak. Nuk di, por dikush po i frynë.

Po ringjallet lugetërisht një e kaluar plotë dhimbë e trishtimë. Një e kaluar që u mbytë në kohën e saj dhe prodhoi ndryshimin e madh. Një luftë që u fitua me gjak, përkundër barbarisë shtypse të kohës, aktorët dhe faktorët e të cilës janë gjallë. Më kot, tani, po mundohen të ndërrojnë rolet.

Absurdi i kësaj lirie që kemi fatin ta gëzojmë, po ngjallë një të kaluar të varrosur njëherë e përgjithmonë. “Heronjtë” terrorizues të asaj kohe, mjerisht, nuk po pajtohen me faktin e humbjes së turpshme të misionit të tyre jugosllav! Dhe, për ironi të kohës, dëshpërueshëm po përpiqen të na dëshmohen se janë gjallë!

Ata që i vrau pamëshirshëm koha dhe lufta e drejtë e vajzave dhe djemve studentë, nuk ka nevojë as arsye atentatori që sot dikush t’i rivret! Fosile të një të kaluare që ngjallin vetëm urrejtje, përbuzje dhe vrerë! Jo! Nuk dalin dot nga llumi i kohës së vetë, as me tentim vrasje, as me kurdisje atentatesh, as me zhurmën irrituese të nostalgjikëve bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë mjeranë, që po shuhen pak nga pak në mjerimin e vetë!  Ani se kurrë nuk u pajtuan me humbjen dhe mezi presin të nxjerrin kohën nga llumi ku janë mbytur njeherë e mirë dhe as zoti nuk i nxjerrë më të larë!

Të mundurit duhet të rrinë rehat në mundjen e tyre dhe nuk ka asnjë arsye që dikush t’i ringjallë duke i ‘rivrarë’! Prandaj, unë nuk i besoj kurdisjeve as vrasjes që dikush po i frynë për llogari të pallogaritur mirë.

Një kapitull i mbyllur në plehun e historisë. Pleh që as lulet dot nuk i rritë, jo më të ringjallë fosilet e ish-Jugosllavisë!

Lirinë nuk e rrezikojnë as fosilet e të kaluarës, as atentatorët e rinj. Unë i besoj Lirisë, ani se dikush po e hanë si përbindësh përditë, por s’ka hero pervers që e mund Lirinë! Kosova është më e madhe, më e dashur, më e vlerëshme se të gjithë. Prandaj dhe do të mbijetojë e do të ecë rrugës së vet, me të ardhme, edhe pa ata që po ushqehen më të, padrejtësisht!

Kush guxon të luaj me shenjtërinë e Kosovës së lirë, liria do t’i mbetet në fyt! Armiqtë i kam mundur vet, zot, ruajmi miqtë! Liria është fituar me pushkë, por nuk ka armë që e vretë Lirinë! Jetoni të sotmen e mos harro të kaluarën, o njerëz të lirë!

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar