Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 19.11.2017 06:37
Halil Selimi

​E dua hënën, kur duket e plotë, edhe pse shndrit vetëm gjysma e saj

Prishtinë | 07/07/2017 09:36

Shkruar nga: Halil Selimi

Është shumë e rëndësishme që, sot, pavarësisht ku na kanë shpërndarë koha dhe rrethanat, jemi këtu, në një pikë të përbashkët, të së kaluarës sonë, për të cilën mburremi dhe jemi krenar edhe kur heshtim para saj!

Nuk është e thjeshtë sa duket, kjo! Nuk është thjeshtë një manifestim simbolik. Një pllakë e vendosur me një mbishkrim, thjeshtë për kalimtarët që kalojnë këndej pari, rastësisht! Nuk është një tabelë orientuese për ata që e humbin rrugën në këtë malësi.
Është një pikë në detin e madh të veprimtarisë çlirimtare dhe kujtesës së rënduar nga harrimi, në liri! Është një mësim jo vetëm për ata që nuk e dinë pse dhe çfarë ka ndodhur në këtë shtëpi dhe në shumë shtëpi si kjo, gjithandej ku jetojnë dhe aspirojnë shqiptarët për liri! Por është edhe një rigjetje për ata që e kanë ndërtuar me gjak e sakrificë rrugën e lirisë, ndërsa po humbin, përditë e më shumë, rrugën e paslirisë pa histori! 

Një shtëpi e vogël dhe modeste në dukje, dikur kjo, por më e madhe se një pallat qeverie a parlamenti, sot! Një strehë, një mbrojtëse, një bazë, nën çatinë e së cilës gjenin pritje, ngrohtësi, bukë, siguri, mbrojtje dhe përgjegjësi, çlirimtarët, në çdo kohë dhe vështirësi. Një nga shumë çerdhet dhe bazat themeltare të veprimtarisë. Një nga sofrat ku gatuhej liria, në fshehtësi!


Është histori më vete kjo shtëpi, e cila formalisht ishte e bacit Naz, veçanërisht e çlirimtarëve dhe realisht e të gjithëve! Shtëpi e lirisë, pa asnjë dyshim! 

Ndërsa frymojmë lirshëm sot, rikujtojmë, me frymëzim dhe peshë lirie edhe ata që s’janë në mesin tonë. Ata, pjesë e jetës së të cilëve është liria jonë! Këtupari, parakaluan dhe lanë gjurmë ata që jetës i dhanë kuptim, Kosovës ushtri dhe shpirtit liri! 
Nuk kemi ardhur, sot, këtu, të kërkojmë strehë, mbështetje a siguri, si dikur në fshehtësinë e veprimtarisë, por të rikthejmë vëmendjen tonë në të kaluarën dhe të rritemi me krenarinë e saj, kudo që jemi dhe kahdo që shkojmë!

Jemi këtu, sot, tek pika e një ndërgjegjeje, që na kujton nga kanë kaluar njerëzit liridashës, veprimtarët çlirimtarë dhe rruga vendimtare e lirisë.

Nga ka kaluar rruga e frymëzimit, formësimit dhe e ndërtimit të UÇK-së.
Rruga e trasuar nga krye veprimtari i djeshëm dhe heroi i kombit sot, Xhavit Haziri – Shoqi jonë;

Rruga e Ahmet Haxhisë –Bacit, ndërlidhësit të gjeneratave në veprimtari dje, heroit tonë sot;

Rruga e fshehtë çlirimtare e Zekës, dje dhe parlamentarit Xhavit Haliti, sot;

Rruga e fshehtë e Abaz çlirimtarit, dje dhe bashkëqeverisësit Ali Ahmeti, sot;

Rruga e çlirimtare e njërit nga udhëheqësit e LPK-së, Bejta, dje dhe ambasadorit Ramadan Avdiu, sot;

Rrugëtimi i pafund, i opozitarit të sotëm, Emrush Xhemaili dhe organizatorit e çlirimtarit të djeshëm, Muhameti;

Rruga e komandantit Lum Haxhiu, dje dhe profesorit universitar, Hajdin Abazi, sot;

Dhe, rruga e shumë prej atyre veprimtarëve e luftëtarëve çlirimtarë të pamposhtur, dje dhe që kanë kapur majat e pushtetit, sot.

Është kjo mirënjohja, kujdesi, fryma dhe frymëzimi jo vetëm joni, sot, për të gjithë ata që jetë nga jeta e tyre i dhanë lirisë! Lirisë, që kemi fatin e madh ta gëzojmë, ani se akoma larg nga ajo që kemi aspiruar realisht, bashkë me heronjtë!

Ndërsa, simbolikisht, do ta përfundoja: 

E dua hënën, kur duket e plotë, edhe pse shndrit vetëm gjysma e saj!

Nderim dhe respekt deri në admirim përuljeje për heronjtë!
Lavdi për të gjithë ata që ranë dhe përgjegjësi për ata që jetojnë, gjithmonë!

Më 06. 07. 2017, Dyz/ Fjalim i mbajtur me tastin e zbulimit të pllakës përkujtimore në shtëpinë e veprimtarit të dalluar të Lëvizjes Çlirimtare, Nazmi Llapashtica/.                                                                                                 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar