Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 19.08.2017 08:48
Halil Selimi

​Drenasi i jashtëzakonshëm

Prishtinë | 15/12/2016 15:18

Shkruar nga: Halil Selimi

Në çdo kohë dhe rrethanë Drenasi ka reflektuar jashtëzakonshëm! Si para, gjatë dhe pas luftës. Aty janë kryer aksionet e para çlirimtare dhe jo vetëm me armë. Edhe gjatë luftës nuk ka njeri që nuk e ka njohur Drenasin nga Gryka e Llapushnikut, që ka qenë kryelajm gjatë gjithë luftës së lavdishme çlirimtare të UÇK-së. Është po aq i veçantë edhe për emrat e përvetshëm komandant dhe përfaqësues politikë që publikisht luftuan edhe pa maskë, duke u shndërruar në legjenda për së gjalli, por edhe kur heroikisht ranë për të mos vdekur kurrë.

Edhe pas luftës, Drenasi, do të jetë në qendër të vëmendjes dhe përndjekjes së çlirimtarëve të veçantë. Jashtëzakonshëm u përndoq dhe u dënua kryetari i saj, bashkë me gjithë vëllezërit luftëtarë. Drenasi ushqeu, edhe luftën, edhe paqen, edhe lirinë me djersë, bukë, gjak e plumb në çdokohë. Të gjithë morën atë që deshën nga Drenasi dhe pothuajse asgjë nuk i dhanë. Por Drenasi është Drenas, i qytetarëve të saj të jashtëzakonshëm në çdo situatë. Një qytezë e vogël në dukje, por e sprovave gjithmonë e më të mëdha.

Edhe politikisht e shpallën të jashtëzakonshëm! Me zgjedhje të parakohëshme për kryetar. Në morinë e kandidaturave ka dhe kandidatë të veçantë që i kanë dhënë kuptim Drenasit, gjithmonë. Dikush, ndoshta nuk di të shprehet bukur gjithmonë, por di të punojë mirë e mbarë në çdo kohë! Kosovës në përgjithësi dhe Drenasit në veçanti, i duhen njerëz që dinë të punojnë e të qeverisin mirë e mbarë. Ata që kanë bërë edhe kurse të kushtueshme për të mësuar që të flasin bukur, na kanë sjellë në këtë kohë absurdi të pasluftës. Ata që flasin bukur sot, nuk bënë gjë të bukur për Kosovën as para, as gjatë, as pas luftës, përveç dëshpërimit të madh që na e mbuluan me oratorinë që tingëllon bukur në televizor dhe të vret mashtrueshëm përngadalë! Prandaj jemi sot këtu ku jemi, pa shpresë dhe me drama të pakënaqesisë nëpër këmbë, sado qe dukemi të lirë, por lirinë po e vuajmë para se ta gëzojmë, mjerisht!

Një bashkëthemelues të UÇK-së dhe organizator me përgjegjësi të veçanta gjatë gjithë luftës çlirimtare brenda dhe jashtë vijave të frontit, është meritë, pasuri dhe përfitim po aq i veçantë sa nuk e ka çdo qytet këtë privilegj sot, ta ketë për kryetar një punëtor të mirë dhe njeri të drejtë! UÇK dhe lufta e saj e lavdishme ka qenë shumë më shumë se një front, një brigadë, një komandë a një ushtri! Ka qenë dhe një aspiratë çlirimtare shekullore e ndërtuar dhe organizuar mençurisht, guximshëm dhe me trimëri, deri në fitoren me: Vdekje ja Liri! Dhe ndodhi t’i përjetojmë që të dyja denjësisht: edhe vdekjen, edhe lirinë! Rënia ishte çmimi i shtrenjtë i kësaj lirie, që kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetojmë sot. Heronjtë e rënë për liri janë vetë jeta jonë e lirë! Ata që ushqehen pushtetshëm me vdekjen, vdekjen e kanë hak, ndërsa nuk ngopen me vdekjen dhe luftojnë akoma çlirimtarët e gjallë!

Ata që e fituan lirinë, pa oratori, por me sakrificë, dinë e meritojnë edhe të qeverisin mirë e me vetëbesim, sidomos sot, kur shqiptarët kanë nevojë për njërez që dinë të punojnë më mirë se të flasin bukur politikisht! Nga fjalamania propaganduese kanë përfituar politikisht dhe materialisht vetëm oratorët e mashtrimit të bukur, në kurriz të qytetarëve të vuajtur!

Ramizi është njëri nga ata të rrallët që më mirë punojnë se flasin, sigurisht!

Është koha të jetojmë bukur dhe jo vetëm të dëgjojmë e të flasim bukur. Të jetojmë meritueshëm dhe jo mashtrueshëm, si popull i lirë. Në Kosovën tonë të pasur dhe të lirë, mund të punohet dhe jetohet denjësisht dhe jo nën mëshirën e të pamëshirshmëve pushtetarë fjalë bukur, deri te “akademikët” e mashtrimit politik!

 Mos harroni, me 18 dhjetor, Drenasi, Drenica dhe krejt Kosova, ose nderohen, ose ndëshkohet edhe me votë. Ndodhë që edhe ndëshkimi edhe nderimi të korrespondojnë në të njëjtën votë!

Në vullnetin e qytetarëve të lirë është ta nderojnë vendin e tyre, gjithmonë!

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar