Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 28.06.2017 07:29
Gafurr Elshani

​“Mërgimi” ka qenë pjesë e një mekanizmi tërësor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Prishtinë | 07/05/2017 23:35

Shkruar nga: Gafurr Elshani

E gjithë kjo është financuar me mjetet e grumbulluara nga kurbetçinjtë e të gjitha vendeve të Evropës perëndimore përmes Fondit Vendlindja Thërret, fond i krijuar në korrik të vitit 1993, në kuadër të përgatitjes për luftën e ardhshme për çlirimin e vendit.

Të nderuar, pjesëmarrës

Familjarë të dëshmorëve, 
invalidë dhe veteranë të luftës

Shfrytëzoj rastin t’ju përshëndes të gjithë ju pjesëmarrësve të këtij tubimi me rastin e shfaqjes së premierës së filmit dokumentar të realizuar nga regjisori i njohur Virgjil Kule, kushtuar pikës së furnizimit Mërgimi të titulluar Buka e UçK-së.

Nuk do të flas për vlerat artistike e teknike të këtij dokumentari, por do të flas për ngjarjet dhe për personazhet që janë objekt trajtimi në të.

Pjesën me të madhe të personazheve të këtij dokumentari - unë i kam njohur personalisht shumë kohë para se të fillonte lufta në Kosovë, si bashkëveprimtarë në tubimet dhe në demonstratat e Lëvizjes Popullore të Kosovës të organizuara në të gjitha vendet e Evropës, sepse të gjithë këta ishin anëtarë të kësaj organizate, të angazhuar njëkohësisht edhe në kuadër të grupeve artistike, si “Këndojmë për Kosovën”, në Fondin Vendlindja Thërret, duke filluar nga Ganiu, Demiri, Buqja, Fanoli, Lusha, Nusretja.  Demën dhe Naimin, i kam takuar te shtëpia e Haxhi Babes në Golem, një nga bazat kryesore të logjistikës në Shqipëri, ndërsa Veli Bacën dhe Xhevdet Dukën në Kosovë.

Ilir Konushevcin apo Mërgimin, emrin e të cilit e mban ky grup i logjistikës, që ishte edhe themelues i saj, e kam takuar gjatë vitit 1997, dhe në fillim të vitit 1998.

Në mesin e këtyre veprimtarëve dallohej edhe Ali Reshani, i cili ishte i angazhuar në logjistikë në kuadër të Grupit të Rëndësisë së Veçantë, të LPK-së, i cili kishte për detyrë në atë kohë të fuste armatime për ushtrinë që ishte në krijim e sipër. Gjatë punës së tij ai u zbulua nga doganieret italianë në vitin 1990, pastaj u burgos dhe u dënua me 3 vite burg nga Gjykata Penale e Komos në Itali. Pasi kreu burgun, Aliu u vendos në Shqipëri, dhe me të filluar lufta, ai e vazhdoi punën e nisur më parë duke ju bashkëngjitur njësiteve të logjistikës me ç’rast shërbeu si ndërlidhës midis Njësitit “Mërgimi” dhe Sektorit të Logjistikës pranë Shtabit të Përgjithshëm në Shqipëri.

Është më rëndësi të nënvizohet se të gjithë këta të rinj, nuk shkuan rastësisht për të ndihmuar luftën e UçK-së. Secili prej tyre ka një histori të veçantë se si iu bashkua këtij Grupi, por të gjithë kishin diçka të madhe të përbashkët, kishin idenë se vetëm me luftë të armatosur do të çlirohej vendi. Në këtë pikë nuk kishin dilema dhe kjo i ndihmoi që në asnjë moment të mos hamenden, të mos ligështohen por t’i qëndrojnë në ballë detyrave që ua ka kërkonte koha. 

Këtë e dëshmuan sidomos pas vrasjes së Heroit Ilir Konushevci, dhe plagosjes së rëndë të Tomorit në pritë, dhe pavarësisht vështirësive e pavarësisht ngritjes ose rënies së intensitetit të luftës, ata vazhduan t’i kryejnë detyrat e tyre në furnizimin me armatime e municione. Në ndonjë rast ata u futën edhe vetë nëpër territoret ku zhvilloheshin luftimet për të bërë transportimin e armëve deri në vendin ku ishte bëre porosia.

Se sa ishte e madhe rëndësia e logjistikës e dinë më së miri ata që në atë kohë kanë qenë në vija të para të luftës, në Prekaz, Gllogjan, Jabllanicë, dhe gjithkund në Kosovë, e sidomos gjatë vitit 1999, kur Serbia arriti ta vështirësonte furnizimin deri në njëfarë mase dhe lufta duhej të vazhdonte në sajë edhe të furnizimeve që ishin bërë gjatë vitit 98.

Grupi i Logjistikës “Mërgimi” ka qenë pjesë e një mekanizmi tërësor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Armatimi i tyre nisej në dijeni të Shtabit të Përgjithshëm të UçK-së nga vende të ndryshme dhe përcillej te njësia e tyre nga Raif Gashi, veprimtar i njohur nga Suhareka, i arratisur politik në Shqipëri në vitet 80 -të. 

Shtabi i Zonës Operative të UçK-së në Dukagjin, i komanduar nga Komandanti Ramush Haradinaj, u mundësonte të gjitha zonave të UçK -së, mijëra luftëtarëve, që me vëzhguesit e nevojshëm, njohës të terrenit, t’ju siguronte rrugën për vajtje ardhje për furnizim me armatim por edhe ushtarë me mjete transporti, qerre me kuaj, traktora, kamioneta për bartjen dhe shpërndarjen e armatimit në zona të tjera. Atje i priste njësia logjistike “Mërgimi” e UçK -së. 

Ndërlidhja ushtarake që kërkonte koordinim nga Perëndimi  ( Bedi Islami) në  Tirana (Raif Gashi), Veriu i Shqiperise (njësia Mërgimi) në Gllogjani (Komandanti Ramush Haradinaj, dhe i ngarkuari për komunikim e ndërlidhje, Emrush Xhemajli,) në aspektin teknik bëhej me sistemin satelitor të telefonisë me telefona të posaçëm me panel solare dhe me korrierë qe bartnin shkresat.

Për furnizim me armatime në Gllogjan pati ardhur personalisht edhe Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Rrustem Mustafa, Musa Jashari, Sami Lushtaku dhe dhjetëra komandantë e mijëra ushtarë të të gjitha zonave të UçK –së. Ky armatim pranohej dhe përcillej nga njësia logjistike Mërgimi.

Vlen të theksohet se e gjithë kjo ndërmarrje e madhe është financuar me mjetet e grumbulluara nga kurbetçinjtë e të gjitha vendeve të Evropës perëndimore përmes Fondit Vendlindja Thërret, fond i krijuar në korrik të vitit 1993, në kuadër të përgatitjes për luftën e ardhshme për çlirimin e vendit.

Nga evidencat që kanë arritur të ruhen dëshmohet puna e madhe e grupit në grumbullimin dhe furnizimin me armë të luftëtarëve të Kosovës, por këto evidenca dëshmojnë se edhe në kushtet e rënda të luftës është mbajtur shënim e gjithë puna e bërë, jo vetëm që të tregohet në të ardhmen se sa është punuar, por edhe se si është punuar, me sa përgjegjësi e korrektësi janë trajtuar të gjitha mjetet e grumbulluara nga populli. Ato dëshmojnë se të gjitha mjetet ishin shfrytëzuar vetëm për atë qëllim për të cilin ishin grumbulluar — për çlirimin e vendit.

Në dokumentarin që prezantohet sot janë vënë në pah anët më njerëzore, tiparet me fisnike të luftëtarëve të UçK –së, gjë që i siguron një vlerë të jashtëzakonshme për prezantimin e vërtetë të luftës sonë të drejtë. 

Ky dokumentar ka vlera të mëdha në edukimin patriotik e atdhetar të  brezit të ri të shqiptarëve. Ai nënvizon edhe faktin interesant të një brezi luftëtarësh, që ndonëse të rritur jashtë vendit, zemrën e kishin tek vendlindja dhe u mobilizuan me të gjitha forcat që t‘i dilnin zot atdheut, pikërisht ne çastet më të rënda që po kalonte ai.

Duke përfunduar, e falënderojmë përzemërsisht dhe e përgëzojmë regjisorin dhe gjithë ekipin realizues të këtij dokumentari për punën e shkëlqyer që kanë bërë. 

Prishtinë, 05.05.2017

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar