Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 16.01.2018 12:30
Fetnete Ramosaj

​“Masakra e Reçakut...” - libër i dëshmive të dorës së parë

Prishtinë | 18/09/2017 06:46

Shkruar nga: Fetnete Ramosaj

Përkitazi me botimin e monografisë "Masakra e Reçakut – Krim kundër njerëzimit", grup autorësh, në gjuhën angleze dhe ribotimin në gjuhën shqipe nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Prishtinë, 2017.

Monografia "Masakra e Reçakut – Krim kundër njerëzimit", grup autorësh, është libër i dëshmive të dorës së parë për njërën ndër aktet më të tmerrshme të gjenocidit që i kryen forcat pushtuese serbe gjatë luftës në Kosovë (1998-1999). Siç dihet, Masakra e Reçakut e tronditi opinionin vendor e ndërkombëtar. Përmasat e kësaj masakre, të cilën forcat serbe e kryen në kohën kur misionet vëzhguese ndërkombëtare ishin vendosur në Kosovë, e zbuluan natyrën çnjerëzore të krimeve dhe të terrorit që po vazhdonin të ushtronin forcat okupuese serbe ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë. 

Njëkohësisht nxorën në shesh tendencat për mohimin e krimeve, falsifikimin dhe tjetërsimin e përgjegjësisë që po i bënte Serbia në të gjitha dimensionet. Prandaj, kjo Masakër shërbeu si një pikë kthese për vetëdijesimin e opinionit vendor e ndërkombëtar për krimet e tmerrshme që po ndodhnin në Kosovë, duke ndikuar edhe në këndelljen e mekanizmave ndërkombëtarë për të intervenuar në Kosovë, me qëllim të ndërprerjes së gjenocidit, spastrimit etnik dhe shfarosjes së popullit shqiptar, gjë që ndodhi vetëm disa javë më vonë me fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë (24 mars 1999). 

Masakra të tilla si kjo e më të rënda kanë ndodhur edhe në vende të tjera të Kosovës, por shumica dërmuese e tyre mbetën në heshtje, pasi që nuk e patën fatin t’i pasqyrohen nga afër opinionit ndërkombëtar, edhe pse kishte dëshmi, kishte viktima të shumta, kishte dëshmitarë e të mbijetuar, sepse qëllimi i Serbisë ishte që të kryente krime, të kryente spastrime etnike, por të zhdukte gjurmët e atyre krimeve, të mos linte dëshmi. Këtë nuk po e bënte për herë të parë.

Po e bënte në mënyrë të planifikuar e të organizuar për të satën herë, që kur filloi pushtimin e trojeve shqiptare më 1877/1878, duke i zbatuar kapërcipërisht metodat e parapara në platformat dhe elaboratet serbomëdha për shfarosjen e shqiptarëve, që fillojnë me planin "Naçertanije" të Garashaninit (1844), për të vazhduar deri në "Memorandumin" e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë e planprogramet e tjera të Millosheviqit, Sheshelit, Kishës Ortodokse Serbe etj., deri në ditët tona. Kishte prej atyre masakrave pa asnjë të mbijetuar, siç ishte Masakra e Mejes, ku më 27 prill 1999, u ndaluan dhe u arrestuan nga forcat serbe të paktën 377 civilë shqiptarë, por për vite të tëra për ta nuk dihej asgjë. Familjarët mendonin se gjenden në burgjet e Serbisë, deri në zbulimin e varrezave masive në Serbi. Vetëm në vitin 2003, Serbia filloi të bëjë kthimin e pjesshëm të mbetjeve mortore të mbi një mijë të ekzekutuarve, të cilët i kishin varrosur në varrezat sekrete masive në afërsi të Beogradit, nën asfaltin e poligoneve të policisë, ushtrisë e të njësive speciale të Serbisë. 

Monografia është botuar për herë të parë në vitin 2004, nga Fondi i Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut” në Shtime. Në këtë botim, monografia vije e përmirësuar dhe e plotësuar. Kur e mora përsipër që ta përgatis për ribotim në gjuhën shqipe dhe botimin e parë në gjuhën angleze, me miratim të Këshillit Shkencor të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës të Ministrisë se Drejtësisë, sipas kritereve shkencore të Institutit, kisha parasysh se kjo monografi përmban dëshmitë e të gjitha palëve se si janë zhvilluar ngjarjet gjatë dhe pas Masakrës në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, që janë dëshmi shumë të rëndësishme për dokumentimin e këtij akti të gjenocidit.

Nga të dhënat që ofrohen në këtë monografi mësojmë se më 15 janar 1999 në Reçak janë vrarë 53 shqiptarë, 42 civilë dhe 11 pjesëtarë të UÇK-së, dy prej tyre të rënë në betejën për mbrojtjen e kufomave të të vrarëve, më 19 janar 1999, kur serbët tentuan t’i marrin me forcë trupat e pajetë të të vrarëve, me qëllim të zhdukjes së dëshmive të masakrës. Forcat serbe pasi e kishin rrethuar fshatin nga të katër anët, i zunë rob, i torturuan dhe i ekzekutuan në format më të tmerrshme civilët shqiptarë prej moshës 13-vjeçare (Halim Rizah Beqiri) deri në moshën 82-vjeçare (Nazmi Nuhë Imeri), në mesin e tyre edhe persona me aftësi të kufizuara dhe tri femra. Njëra prej tyre, Sahide Metushi (61-vjeçare), u ekzekutua nga policia serbe në fshat. Në përfundim të operacionit vrastar, policia serbe me një automjet të policisë e mori trupin e saj nga vendi i ekzekutimit dhe e zhduku. Edhe sot e kësaj dite konsiderohet e zhdukur. Po ashtu u plagosën me armë zjarri dymbëdhjetë civilë e po aq të tjerë u keqtrajtuan e u torturuan fizikisht, shumica prej të cilëve mbetën me pasoja jetësore. 

Faktet e shumta dëshmojnë se sulmi kundër Reçakut ka qenë i planifikuar, i urdhëruar dhe i monitoruar nga instancat më të larta të qeverisë serbe-jugosllave. Për ta kryer pahetueshëm masakrën e tmerrshme në fshatin Reçak të Shtimes, Beogradi zyrtar i dërgoi në Kosovë, për ta mbajtur nën kontroll situatën, zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Jugosllavisë së Zhablakut, Nikolla Shainoviq, njëherësh shef i Komandës së Përbashkët të Ushtrisë e Policisë dhe zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Serbisë, radikalin Vojisllav Sheshel, të cilët kishin ardhur në Kosovë dy ditë para masakrës dhe ishin larguar nga Kosova dy ditë pas masakrës. Këtë operacion ndëshkimor forcat serbe e ndërmorën vetëm një ditë pasi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke iu përmbajtur konventave ndërkombëtare, me ndërmjetësim ndërkombëtar, i liroi tetë ushtarë serbë të zënë robër ditë më parë në Zonën Operative të Shalës, të cilët u shkëmbyen me ushtarët e UÇK-së, të zënë robër nga ushtria serbe-jugosllave më 14 dhjetor 1998, në kufirin shqiptaro-shqiptar. 

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit të vitit 1999, forcat e ushtrisë serbo-jugosllave, njësitet speciale të JSO-së e të PJP-së, njësitet e policisë, paramilitarëve dhe serbë lokalë të mobilizuar nga komuna e Ferizajit, Shtërpcës, Shtimes, Vitisë, Lipjanit, etj., pasi që gjatë natës e kishin rrethuar fshatin nga të katër anët, duke e sulmuar edhe me artileri të rëndë nga largësia, u futën nëpër shtëpitë e Reçakut, duke i terrorizuar banorët e fshatit (pa dallim moshe e gjinie), që ishin kthyer në shtëpitë e tyre edhe pas djegies, plaçkitjes dhe shkatërrimit në masë të shtëpive të tyre gjatë ofensivës serbe në gusht të vitit 1998, dhe në pamundësi që të strehoheshin diku tjetër, në kushte të vështira ishin detyruar ta kalonin dimrin në zonat e përfshira në luftime gjatë vitit 1998. Pas arrestimeve, torturave dhe mizorive të shumta, forcat serbe i ekzekutuan në masë civilët. Tridhjetë e gjashtë prej tyre ishin ekzekutuar nga afërsia, ndërkaq gjashtë nga largësia prej mbi 50 metrash. 

Shumicës së viktimave ua kishin bërë atë që s’mund të paramendohet se njeriu mund t’ia bëjë njeriut: për së vdekuri, por edhe për së gjalli, me mjete të mprehta ua kishin prerë dhe hequr pjesët e ndryshme të trupit. Dikë e kishin zënë të gjallë, ia kishin prerë duart e nxjerrë zemrën; dikujt ia kishin prerë kokën me thikë në prani të anëtarëve të familjes, dikë e kishin ekzekutuar me armë zjarri, por nuk ishin mjaftuar me aq, ia kishin prerë me thikë dhe humbur edhe kokën; dikujt ia kishin thyer kafkën dhe ia kishin rrjepur lëkurën; dikujt ia kishin këputur duart duke e rrahur me dru, dikujt ia kishin çarë kokën më dysh me sopat në formë kryqi!... Të gjitha këto ishin bërë në prani të familjarëve e banorëve të tjerë, në prani të grave e të fëmijëve, të cilët i kishin parë apo dëgjuar britmat, klithmat e tmerrit dhe ofshamat e fundit të familjarëve e bashkëfshatarëve të tyre, duke u shkaktuar panik, tmerr e lemeri që nuk harrohet dot. 
Të gjitha këto tmerre e akte lemerie i gjejmë të rrëfyera në veten e parë në këtë monografi nga të mbijetuar dhe dëshmitarë okularë të masakrës. 

Duke e lexuar librin, sa e sa herë shtohet pyetja: A është e mundur dhe si është e mundur që njeriu t’ia bëjë këtë njeriut?! Këto tmerre që i rrëfejnë viktimat shqiptare, i kanë rrëfyer shumë vite pas luftës edhe disa oficerë të policisë serbe, pjesëmarrës në krime të tilla makabre, të cilët rrëfejnë se serbët kanë shkuar aq larg sa që kanë bërë edhe llamba tavolinash me kafka të shqiptarëve! 

Tmerrin në Reçak e panë për së afërmi edhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe gazetarë të shumë të medieve ndërkombëtare. I gjetur përballë pamjeve të tmerrshme të Masakrës, kryesuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, diplomati amerikan William Walker, nga vendi i ngjarjes i kumtoi botës se ajo që kishte ndodhur në Reçak ishte e tmerrshme, ishte krim kundër njerëzimit. Për titullin e kësaj monografie është marrë për bazë ky konstatim i ambasadorit Walker i bërë nga vendi i ngjarjes, ndonëse masakra e Reçakut është jo vetëm krim kundër njerëzimit, por edhe akt gjenocidi. 

Në rastin e Masakrës së Reçakut, ndonëse çdo gjë ishte përcjellë që nga fillimi i operacionit nga vëzhguesit e Misionit Ndërkombëtar të OSBE-së, të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave ndërkombëtare dhe përfaqësues të medieve ndërkombëtare, Beogradi zyrtar me çdo kusht tentoi t’i sfidonte dëshmitë, t’i sfidonte pohimet e të mbijetuarve dhe të ekzekutimit në masë të fshatarëve, dhe t’i bënte vrasjet të duken si pasojë e një lufte të ashpër. Por kjo nuk ishte asgjë e re, as e panjohur, sepse Serbia çdo krim që e ka kryer në Kosovë është përkujdesur t’ia adresojë UÇK-së. Në njërën anë Beogradi zyrtar të vrarët i quante terroristë, e në anën tjetër refuzonte çdo hetim ndërkombëtar. 

Madje, duke i përdorur të gjitha hallkat e funksionimit të pushtetit okupues edhe gjyqësinë, mjekësinë ligjore dhe mediet, tentoi të falsifikonte e të tjetërsonte të vërtetën për Masakrën, siç ka bërë historikisht edhe në të gjitha rastet e tjera. Të gjitha këto dëshmi që përmbajnë në vete prova të fuqishme për t’i ndëshkuar dhe dënuar krimet serbe gjenden në këtë libër. 

Kryeprokurorja e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Carla Del Ponte, në aktakuzën e ngritur kundër Sllobodan Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt, për krimet e luftës në Kosovë, i akuzoi ata vetëm për 17 varreza masive, duke i lënë jashtë aktakuzës edhe 483 varreza të tjera masive me trupa të pajetë të shqiptarëve, që i lanë pas vetes forcat serbe pas kapitullimit të tyre në luftën e Kosovës.

Madje, Masakrën e Reçakut, Masakrën kundër Familjes Imeraj në Padalishtë (Istog) dhe Masakrën kundër të burgosurve shqiptarë dhe robërve të luftës në Burgun e Dubravës, më pas i hoqën nga procesi gjyqësor kundër udhëheqësve të lartë shtetërorë serbë, me arsyetimin për thjeshtësim procesi! Deri më sot vetëm një pjesëtar i policisë serbe është gjykuar dhe dënuar nga gjykatat e UNMIK-ut në vitin 2002 për krimet e kryera në Masakrën e Reçakut, dhe atë vetëm për një vrasje dhe dy tentim-vrasje. Polici serb Zoran Stanojeviq nga fshati Grackë e Vjetër e Lypjanit, u dënua me 15 vjet burgim, por i ka mbajtur vetëm gjashtë vite. Nga Kosova u transferua në burgjet e Serbisë, në vitin 2009. Atje, menjëherë u lirua me dekret të veçantë të presidentit të atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq. 

Në 18-vjetorin e Masakrës, monografia "Masakra e Reçakut – Krim Kundër Njerëzimit", është përgatitur për botim në gjuhën angleze nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), Prishtinë dhe njëkohësisht ribotohet e përpunuar dhe plotësuar edhe në gjuhën shqipe. Është një libër që i kontribuon ballafaqimit me të kaluarën, i shërben dokumentimit të së vërtetës, pasi që Serbia asnjëherë deri më tani nuk e ka pranuar përgjegjësinë për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, etnocidin, gjenocidin dhe spastrimin etnik kundër popullit shqiptar të Kosovës. 

Kontribuon që krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi serb kundër shqiptarëve të mos mbeten të pandëshkuara nga drejtësia. Krahas kësaj monografie, mosharresës, mirënjohjes, nderimit dhe vlerësimit të sakrificave të të rënëve i shërben edhe Kompleksi Memorial i Martirëve në Reçak, pranë të cilit në përvjetorin e tetëmbëdhjetë u vendos shtatorja prej bronzi e njeriut të çmuar, heroit të reçakasve, Ambasadorit Amerikan William Walker. 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar